Veliaj: Po investojmë te digjitalizimi në Tiranë

Në Tiranë po mbahet për herë të parë Konferenca Rajonale e Ballkanit Perëndimor “Qytetet Inteligjente”, si nxitje për shtimin e investimeve në teknologjitë e sigurta inteligjente për qytetet dhe modernizimin e shërbimeve publike. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se sfidat e digjitalizimit po marrin një rëndësi të veçantë kohët e fundit, sidomos pas sulmeve kibernetike nga Irani.

Sfida e digjitalizimit ishte një nga bisedat kryesore në takimet që pata në Uashington. Sulmi kibernetik nga Irani, ishte jo vetëm i lig në kuptimin politik, por sepse ndërpreu disa nga shërbimet tona. Ishte një sulm me pasoja për të cilin duhet të jemi të përgatitur për çfarë kemi përpara nga pikëpamja digjitale. Zgjidhja nuk është të ‘mbyllemi’, por të jemi të përgatitur”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se Shqipëria po investohet në fushën e digjitalizimit, duke përmendur transformimin e Piramidës në Qendrën TUMO, si Qendra më e madhe digjitale në Ballkan, ku fëmijët dhe të rinjtë mund të mësojnë kodim.

Nga ky vit do të fillojmë mësimin e kodimit që në klasën e parë. Piramida, që dikur ka qenë mauzoleumi i diktatorit, do të jetë një vend ku të rinjtë do të mësojnë robotikën, megatronikën, për realitetet virtuale etj. Kjo do të prodhojë një ekosistem, të cilin po e pasurojmë me ‘Ecole 42’ apo ‘Factory Berlin’, shkolla ku mësohet mbi teknologjinë. Po ashtu, javën e kaluar kishim në Tiranë festivalin Digital Nomads, ndërkohë kemi investuar në aplikacione si Tirana Ime, që afrojnë qytetarët me shërbimet publike,” theksoi Veliaj.

SHKARKO APP