Gjergj Luca në kremten e Pashkëve Ortodokse njofton rindërtimin e xhamisë së fshatit Labinot

Nga Albert Vataj
Në një ditë që kumton ringjallje dhe dritë, në kremten e Pashkëve Ortodokse, sipërmarrësi Gjergj Luca zgjodhi të japë një dëshmi që shkon përtej simbolikës fetare, duke u shndërruar në një akt konkret të bashkëjetesës shqiptare, njoftimin për rindërtimin e xhamisë së fshatit Labinot, në Elbasan.

“Sot, në këtë vakt të Pashkëve Ortodokse, në këtë vend njëqind për qind mysliman, jemi në Labinot të Elbasanit, një vend që më rikthen te gjyshja ime, Makbulja”, shprehet Luca në një video-mesazh që mbart jo vetëm një apel për harmoni ndërfetare, por edhe një rrëfim të brendshëm, të ngrohtë e njerëzor. Kujtesa e tij shkon pas në kohë, tek zëri i ezanit që përhapej në Rrugën e Kavajës në Tiranë, një tingull që nuk ishte thjesht thirrje për falje, por një jehonë identiteti dhe përkatësie.

“Jam i vetmi katolik Gjergj nga babai dhe Hajrullah nga nëna,”, pohon ai, duke sintetizuar në vetvete një Shqipëri të tërë, ku besimi nuk përçon ndarje, por ndërthurje. Në këtë pohim të thjeshtë, por thelbësor, përvijohet një nga tiparet më të rralla e më të vyera të shqiptarëve, toleranca fetare, jo si slogan, por si realitet i jetuar, si një pasuri e trashëguar. Ai shpreh mirënjohje për banorët e Labinotit, të cilët, siç thekson, e kanë pritur si një vëlla të tyrin, një pranim që kapërcen çdo dallim.

Duke ndalur tek historia e objektit të kultit, Luca sjell në kujtesë fatin e trazuar të kësaj xhamie, njëherë vend faljeje, më pas e shndërruar në vatër kulture gjatë regjimit diktatorial, një epokë që mbylli dyert e besimit dhe heshti zërat e lutjes. Rindërtuar në vitet ’90 falë një fondacioni nga Kuvajti, ajo mbart sot plagët e kohës dhe nevojën për një ndërhyrje të re, më të plotë, më të qëndrueshme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në këtë kontekst, ai e konsideron një privilegj dhe një detyrim moral angazhimin e Fondacionit “Mimika Luca” për ta rikonstruktuar tërësisht këtë xhami, një ndërhyrje që nuk synon vetëm riparimin e mureve, por rikthimin e dinjitetit të një hapësire shpirtërore. Megjithëse merr përsipër barrën kryesore të investimit, Luca e shtrin dorën e bashkëpunimit, duke ftuar këdo që ka mundësi të bëhet pjesë e kësaj nisme.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai e sheh këtë xhami jo thjesht si një ndërtesë, por si një shtëpi të Zotit, një tempull ku lidhen e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e komunitetit, një pikë referimi që ka ushqyer jo vetëm besimin, por edhe ndjesinë e përkatësisë dhe të çështjes kombëtare.
Në këtë ditë të shenjtë, Luca nuk harron të falënderojë autoritetet fetare dhe vendore që iu bashkuan kësaj nisme, duke e kthyer atë në një akt kolektiv vullneti dhe besimi.

“Ndaj është e bukur Shqipëria… dhe ja, konkretisht në javën e Pashkës Ortodokse, nisëm të rindërtojmë një xhami myslimane…”, shkruan ai, duke lënë pas një mesazh që tingëllon si një himn i heshtur për atë që ky vend ka më të çmuar: aftësinë për të qenë bashkë, përtej çdo dallimi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?