Vendimi i Zuckerbergut, çfarë fshihet pas nismës për t’u kthyer sërish te privatësia
Massimo Gaggi – Një kthesë e madhe. Privatësia rikthehet në modë dhe ky është premtimi i Marc Zuckerberg. Dhjetë vjet më parë, ishte pikërisht ai që u përpoq ta luftonte, duke e parë si një pengesë të madhe për biznesin që Facebook nisi të ngrinte: një grumbullim masiv të dhënash personale për t’u përpunuar, paketuar dhe rishitur. Një makineri publicitare inteligjente, e ndërtuar me informacionin e mbledhur nga jetët tona. Për të na bindur që tendenca për të mbrojtur hapësirat private – e drejta për të qenë të rezervuar, ishte diçka që u përkiste kohëve të vjetra, ndërsa “dinosaurët” refuzonin të pranonin të renë dhe avancimin që ajo sillte – Zuckerberg madje hapi disa dritare mbi jetën e tij private.
Por u pendua shpejt, duke kaluar në disa forma të hiperprivatësisë edhe në botën fizike: vendosi të jetonte në një vilë të madhe e të ruajtur mirë, madje për t’u izoluar akoma më shumë, bleu edhe shtëpitë përreth.
Por ndërkohë, beteja për të shpërbërë privatësinë në rrjet dhe për ta kthyer Facebook-un në një vend pa pengesa, vijoi. Pati sukses të madh deri në momentin që nisën të shtoheshin rastet e bullizmit online, më pas skandalet politike, e megjithatë, këto nuk e detyruan Zuckerbergun të kërkonte ndjesë dhe të premtonte ridizajnimin e sistemit.
Dhe ja ku vijmë te njoftimi i freskët i themeluesit të Facebook-ut: në fokus të grupit do të jetë tashmë “salloni i shtëpisë” dhe jo “vendi pa barriera”, pra komunikimi privat mes dy ose më shumë personash, duke integruar në një Faebook, Whatsapp, Instagram dhe Messenger.
Ky vendim i Zuckerbergut është një kthesë epokale që do të jetë pasoja politike dhe shoqërore në të gjithë botën, duke pasur parasysh se grupi ka 2.7 miliardë përdorues dhe, në shumë vende, Facebook është bërë sinonim i internetit.
Po biznesi i madh i të dhënave personale që mblidhen dhe shiten? Do të mbetet në lojë, por krah tij do të rritet një tjetër: Zuckerberg ndryshon kursin për të ndjekur zgjedhjet që bëjnë përdoruesit, por edhe për arsye biznesi. Mjafton të shohësh Kinën, ku Tencent, një variant i Facebook-ut, e ka transformuar WeChat, i ngjashëm me Messenger-in, në një sistem privat dhe të koduar nëpërmjet të cilit njerëzit paguajnë pothuajse gjithçka, madje edhe kafenë, dhe menaxhon shumë shërbime personale thelbësore. Përveç kësaj, Facebook gjithashtu po mendon të lançojë monedhën e tij dixhitale: një Bitcoin për miliarda përdorues.
Corriere della Sera -TemA TV