Sytë që shohin kaltërsisht në zemër të tokës

Albert Vataj

Syri i Sheganit në Shkodër dhe Syri i Tokës në Kroaci, janë dy sytë më të kaltër që mund të keni parë, janë sytë që shohin në thellësi të tokës, të cilat të shikuar nga lart janë një spektakël i befasisë së natyrës, janë loja më mahnitëse e ujit dhe trilli më dehës i shprehisë së këtyre fenomeneve. Këto gufime të tokës, për vetë natyrën e formimit të tyre dhe ujit, janë shndërruar në vende pelegrinazhi dhe përjetimi të së bukurës. Ndoshta këto porta për në qendër të tokës, aty ku mundi të na çonte vetëm Zhyl Vern me romanin e tij fantastikoshkencor, janë mënyrat se si ne priremi të ndërtojmë marrëdhënie dhe komunikim, të kuptojmë më mirë natyrën dhe të zbulojmë përmes aventurës kah e panjohura botë të panjohura, të cilat na përkasin.

Syri i Sheganit në Shkodër

Syri i Sheganit është një vend tërheqës me bukuri të jashtëzakonshme, me ujin e freskët dhe të kristaltë i cili buron nga thellësia e tokës. Natyra përreth këtij burimi natyror të magjepsë duke krijuar një panoramë unike me ajrin e pastër, si edhe me tërësinë e bimëve të kësaj zone.

Syri i Sheganit është një burim i madh karstik, që del vertikalisht në çarjet tektoniko-karstike dhe lidhet me dy burime të tjera të këtij lloji. Përveç Syrit të Sheganit aty pranë janë edhe dy hurdhana (pellg me ujë), të cilat të treja formohen nga uji nëntokësorë.

Uji i Syrit të Sheganit, i cili vjen nga ujërat karstike të Alpeve Perëndimore të Shqipërisë, del nga një oxhak me thellësi rreth 22 – 28 m.

Sipas studiuesve eksplorimet e deritanishme kanë arritur deri në gjatësinë 80 m të rrugës që bëjnë ujërat e këtij burimi, pasi një shpellë e shëmbur pengon eksplorimin, por mendohet që thellësia e tij është më e madhe.

Si pjesë e liqenit të Shkodrës edhe Syri i Sheganit është i pasur me peshq e gjallesa të tjera duke e kthyer edhe këtë zonë në një vend të rëndësishëm të faunës shqiptare. Pozicioni gjeografik, afërisa me shumë atraksione të tjera ia shton veçantinë këtij monumenti natyre, që ndodhet shumë afër më Koplikun, Razmën, apo dhe Reçin këto dy të fundit (pra, Razma dhe Reçi) janë pjesë e Parkut Bashkiak të Shkrelit. Pra një fundjavë në ketë zonë do të ishte një mozaik i bukur natyror, i gërshëtuar me liqen, mal, fushë, kulinari bio tipike e kësaj zone, ajër i pastër për mushkëritë dhe panoramë e bukur për sytë! Mund ta filloni turin tuaj me rreth 6 m mbi nivelin e detit e më pas mbetet në dorën tuaj, sa afër mund t’i afroheni qiellit duket ngjitur malet përreth.

Syri i Tokës në Kroaci

Syri i Tokës, i quajtur zyrtarisht Izvor Cetine, ose Burimi i lumit Cetina, është një burim natyror në bazën e maleve Dinara. Ngjashëm me një gropë, burimi natyror ushqehet nga i njëjti akuifer nëntokësor që ushqen lumin Cetina aty pranë, i cili derdhet në detin Adriatik dhe ka një thellësi 155 m.

Ky burim i mrekullueshëm ka një formë dhe ngjyrë të jashtëzakonshme dhe është një nga burimet e lumit më të gjatë në Dalmaci – Cetina. Ai shkon për rreth 65 milje përpara se të lëshohet në detin Adriatik. Ujërat e tij rrjedhin rrëzë Dinarës, masivit më të lartë malor në Kroaci.

Njihet si “syri i tokës” për shkak të ngjashmërisë së tij të madhe me një sy me nuanca të ndryshme blu dhe bruz. E parë nga lart, është padyshim një nga bukuritë më të veçanta dhe magjepsëse të rajonit. Ky trup i vogël uji është formuar nga një vrimë që depërton në thellësi të panjohura të Tokës, e eksploruar nga zhytësit që arritën në 115 metra. Kjo shkëlqim natyral karstik i lë pa fjalë të gjithë vizitorët.

SHKARKO APP