Transformimi i Çernobilit në një impiant diellor masiv është pothuajse i plotë
Në vendin e katastrofës bërthamore të Çernobilit në Ukrainë, puna pothuajse ka përfunduar për një fabrikë të re diellore, e cila ka për qëllim të sigurojë një megavat energjie të rinovueshme për rrjetin elektrik lokal. Uzina e re është vetëm njëqind metra larg objektit të strehimit, i quajtur ndryshe “sarkofag”, një kupolë metalike e mbyllur e projektuar për të parandaluar rrjedhjen e mëtejshme të rrezatimit nga mbetjet e centralit bërthamor të Çernobilit.
Shpërthimi që ndodhi më 26 prill 1986 mbetet një nga dy aksidentet më shkatërruese bërthamore në histori së bashku me Fukushimën, por instalimi i këtyre paneleve diellore ofron shpresë se vendi tani mund të përdoret për të ndihmuar planetin.
“Ky termocentral i energjisë diellore mund të mbulojë nevojat e një fshati me madhësi mesatare”, tha Yevgen Varyagin, shefi i Solar Chernobyl, kompania që drejtoi projektin. Kjo është e barabartë me rreth 2,000 shtëpi dhe një ditë rajoni në tërësi mund të prodhojë 100 herë më shumë.
Toka në këtë zonë mbetet shumë e kontaminuar dhe autoritetet ukrainase kanë thënë se do të duhen më shumë se 24.000 vjet para se njerëzit të mund të kthehen në mënyrë të sigurt për të jetuar atje, por fabrika e re tregon se kjo zonë e madhe mund ta ketë një përdorim të dobishëm. Dhe kjo është pjesërisht e mundur në sajë të Objektit të Strehimit, të instaluar në fund të vitit 2016 për të zëvendësuar mburojën e plakur prej betoni të vendosur fillimisht, objekti i ri ka pakësuar rrezatimin pranë fabrikës në një të dhjetën e nivelit të saj të mëparshëm.
Uzina e re diellore mbulon rreth 16,000 metra katrorë dhe është e pajisur me 3,800 panele fotovoltaike për të kthyer dritën e diellit në energji elektrike.Kjo nuk do të thotë se nuk ka probleme me vendodhjen. Si një masë paraprake, në vend që të futen në tokë panelet diellore janë të fiksuara në pllaka betoni, shpimi dhe gërmimi vazhdon të jetë i ndaluar rreptësisht.
Deri tani ka rreth 25 kilometra katrorë (6,120 hektarë) që janë vënë në dispozicion nga qeveria ukrainase për zhvillimin e energjisë diellore, me 60 propozime që aktualisht po konsiderohen nga autoritetet. Kompania Solar Chernobyl dhe disa partnerë gjithashtu përfunduan kohët e fundit një uzinë diellore prej 4.2 megavatësh në Bjellorusinë e afërt, e cila ende gjendet në zonën e rrezatuar.
Shpërthimi në 1986 ndodhi kur Çernobil ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe u shkaktua nga një dështim i reaktorit. Kjo çoi në çlirimin më të madh të pakontrolluar radioaktiv në atmosferë dhe brenda tre muajve kishte marrë drejtpërdrejt 31 jetë njerëzish. Zona që u kontaminua përfundimisht, mbuloi miliona njerëz. Pas një evakuimi të gjatë dhe procesi të pastrimit, rajoni po bëhet gradualisht i dobishëm përsëri më shumë se 30 vjet më vonë. Le të shpresojmë se Çernobili modern mund të bëhet i njohur për energjinë diellore dhe jo për fatkeqësinë bërthamore.
“Pak nga pak ne duam ta përmirësojmë zonën e Çernobilit”, tha Varyagin për Bloomberg vitin e kaluar. “Nuk duhet të jetë një vrimë e zezë në mes të Ukrainës”.
ScienceAlert