Gjergj Luca dhe Ilir Demaliaj nga Përmeti i nikoqirëve, japin një mesazh qytetarie për Shqipërinë e bukur

Në një kohë kur diskursi publik në Shqipëri ushqehet shpesh nga retorika e zymtë, nga britma e analizave të stisura dhe nga një nihilizëm televiziv që e redukton vendin në klishe urbane, sipërmarrësi Gjergj Luca zgjedh një gjest të thjeshtë, por thellësisht domethënës: mikpritjen. Jo si dekor, por si akt qytetar; jo si spektakël, por si bindje. Përmeti, qyteti i vogël i traditave dhe i përpjekjeve të mëdha për të ruajtur vlerat, bëhet skena ku ndërtohet një kundër-narrativë e arsyeshme dhe njerëzore.

“Shqipëria nuk është as Blloku, as Rogneri, as gocat me silikon të ekraneve dhe as qendra e Tiranës…”, shkruan Luca, duke vendosur kufijtë e një debati që shpesh ngatërrohet mes pamjes dhe thelbit. Ky nuk është një mohim i problemeve, por një refuzim i reduktimit: Shqipëria nuk është vetëm ajo që shitet si imazh, as ajo që shfaqet si skandal. Ajo është, mbi të gjitha, puna e heshtur, përpjekja e përditshme, trashëgimia që ruhet dhe mikpritja që vazhdon.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në këtë kontekst, ftesa ndaj Ilir Demaliajt nuk ka karakter polemik; ajo është një ftesë për të parë, për të dëgjuar dhe për të ndjerë. Demaliaj, i njohur për tonet e ashpra analitike, përfaqëson zërin kritik që shpesh kalon nga denoncimi në sharje. “Mos e ngatërro të vërtetën me të sharat,” sqaron ai. Pikërisht këtu shfaqet nyja e debatit, e vërteta kërkon përgjegjësi morale dhe gjuhë të matur; sharja e shteron argumentin dhe e varfëron dialogun.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjergj Luca e shndërron këtë përplasje në thirrje qytetare, secili të marrë përsipër të qetësojë “nga një analist”. Jo për ta heshtur kritikën, por për ta kthyer atë në mendim konstruktiv. Përmeti, me përmasën e tij njerëzore, me respektin për punën dhe për trashëgiminë, ofron provën konkrete se ekziston një Shqipëri tjetër, një Shqipëri që nuk bërtet, por ndërton; që nuk nxin, por ndriçon me shembull.
Mesazhi i videos nuk është apologji naive. Është një ftesë për riekuilibrim të vështrimit publik: të mos e shohim vendin vetëm nga dritaret e studiove televizive dhe portaleve, por nga rrugët ku punohet, nga shtëpitë ku ruhet mikpritja, nga komunitetet që mbajnë gjallë vlerat. Shqipëria e bukur nuk është një slogan; është një realitet që kërkon vullnet për ta parë dhe guxim për ta thënë me drejtësi.

Në fund, ky akt i thjeshtë, të marrësh një mik, edhe kritik, dhe ta çosh në zemrën e një qyteti të vogël, është një mësim i qartë, paqja fillon nga dëgjimi, e vërteta nga përvoja, dhe imazhi i një vendi nga përgjegjësia e atyre që flasin për të.

Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?