Viktima më e pafajshme e masakrës në Velipojë! 20-vjeçari jetim me 30 lekë në xhep

Myzerin Zenelin nuk e njihnin në Velipojë. Ata që e punësuan një ditë më parë e thërrisnin, Jetim! Nga Bahçallëku i Shkodrës 20-vjeçari me njohuri fillestari në kuzhinë, u shpërngul në hotelin e vëllezërve Gocaj. Do të punonte e mësonte! Do të shtrihej për të fjetur i fundit; pas pushuesve dhe pas pronarëve. Zgjuar me ëndrrën e të riut; një ditë do të vijë edhe për të; ishte i pari që u buzëqeshi mysafirëve të natës.

Për Myzerinin, të cilit as emrin shkurt nuk ia mësuam, ishte fundi i ditës së parë në punë. Dhe ashtu siç e do çdo lloj zakoni në moshë dhe në vendin tij, duhej t’iu buzëqeshte të gjithëve. Akoma nuk e kishte mësuar se burrat e natës dikur ishin miq me të zotët e lokalit ku u punësua. As i njohu, por nxitoi ty tregonte të ‘vetëve’: Po vijnë njerëz!

Ishin vëllezërit Ferracaku, pas shpinës së tyre, nipi i vogël. Edhe ai si Myzerini pranë ‘të vetëve” për një të ardhme. Ferracakë e Gocaj, burra e pronarë përballë njeri tjetrit po luftonin njeri-tjetrin. Myzerini ishte aty, nuk fliste! S’duhej shumë kohë, armët krisën. Myzerini duket se u largua nga kjo botë i treti në radhë. Trupi i tij u shemb në rërë, pas trupave të tjerë të gjakosur.

Në xhep iu gjetën vetëm 30 lekë! Ishte dita e parë e punës dhe dita e fundit e jetës! Unë po shkruaj për të, kështu nxitimthi, që ai të mos fshihet mes numrit të vdekjes, po nuk i njoh as fytyrën dhe as i di shtëpinë. Tani i mësova vetëm adresën e re. Një ditë do ti trokas në portën e mermertë për ta pyetur: Cila ishte ëndrra?

/Anila Prifti/

SHKARKO APP