Ilir Meta në majën me të lartë, Jezercës, në 2696 metra. Foto dhe video

Pasioni i Ilir Metës, me sa duket, është aventura e ngjitjes sa më lart në male. Një sport i vështirë që kërkon forcë, stërvitje, këmbëngulje, por edhe rrezik brenda.

Presidenti Meta pasi ka arritur në majën më të lartë, por edhe më të vështirë e të rrezikshme të Alpeve, ka falenderuar në veçanti liderin e grupit, që nuk ka munguar ta quajë dhe komandant legjendar, Fatos Katallozi, që është dhe President i “Outdoor Kosovo” dhe një nder alpinistët më të njohur të Ballkanit.

Ju përshëndes nga E Bukura e Qiellit nga Maja e Jezercës 2696 m mbi nivelin e detit. Pas një ngjitje malore prej 17 km nga lugina e Valbonës arritëm te kryemaja e Alpeve tona, maja e Jezercës atje ku ke çdo majë në pëllëmbë të dorës e sidomos 3 luginat me përrallore të Valbonës, Gucisë e Thethit. Nuk ka regjisor, kameraman e fotograf që mund ta pasqyrojë të plotë e reale këtë mrekulli. Sepse maja e Jezercës është E Bukura e Qiellit!“,- shkruan Presidenti Meta në Facebook.

Në foto: Ilir Meta në majën e Jezercës, datë 30 gusht 2018

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/524831624629618/

Ilir Meta nuk ndalon. Pothuaj gjithë gushtin vrapoi nëpër alpet e Veriut të Shqipërisë, me pas në Plavë-Guci (Mal të Zi) dhe ndaloi në bjeshkët e Kosovës. Pak ditë me parë nga maja e malit të shenjtë të Tomorrit nisi foto.

Ai ka postuar një video nga maja e malit të Jezercës, 2696 metra mbi nivelin e detit dhe ku shkruante “Mirëmëngjes nga shkëmbi i Dardanit pranë kryemajës së Jezercës!”

E gjitha kjo shëtitje verore, natyrisht, ka një promovim për turizmin e mrekullueshëm shqiptar. Nuk besoj se është thjesht kënaqësi private e presidentit, por në thelb reklamim i natyrës sonë të bukur.

Historiku i kësaj aventure verore i Ilir Metës nëpër malet e alpet e zonave të banuara me shqiptarë:

E nisi aventurën verore pas një dreke me presidenten e kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović nga ferma e madhe dhe e mahnitshme e Rexhep Ukës në Tiranë.

Pastaj u lut para Manastirit te Shën Marenës, në Liqenin e Prespës

Nxitoi për të provuar leqet e këmbëve para atyre të Leqeve të Hotit, me pas në Selcë-Cem, në Lëpushë e Vermosh, mes mrekullive të alpeve shqiptare, aty ku turistët i gëzohen rrugës së re dhe turizmit malor

Ndaloi në Plavë-Guci,(Mal të Zi) nga livadhi mbi liqenin përrallor të Plavës, aty ku malet puthin qiellin dhe ku Zoti ka krijuar mrekullinë.

Vizioi kullën legjendë mbi 200-vjeçare të Çelajve në Vuthaj, që bart histori të lavdishme dhe ruan traditat më të çmuara kombëtare e njerëzore të kësaj treve

Ndaloi në tubimin tradicional mbarëkombëtar, “Mirë se vini në Alpet Shqiptare 2018”, në Vuthaj të Plavës e Gucisë, në këtë parajsë të vërtetë njerëzore dhe natyrore, ku provoi veten në telat e çiftelisë.

Uroi për të ruajtjen e traditave shqiptare të Plavës e Gucisë, Bruno Selimaj dhe vëllanë e tij, Aleksin. Me pas vizitoi bukuritë natyrore të pakrahasueshme të kësaj treve, Krojet e Ali Pashë Gucisë, Ujvara Gërla dhe Syri i Kaltër.

Shkoi me vrap te Bjeshkët përrallore të Rugovës, mes pishave të larta e livadheve mahnitëse, aty ku ajri i pastër dhe uji i kristaltë i burimeve malore të mbushin me energji.

Së bashku me kampionin e peshëngritjes, Erkand Qerimaj mori udhën me ecje për rreth 2 orë në Bjeshkët e Rugovës, rrugën mahnitëse nga Boga në Shkrel e kthim në Bogë.

Mori pjesë në Lojërat tradicionale të Rugovës, në Stankaj, që janë një pasuri e vyer e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë etnokulturore shqiptare. Ku dhe takoi plakun e moçëm e patriot

Pushoi në Bjeshkët e Rugovës ku vitet e fundit janë bërë edhe më atraktive falë vizionit dhe investimit të bërë me shumë sakrifica e dashuri nga Skënder Thaçi dhe familja e tij.
“Magra Austria” është një hotel i mrekullueshëm alpin por më e mrekullueshme është mikpritja e Skënderit, Artilit dhe gjithë stafit. Bëri foton me simbolin e shqiponjës.

Nuk iu ndejt pa kapur dhe majën e malit nga bjeshkët e papara të Prevallës!

Edhe një foto duhej në Maqitevë të Suharekës.

Ia vlente gjatë turit turistik alpinor verior të ndalohej edhe në fermat ku kultivohen mjedrat më të mira në botë, në komunën e Shterpcës (Brezovicë, Kosovë)

Nuk kishte se si te mos postonte edhe foto me bashkëshorten Monikën dhe vajzën e vogël me një shënim prej tij:“U nisëm për në Prevallë, por u kthyem nga një Përrallë. 12 ditë, njëra më e bukur se tjetra, në lartësi 1600 metra atje ku kryqëzohen rrymat ajrore, detare e malore në zemër të Bjeshkëve të Sharrit”

Dhe si këdo vendlindja e thërret, nga ku shikonte malin e Tomorrit. E gjeti sebepin dhe u ngjit edhe atje.

SHKARKO APP