“Territor i pastër” në Dibër, procedohen penalisht kryeplaku i fshatit Selishtë dhe specialisti i pyjeve
Aktualitet Kronikë E Diel, 30 Qershor 2024 10:03
Pas një hetimi proaktiv, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i një rasti kultivimi të bimëve narkotike, në fshatin Selishtë.
Procedohen penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryeplaku i fshatit Selishtë dhe specialisti i pyjeve në këtë fshat.
Asgjësohen dhjetëra bimë kanabisi dhe mjete pune që shërbenin për këtë aktivitet kriminal.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i Pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, kanë intensifikuar kontrollet në terren, duke u bazuar në inteligjencën policore dhe në hetime proaktive.
Në këtë kuadër, si rezultat i një hetimi proaktiv i ndjekur prej disa muajsh, u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestua në flagrancë shtetasi M.H., 36 vjeç, banues në fshatin Selishtë.
36-vjeçari, brenda një zone të pyllëzuar, kishte kultivuar dhjetëra bimë kanabisi, të cilat u asgjësuan me anë të djegies, si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, mjete të ndyshme pune që shërbenin në këtë aktivitet kriminal.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit H.L., kryeplaku i fshatit Selishtë dhe H.K., specialisti i pyjeve në këtë fshat.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të bashkëpunëtorëve të tjetë, të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.