Rama: Bum turistësh, 7.2 milionë kanë hyrë vetëm në Rinas
Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama shkruan se nga janari deri në gusht 2024, Shqipëria ka njohur një bum në sektorin e turizmit, duke shtuar se në vendin tonë vetëm nga aeroporti i Rinasit kanë hyrë 7 milionë e 233711 pasagjerë.
Postimi i plotë i Ramës:
GUSHTI BUM
SHQIPËRIA NUK NDALET në rritjen e numrit të turistëve dhe Rinasi në gusht tejkaloi çdo parashikim optimist, me 1 milionë e 251.467 pasagjerë ose 368.456 (41%) më shumë se sa gushti i shkuar.
Bilanci Janar-Gusht 2024 arrin në që kanë hyrë vetëm në Rinas, ku në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar numri i tyre ishte 4 milionë e 606.805. Ky bilanc flet për 56% rritje në vitin aktual.
Risia e këtij viti janë afro 4 mijë pasagjerë nga Japonia, rreth 4 mijë të tjerë nga Zelanda e Re, pothuajse 20 mijë nga Australia dhe 35 mijë nga Kanadaja.
Ata që komentojnë ç’na duhen turistët, duhet të llogarisin se të gjithë këta miliona njerëz shpenzojnë në Shqipëri para për të fjetur, për të ngrënë, për të udhëtuar, për të blerë dhurata dhe të gjitha këto para nuk u shkojnë disa “oligarkëve”, siç i bien shkurt disa kalorës të vrerosur të luftës me qeverinë, po derdhen në arkën e buxheteve familjare të dhjetëra mijëra dhomave të dhëna me qera, të mijëra strukturave të mikpritjes në të katër anët e Shqipërisë, të mijëra e mijëra njësive të shërbimit e bizneseve të vogla. Patjetër që një pjesë e tyre shkojnë edhe në formë taksash në arkën e buxhetit të shtetit për investime të mëtejshme e për pagat e rritura ndjeshëm, e jo padashje qeveria nuk po ndërhyn ende për të taksuar si kudo në Europë volumin e madh në rritje të dhomave të dhëna me qera, sepse ne duam që fillimisht të gjithë shqiptarët të prekin jo vetëm të mirat e këtij ndryshimi epokal në sektorin e turizmit, po edhe të kuptojnë me fakte se sa shumë mundësi akoma ka në Shqipërinë Turistike si për ata që banojnë këtu, si për ata që ngurrojnë akoma të kthehen, e si për ata që e kanë ndarë mendjen të mos kthehen por kanë një kohë të artë për të investuar në Shqipëri kursimet e tyre.