Xiaomi prezanton “Mi8”, e quajnë kopje të iPhone X – Ja çmimi dhe detajet
Prodhuesi kinez i telefonave Xiaomi ka prezantuar smartphone-in e tij të ri kryesor, modelin Mi 8, i cili ndjek modën e ekranëve pa bordura anash.
Mi 8, i cili ngjan jashtëzakonisht shumë me iPhone X, ka një ekran 6.21 inch AMOLED, me në krye një të prerë ku vendoset kamera e selfieve 20 MP. Dy kamerat e pasme kanë një rezolucion nga 12 MP, ndërsa sa i takon videos, celulari është në gjendje të xhirojë në cilësi Full HD me 240 shkrepje në sekondë. Aparati celular mbështillet nga një panel i pasëm prej xhami dhe ka një kornizë alumini.
Në brendësi ka një procesor Snapdragon 845, 6 GB RAM dhe një bateri me kapacitet 3400 mAH. Sipas kompanisë, ky është edhe celulari i parë që përdor dy frekuenca GPS për të ofruar një saktësi më të madhe gjatë udhëtimit.
Krahas këtij modeli, Xiaomi prezantoi edhe një version Explorer, i cili është Androidi i parë që ofron teknologjinë 3D të njohjes së fytyrës, e njëjta teknologji si iPhone X Face ID. Madje Mi 8 Explorer do të ketë edhe një sensor shenjash gishti në brendësi të ekranit, në vend të anës së pasme të celularit.
Ashtu si Apple, Xiaomi do të ofrojë edhe një model më të vogël dhe më të lirë, Mi 8 SE, i cili përdor një procesor Snapdragon 710 dhe ka një ekran 5.88 inch.
Mi 8 do të shitet për rreth 2700 juanë kinezë, ose rreth 45 mijë lekë. Modeli Explorer nis nga 62 mijë lekë, ndërsa versioni SE do të shitet për 30 mijë lekë. Çmimet mbeten shumë konkurruese nga Xiaomi, i cili pret që me këto modele të rrisë pjesën e tij të tregut në Kinë dhe në tregjet e tjera ndërkombëtare.