Home Aktualitet Vrasja në Tir...

Vrasja në Tiranë, flet i afërmi i viktimës: Fëmijët të traumatizuar, Kudreti kërkoi mbrojtje

8
0

Kushëriri i Kudret Saliajt, i cili u vra me armë zjarri nga vjehrri i tij, Mehxhit Picari, ka deklaruar se bashkëshortja e të ndjerit, me të cilën ai ishte në proces divorci, është e dënuar jo vetëm për dhunë në familje, por edhe për akuza të tjera me vendim Gjykate.

Ai është shprehur se autori dhe vajza e tij, e cilësuar tashmë nga Policia si bashkëpunëtore në krim, kanë bërë deklarime të rreme. I afërmi i viktimës hedh poshtë pretendimet e Dhurata Saliajt se ishte dhunuar nga viktima, duke kërkuar se në lidhje me këtë gjë duhet të pyetet edhe avokati që mbeti i plagosur mesditën e së premtes.

Ai thekson se tre fëmijët janë të traumatizuar, duke deklaruar se Kudret Saliaj kishte kërkuar mbrojtje prej sulmeve të së shoqes dhe ishte munduar të largohej prej saj.

“Të merret dosja në Prokurori. Ajo është e dënuar për dhunë në familje. Ka akuza të tjera, të cilat nuk janë shqyrtuar nga Prokuroria. Ka vendime të gjykatave.

Tre fëmijët ndodhen në banesën ku jetonte Kudreti. Janë të pavërteta deklaratat e tyre (Mexhitit dhe Dhuratës). Ditën para vrasjes na kanë ardhur në banesë, Kudreti jo vetëm nuk e ka sulmuar dhe dhunuar atë, por ka kërkuar mbrojtje prej saj. Ka kërkuar forma të ndryshme për ta larguar. Vajza 9 vjeç, djemtë 12 dhe 16 vjeç, janë të traumatizuar.

Neve nuk na duhet dalja para mediave, ajo që është bërë është bërë, çfarë zgjidh dalja jonë? Pesha më e madhe jona janë fëmijët tani. Kudretin e përcollëm të shkretin. Ata le të dalin në media, s’di ç’të them për ta, ne i kërkojmë drejtësisë të japë drejtësi. Pretendimi i saj se është dhunuar nga Kudreti apo shenjat që ka treguar, s’është e vërtetë. E dimë ne dhe e di edhe ajo e Prokuroria kush ia ka bërë shenjat asaj. Janë histori të vjetra. Pyeteni avokatin që u plagos, ai e njeh dosjen”, tha kushëriri i Kudretit për “ABC News”.

Krimi që tronditi Tiranën ndodhi mesditën e së premtes pranë Gjykatës pak para nisjes së seancës gjyqësore për procesin e divorcit mes viktimës dhe vajzës së autorit. Prezent në lokalin ku ndodhi ngjarja ishte edhe djali i madh i çiftit, i cili do dëshmonte në seancë në prani të një punonjëse sociale.

Sipas Prokurorisë, Mexhit Picari dhe e bija, Dhurata Saliaj, kanë vëzhguar për rreth 20 minuta para vrasjes të gjitha lëvizjet e Saliajt dhe kanë bashkëpunuar së bashku. Po ashtu, babë e bijë kanë bërë deklarata kontradiktore para hetuesve.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit