Të droguarit nga media sociale dhe tregtarët
Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, kërcënimi nga platformat monopol të internetit duhet të jenë një shqetësim kyç për pjesëmarrësit. Për hatër të rivendosjes së balancës në jetët tona dhe shpresës për politikën tonë, është koha që të shkatërrojmë shkatërruesit.
Nga Roger McNamee
Ne ishim të paralajmëruar. Kapitalisti i bizneseve të rrezikshme dhe themeluesi i Netscape Arc Andreessen shkroi një ese të lexuar gjerësisht më 2011 të titullluar, “Pse Softueri po Gllabëron Botën.” Por ne nuk e morëm Andreessen seriozisht; ne e kuptuam atë si metaforë. Tashmë ne përballemi me sfidën e nxjerrjes së botës nga nofullat e platformave monopoliste të internetit.
Unë isha dikur një optimist i teknologjisë. Gjatë një karriere 35 vjeçare në investimin e firmave më të mira dhe më të shkëlqyera të Silicon Valley, unë isha mjaftueshëm me fat që të isha pjesë e industrive të kompjuterit personal, komunikimeve celulare, internetit dhe rrjeteve sociale. Mes majave të karrierës sime janë investimet që në fillim të Google dhe Amazon si dhe të qenit mentor për themeluesin e Facebook Mark Zuckenberg nga viti 2006 deri më 2010.
Çdo valë e teknologjisë së re rriti produktivitetin dhe aksesin te dija. Çdo platformë ishte më e lehtë në përdorim dhe më e rehatshme. Teknologjia fuqizoi globalizimin dhe rritjen ekonomike. Për dekada, ajo e bëri botën një vend më të mirë. Ne supozuam se do të vijonte gjithmonë njësoj.
Pastaj erdhi viti 2016, kur interneti zbuloi dy anë të errëta. Njëra lidhet me përdoruesit individualë. Smartfonët me infrastrukturën celulare LTE krijuan platformën e parë të dorëzimit të përmbajtjeve që ishte e disponueshme në çdo çast, edhe gjatë kohës që ecën në rrugë, duke transformuar industrinë e teknologjisë dhe jetët e dy miliardë përdoruesve. Me pak ose aspak mbikëqyrje në shumicën e botës, kompani të tilla si Facebook, Google, Amazon, Alibaba dhe Tencent përdorën teknika të ngjashme me propagandën dhe me bixhozin, të tilla si njoftimet e vazhdueshme dhe shpërblimet variabël, për të fuqizuar varësinë psikologjike.
Ana tjetër e errët është gjeopolitike. Në Shtetet e Bashkaura, Europën Perëndimore dhe Azi, platformat e internetit, veçanërisht Facebook, i mundësojnë të fuqishmëve të dëmtojnë të pafuqishmit në politikë, politika të jashtme dhe tregti. Zgjedhjet në të gjithë Europën dhe në SHBA kanë demonstruar në mënyrë të përsëritur se rrjetet shoqërore te automatizuara mund të shfrytëzohen për të minuar demokracinë.
Referendumi Brexit dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016 zbuluan gjithashtu se Facebook i jep avantazhe relative domethënëse mesazheve negative përkundrejt mesazheve pozitive. Qeveritë autoritariste mund të përdorin Facebook për të promovuar mbështetjen publike për politika represive, siç mund të jetë duke ndodhur në Miamar, Kamborxhia, Filipine dhe gjetkë. Në disa raste, Facebook aktualisht ofron mbështetje për qeveri të tilla, njësoj siç bën me të gjithë klientët e mëdhenj.
Unë kam besim se themeluesit e Facebook, Google dhe të gjitha platformave të tjera kryesore nuk synonin të bënin dëm kur adaptuan modelet e tyre të biznesit. Ata ishin sipërmarrës të rinj të uritur për sukses. Ata shpenzuan vite për të ndërtuar audienca të stërmëdha dhe duke riorganizuar botën në internet përreth një seti amplifikatorësh që ishin më të personalizuar dhe më komodë dhe më të lehta për t’u përdorur se sa paraardhësit e tyre. Ata nuk bënë asnjë përpjekje për të monetizuar arritjet e tyre deri vonë pasi përdoruesit ishin peshkuar. Modelet e tyre të biznesit të reklamave i jepnin peshë personalizimit, i cili i mundëson reklamuesve të shënjestrojnë mesazhet e tyre me një precizion të paprecedent.
