Voltana Ademi, letër ambasadorëve: Anëtarët e PS kanë ndërmarrë iniciativë ilegale për të kapur Shoqatën e Bashkive
Do të mblidhet sot rreth orës 12:00 Asambleja e Shoqatës së Bashkive për zgjedhjen e organeve të reja drejtuese, ku pritet shkarkimi i Voltana Ademit si kryetare e SHBSH.
Lidhur me këtë iniciativë, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi u ka dërguar letër përfaqësuesve të trupit diplomatik.
Në letrën e saj, Ademi thekson se kjo është tentativë ilegale e anëtarëve të PS për të kapur Shoqatën e Bashkive.
Ademi ka përsëritur letrën e dërguar më 24 maj por shqetësimet në lidhje me veprimet e pretenduara të anëtarëve të PS për të kapur ilegalisht Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë.
Letra e plotë
Të nderuar Shkëlqesi,
Më datën 24 maj 2021 përmes letrës dërguar në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë (SHBSH), ndamë me ju shqetësimet tona mbi një iniciativë të kohëve të fundit për të kapur ilegalisht Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë (SHBSH), veprime te ndërmarra nga individë, anëtarë të Partisë Socialiste, pa të drejta legjitime dhe jo anëtarë SHBSH.
Dyshimet tona tashmë u vërtetuan nga një email i komunikuar, tekstin e të cilit po e dërgojmë të plotë bashkangjitur.
Në emailin e shpërndarë thuhet se: ”….. me porosi të z. Pjerin Ndreu po ju dërgojmë këtë e-mail në lidhje me mbledhjen e Komitetit Drejtues për të organizuar Asamblenë e jashtëzakonshme të Shoqatës së Bashkive. Qëllimi i kërkesës për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme është për mbrojtjen e interesave të Shoqatës gjatë përfaqësimit të saj në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019…..”
Qartësisht shprehet qëllimi për të zgjedhur të ashtuquajtura “organe te reja drejtuese të shoqatës” para zhvillimit të seancës gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese, e cila zhvillohet më datë 23 qershor 2021.
Shqyrtimi dhe Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019 është një ndër 15 kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE, kushte të dakordësuara në takimin e Ministrave për Europën. Ritheksojmë se Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, shoqëria civile në Shqipëri, qytetarët shqiptarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, të gjithë partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
SHBSH konsideron se demokracia lokale dhe sundimi i ligjit kanë një rëndësi të madhe. SHBSH shpreh vullnetin e saj për të respektuar ligjin dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Duke njohur rolin tuaj të rëndësishëm, kërkojmë vëmendjen tuaj në monitorimin e këtyre zhvillimeve të fundit. Çdo veprim me prapavijë politike dhe arbitrare cënon hapur parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë vendore.