Tirana kualifikohet në Gjeorgji dhe do ndeshet me ekipin e njohur serb në turin e dytë të Champions League (VIDEO)
Pasi festuan titullin kampion dhe 100-vjetorin e klubit, skuadra e Tiranës vijon momentin fantastik edhe në Champions League. Bardheblutë siguruan një biletë për në turin e dytë, pasi fituan 2-0 në transfertën ndaj Dinamo Tbilis.
Ishte një pjesë e parë e vështirë për skuadrën e Egbo që vuajti presionin e vendasve, të cilët mbajtën më shumë topin dhe ishin më të rrezikshëm. Gjithsesi do të ishin 25 herë kampionët e Shqipërisë që do të shënonin në fundin e shtesës. Pas një harkimi në zonën e gjeorgjianëve, Torassa përfiton nga rrëmuja në zonë për ta dërguar topin në rrjetë.
Dinamo Tbilis reagoi në fraksionin e dytë duke krijuar shanse të mira në portën e Likës, i cili ishte më fat pasi vendasit shënuan, por një lojtar i tyre ishte në pozicion jashtë loje. Në momentin më të mirë të gjeorgjianëve, Tirana shënoi dhe golin e dytë 5 minuta nga fundi i kohës së rregullt.
Muçi godet në hyrje të zonës, portieri e pret, por Ismailgeci ndjek mjaft mirë aksionin dhe më pas e dërgon në rrjetë. Pas këtij kualifikimi, Tirana shkon në turin e dytë, ku do të ndeshet me Crvena Zvezdën. /R.Lika-Koha Jone/