Por pastaj erdhi smartfoni, i cili transformoi të gjithë median dhe efektivisht vendosi Facebook, Google dhe disa të tjerë në kontroll efektiv të flukseve të informacionit drejt përdoruesve. Filtrat që i japin përdoruesve “atë që ata duan” kanë për efekt polarizimin e popullsive dhe gërryerjen e legjitimitetit të institucioneve themelore demokratike (më e dukshme në rastin e medias së lirë). Dhe automatizimi që i bëri platformat e internetit kaq fitimprurëse i la ato vulnerabël ndaj manipulimet nga aktorë malinj gjithkund – dhe jo vetëm qeverive autoritariste armiqësore ndaj demokracisë.
Siç na pati paralajmëruar Andreessen, këto kompani, me ambiciet dhe shtrirjet e tyre globale, po gllabërojnë ekonominë botërore. Në këtë proces ata po adaptojnë versione të filozofisë korporative të Facebook – “lëviz shpejt dhe thyej gjërat” – pa marrë parasysh ndikimin te njerëzit, institucionet dhe demokracinë. Një minorancë e konsiderueshme e shtetasve në botën e zhvilluar banojnë në flluskat e filtrave të krijuar nga këto platforma – realitete false dixhitale në të cilat besimet ekzistuese bëhen më të ashpra dhe më ekstreme.
Në SHBA, afërsisht një e treta e të gjithë popullsisë së rritur është bërë e padepërtueshme nga idetë e reja, përfshirë faktet e demonstrueshme. Njerëz të tillë manipulohen lehtë, një koncept që ish eticisti i Google Tristan Harris e quan “Hakimi i Trurit“.
Demokracitë e Perëndimit janë të papërgatitur për të trajtuar këtë kërcënim. SHBA nuk ka kuadër efikas rregullator për platformat e internetit dhe ka mungesë të vullnetit politik për të krijuar kuadër të tillë. Bashkimi Europian ka si kuadër rregullator ashtu edhe vullnetin e nevojshëm politik, por asnjëra prej tyre nuk është e mjaftueshme për sfidën. Gjykimi i kohëve të fundit i BE-së kundër Google – një gjobë rekord prej 2.7 miliardë dollarësh për sjellje konkurruese – ishte e mirëmenduar, por e pamjaftueshme në përmasa. Google apeloi dhe investitorët e kompanisë nuk reaguan. Mund të jetë një fillim i mbarë, por dukshëm i pamjaftueshëm.
Ne jemi ende në një pikë kritike. Ndërgjegjësimi për rreziqet që përbëjnë platformat e internetit po rritet nga një bazë e vogël, por konvenienca e produkteve dhe varësia psikologjike ndaj tyre janë të tilla që mund të nevojitet një gjeneratë për të sjellë ndryshim nga ana e përdoruesit, njësoj siç ndodhi me fushatat anti-duhan. Kuptimi i efekteve gërryese të platformave monopoliste mbi konkurrencën dhe inovacionin është më i madh në Europë se sa ne SHBA, por askush nuk ka gjetur një strategji rregullatore efikase. Ndërgjegjësimi se platformat mund të manipulohen për të minuar demokracinë po rritet gjithashtu, por qeveritë e Perëndimit ende nuk kanë hartuar mbrojtje kundër saj.
Sfidat që kanë krijuar platformat monopoliste të internetit kërkojnë përqasje të re përtej përpjekjeve antitrust. Ne duhet të pranojmë dhe të trajtojmë këto sfida si kërcënim ndaj shëndetit publik. Një mundësi është ta trajtojmë median sociale në një mënyrë analoge me duhanin dhe alkoolin, duke kombinuar edukimin me rregullimin.
Me takimin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kërcënimi nga platformat monopoliste në internet duhet të jetë një shqetësim kyç për pjesëmarrësit. Për hatër të rivendosjes së balancës në jetët tona dhe shpresës në politikën tonë, është koha për të shkatërruar shkatërruesit.
Project Syndicate-BIRN