Tregu i smartfonëve në pikiatë pas rritjes së jetëgjatësisë
Festa e viteve me rritje ekonomike me dy shifra ka përfunduar.
Tregu i smartfonëve është ngopur dhe shitjet po bien, duke detyruar industritë që të ndryshojnë strategjitë e tyre duke shpresuar një rritje që në çdo rast do të mbetej e limituar.
Të gjitha studimet të njëjtën gjë tregojnë, ndonëse vazhdojnë të shiten rreth 1,5 miliardë smarfonë në vit, shitjet janë ngadalësuar, madje edhe kanë rënë në vitin 2017.
Sipas “International Data Corporation” (IDC), ato mund edhe të bien këtë vit në 1,462 miliardë njësi.
“Tregu ka arritur pikun”, thotë analisti Bob O’Donnell i kabinetit “TECHnalysis”, që vlerëson se pika e ngopjes u arrit në vitin 2016.
“Në një të ardhme shumë të afërt, maturimi dhe stabiliteti (i tregut) të smartfonëve do t’i bëjë të duken si një teknologji e vjetër”, thotë ai.
“Ky është një fenomen qe e kemi parë të ndodhë me tabletat apo kompjuterat”, shtoi O’Donnell.
Një prej arsyeve kryesore është ngadalësimi i tregut kinez, që përfaqëson gati çerekun e volumit botëror si dhe ritmi i zëvendësimit të smartfonëve që ka rënë.
“Në shumë rajone të botës, pak a shumë të gjithë njerëzit që duan një smartfon e kanë një”, shpjegon Bob O’Donnell duke shtuar se tani njerëzit e mbajnë telefonin e tyre mesatarisht tre vite në vend të dy që ishte më parë.
Megjithatë futja e teknologjisë 5G, interneti ultra i shpejtë, që modelet e para pritet të dalin në gjysmën e dytë të vitit 2019 duke u shtuar në vitin 2020, do të ndikojë në rritjen e shitjeve të smartfonëve të shtrenjtë, të atyre që janë rreth 1 000 dollarë.
Disa prej prodhuesve kanë arritur të kompesojnë rënien e volumit të shitjeve duke rritur çmimin e smartfonëve, një strategji që deri tani ka funksionur me “Apple”, që arriti të rrisë të ardhurat më shpejtë se sa shitjet.
Megjithatë edhe çmimi pritet të stabilizohet rreth +3% sipas IDC-së. Kjo do të nxisë prodhuesit si “Apple” në veçanti, që të përpiqen të jenë më pak të varur nga smartfonët, duke u përqëndruar tek orat inteligjente, byzylykët e ndërlidhur, shërbimet në internet apo pagesat elektronike. /ATSH-AFP/