Tik Tok në telashe, Holanda e padit në emër të prindërve
Fondacioni për kërkimin e tregut me bazë në Amsterdam të Holandës paditi platformën popullore të mediave sociale me video të shkurtra TikTok për “neglizhencë lidhur me ofrimin e sigurisë dhe privatësisë së fëmijëve”.
Fondacioni i Kërkimit të Informacionit të Tregut (SOMI) përmes një deklarate bëri të ditur se ka paraqitur një kërkesë prej 1,4 miliardë eurosh si dëmshpërblim, e cila u bë në emër të 64 000 prindërve.
Fondacioni pretendon se TikTok nuk merr në mënyrën e duhur lejen për mbledhjen e të dhënave të përdoruesve fëmijë duke shtuar se platforma e mediave sociale po bën shumë pak për të mbrojtur fëmijët.
TikTok tani po përballet me një kërkesë për dëmshpërblim në një gjykatë të Amsterdamit për pretendimin e shkeljes së ligjeve të ndryshme të Bashkimit Europian për mbrojtjen e të dhënave.
Duke folur për mediat lokale në Holandë, një zyrtar nga platforma e mediave sociale, tha se siguria e të dhënave personale është ndër prioritetet e saj.
”TikTok u siguron prindërve qasje në llogaritë e fëmijëve të tyre në mënyrë që ata të mund të kontrollojnë llogaritë e fëmijëve të tyre nën moshën 16-vjeç”, shtoi zyrtari.
TikTok lejon vetëm fëmijët mbi moshën 13-vjeç të bëhen anëtarë të platformës me pëlqimin e prindërve të tyre.