Komentet raciste për origjinën, Ermal Meta: Po të dinit historinë e Shqipërisë edhe ju do ishit krenarë si unë

Ermal Meta ka publikuar një video të gjatë lidhur me komentet që ka marrë për pjesëmarrjen e tij në “Sanremo”. Këngëtari me origjinë shqiptare falënderoi të gjithë ata që e vlerësuan për këngën e tij.

Por, Ermali u ndal dhe tek disa komente – shumica prej të cilëve nga djem 20 vjeçarë – që i shkruanin komente të tilla si “Kthehu në vendin tënd” ; “Këndo andej nga ke ardhur”; “Ti nuk i përket Italisë”.

Ermali në këtë reagim nuk ka shprehur asnjë lëndim nga komentet thotë se: “Mua këto komente nuk më prekin fare. Por unë dua të ndaloj tek to se nuk më duket aspak e drejtë që persona që janë shumë më të rinj se unë të më drejtohen në atë mënyrë, kur unë jam në realitet më shumë italian se ata, sepse jetoj në këtë vend prej më shumë vitesh, pavarësisht se kam ardhur nga një tjetër shtet. Është e çuditshme që këtë diskutim po e bëj në 2021-in dhe nuk po e prek këtë temë sepse më pëlqejnë polemikat, në fakt as nuk më plas për to. Ajo që dua të dini është fakti që të thuhen këto gjëra dhe t’i lësh të ikin i bën të duken normale. Të flasësh ashpër e t’i përmendësh origjinën dikujt nuk është aspak normale. Ne jetojmë të gjithë nën një qiell, të gjithë kemi një ndërgjegje të përbashkët kolektive. Kjo është urrejtje që unë nuk e pranoj dot sepse është idiotësi”.

Dhe në mbylljen e videos, Ermali prek me atë që thotë, teksa bën shqiptarët të ndihen krenarë: “Në fund dua të falënderoj të gjithë ata që më mbështesin dhe më ndjekin sepse më duan. Ndërsa për ju të tjerët kam vetëm diçka për t’iu thënë: Nëse do dinit vetëm pak fare nga historia e vendit nga unë vij, do ndiheshit krenar, njësoj si unë. Jam krenar për rrënjët dhe gjakun tim, e nëse ju do i njihnit ata do ndiheshit krenarë që i keni fqinj. Ju ftoj të lexoni historinë e tyre dhe do mbeteni të mahnitur.”

SHKARKO APP