Suedia po ndërton rrugën që karikon makinat elektrike
Nuk kanë të sosur risitë në botën e makinave. Vitet e ardhshme do të jenë të mbushura me të reja si nga bota e makinave autonome e me inteligjencë artificiale, si nga ajo e makinave elektrike.
Në Europë shumë nga këto risi vijnë gati gjithnjë nga vendet nordike. Kësaj radhe është Suedia ajo që po punon në një projekt me të vërtetë futurist. Bëhet fjalë për rrugën e makinave elektrike.
Një ndër problemet që hasin inxhinjerët e makinave elektrike është autonomia, pasi për momentin automjetet me bateri nuk arrijnë të bëjnë shumë kilometra.
Kërkuesit shkencorë suedezë kanë filluar të eksperimentojnë disa binarë që shtrihen përgjatë rrugës dhe me anën e një kablli special lidhen me makinën dhe i japin asaj energji.
Sistemi është i ngjashëm me makinat në pistat e vogla për fëmijë që e marrin energjinë nga një kabëll i lidhur me një rrjetë ku kalon korrenti. Në këtë rast ky kabëll gjendet poshtë makinës dhe është i lidhur me disa shina të instaluara në rrugë.
Makinat elektrike të prodhuara deri tani nuk janë të pajisura me këtë kabëll, pra është akoma herët për tu aplikuar në tregun e sotëm të makinave elektrike. Për momentin ky projekt është akoma në fazën e eksperimentit dhe po aplikohet në një rrugë të gjatë 2 kilomentra.