Sulmi i parë kibernetik ndodhi në vitin 1834

Në Maj të vitit 2017, një virus kompjuteri, i quajtur “Wannacry”, goditi me mijëra kompjuterë në të gjithë botën, duke detyruar disa spitale në Britani të mbyllin dyert. Çdo javë raportohet nga një rast nga kompanitë e mëdha, të cilat thonë se u janë sulmuar sistemet. Yahoo rrëfeu se në vitin 2013 u sulmuan 1 miliardë e-mail-e. Sulmet kibernetike janë pjesë e jetës moderne, por historia e tyre, në fakt, nis më përpara se ç’mund ta mendoni.

Rrjeti i parë kombëtar i të dhënave është krijuar në Francë, në vitet 1790. Ishte një sistem mekanik telegrafi që përbëhej nga disa kullash të rreshtuara në varg, dhe secila prej tyre kishte disa krahë të lëvizshme druri në majë. Konfigurimet e ndryshme të këtyre krahëve të drurit përktheheshin në shkronja, numra e karaktere të tjera. Operatorët në secilën kullë ndryshonin pozicionimin e krahëve duke i bërë njësoj si kulla më e afërt, të cilën e shihnin me teleskop.

Në këtë mënyrë, mesazhet mund të dërgoheshin më shpejt se letrat, nga njëri cep i Francës në tjetrin. Këto rrjete përdoreshin vetëm nga qeveria, por në vitin 1834, dy vëllezër bankierë, Fransua dhe Zhozef Blank, krijuan një mënyrë për ta përdoruar gjithë rrjetin sipas nevojave personale.

Dy vëllezërit Blank ishin këmbyes bonosh qeveritare në qytetin e Bordosë, ku informacioni për ndryshimet luhatjet e tregjeve vinte disa ditë me vonesë, nëpërmjet karrocës së postës. Këmbyesit do të bënin më shumë parà po ta merrnin informacionin më shpejt. Disa përdornin korrierë privatë, disa edhe pëllumba postierë, por vëllezërit Blank gjetën një mënyrë për të përdorur këtë sistem telegrafi. Ata u dhanë ryshfet operatorëve në qytetin e Tourit, që të krijonin gabime të qëllimshme në dërgimin e mesazheve qeveritare. Sistemi i shenjave kishte dhe një kod për të fshirë mesazhin mëparshëm nëse ishte dërguar gabim, si butoni “Backspace”. Kur vihej ky simbol, operatori duhej ta shpërfillte simbolin e mëparshëm.

Shtimi i një karakteri të rremë që tregonte lëvizjet e tregut për një ditë më parë, i ndjekur nga simboli i gabimit, vrojtohej nga një bashkëpunëtor tjetër, një ish operator që e vëzhgonte kullën me teleskop dhe pastaj ua jepte lajmin vëllezërve Blank. Mashtrimi u zbulua në vitin 1836, kur ky operator u sëmur dhe ia tregoi të gjitha një shoku, që të shkonte e ta zëvendësonte për të marrë paratë.

Vëllezërit Blank u dërguan në gjyq, por nuk u dënuan, pasi nuk ekzistonte ende një ligj për abuzimin me sistemet e komunikimit të të dhënave. Por abuzimi i tyre mund të cilësohet si sulmi i parë kibernetik në historinë e botës.

Mësimi që i jep kjo ngjarje njerëzimit modern, është që nuk duhet të kemi vetëkënaqësi e të ulim nivelin e mbrojtjes. Ndërhyrjet në rrjet shpesh lihen pa vënë re për vite me radhë, dhe shumë të tjera mund të mos shihen kurrë. Viruse si WannaCry dolën nëpër lajmet botërore ngaqë kishin ndikime shumë të dukshme, por nuk jep një pamje reale të problemit. Shumica e sulmuesve, si Blankët, nuk e reklamojnë praninë e tyre.

Së dyti, pavarësisht nivelit të teknologjisë, siguria është si zinxhir, dhe njerëzit janë gjithnjë hallka më e dobët. Sistemi francez i telegrafit mund të dukej shumë i pasigurt, me të dhënat që mund t’i shihte kushdo. Por pika e dobët ishin njerëzit. Dhe kjo vazhdon të mbetet e vlefshme edhe sot. Të kujdesesh për sigurinë vetëm nga ana teknike e të mendosh se ia arrite, do të thotë që të ka shpëtuar një pjesë më e rëndësishme: që shumë gjëra varen nga kushtet shoqërore dhe ekonomike.

Sulmet në rrjete jo vetëm që kanë nisur përpara elektronikës, por kanë ekzistuar bashkë me vetë rrjetet. Historia e vëllezërve Blank kujton se me çdo shpikje të re, njerëzit do të gjejnë gjithnjë mënyra se si t’i përdorin për keq. Ky është një aspekt i natyrës njerëzore që vlen në çdo kohë, dhe nuk është diçka të cilës duhet t’ia presim zgjidhjen nga teknologjia.

Top Channel

SHKARKO APP