Trondit vajza e Kristinës: Përparimi jetonte me gruan e parë. Sherri për shtëpinë, unë u rrita në jetimore
Një tjetër rrëfim tronditës vjen nga vrasja makabre e dy motrave, Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani, mbrëmjen e 31 dhjetorit, nga Përparim Ademi. Në një rrëfim për emisionin “Me Zemër të Hapur”, vajza e Kristina Bardhit zbuloi detaje të reja mbi jetesën e dy motrave të ndjera dhe lidhjen e tyre me të njëjtin burrë, Përparimin. Teksa e quan këtë të fundit “baba”, vajza tha se muajt e fundit i kishte prishur raportet me të ëmën, Kristinën, pasi kjo nuk e kishte lejuar të ndahej nga bashkëshorti.
Si shkonin në Greqi dhe me çfarë merreshin?
Nuk e di, kam qenë shumë e vogël. E di që punonte pastruese, babai lyente dhe nëna pastronte shtëpi.
Sa kohë ka jetuar nëna jote në Greqi?
Nuk e di se kam qenë shumë e vogël. Kështu ka qenë jeta e saj, se donte të blinte një banesë, pasi babai e shiti, për shkak të sherreve me nënën. Babai jetonte më gruan e parë, por vinte dhe e kontrollonte nënën time.
Kush e shiti shtëpinë te “21 Dhjetori”?
U shit se babai i tha nënës sime se nuk ka dokumente. I tha të iknin në Greqi, të fitonin një dorë të mirë dhe të blinin një banesë në emër të nënës sime.
Prej sa kohësh nuk kishe komunikim me nënën tënde?
Nuk kisha komunikim, sepse ish-burri im ishte i alkoolizuar. Unë doja që ta lija, por nëna më tha që jo. Unë u martova 19 vjeçe, me dashuri nga ana ime. Nëna më mbështeti, por kur doja të ndahesha, nuk më la, pasi nuk donte të krijohej e njëjta histori si ajo.
Me kë ishte e martuar?
Nëna ime, mesa di unë, ka qenë e martuar me një grek.
A ka fëmijë të tjerë Kristina?
Jo, unë jam vajza e vetme e tyre.
Po për lidhjen e babait tënd me tezen, Zhanetën, ishe në dijeni?
Jo, absolutisht. Jam habitur, jemi tronditur, kur e kemi dëgjuar nga mediat.
Ke dëgjuar ndonjëherë biseda mes babait tënd, nënës dhe tezes për prostitucion. I ke parë ndonjëherë shtatzënë?
Jo, nuk kam dëgjuar asnjë bisedë. Tezen e kam parë shtatzënë vetëm me djalin që ka, s’i kam parë më.
Prej sa kohësh ishin prishur marrëdhëniet e tua me nënën tënde?
Ka 6-7-8 muaj, që kur ndodhi kjo me martesën time. Më parë komunikoja, pyeste për fëmijët. Babai vinte më shikonte, i thoshte nëna ime të vinte, të më sillte ndonjë plaçkë për fëmijët. Ka ardhur dhe tezja.
Si ishin raportet e tua me Përparimin?
Kur kam qenë e vogël, kishim marrëdhënie shumë të mira, kur u rrita filluan të ftohen gjërat edhe me nënën, edhe me babain.