Komunikimi i Gjergj Lucës përmes muraleve, mesazheve të kohës dhe këshilla e tij për Albin Kurtin
Gjergj Luca është rikthyer në komunikimin e tij me ndjekësit në rrjetet sociale vetëm pak orë pas hapave të parë që ndërmori Parlamenti i ri, i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, si edhe pas formimit të qeverisë “Rama 4”. Në mënyrë domethënëse, ai e ka lidhur këtë komunikim pikërisht me zhvillimet e reja politike dhe me pritshmëritë që ato mbartin për të ardhmen e vendit.
Në stilin e tij tashmë të njohur, Luca e ka shoqëruar këtë dalje publike duke iu referuar muraleve që mbulojnë fasadat e fabrikave të përpunimit të peshkut në “Fish City”. Në ato mure janë shpalosur portrete dhe thënie të personaliteteve shqiptare e botërore, duke i kthyer ato sipërfaqe të ftohta në faqe të hapura të një libri kujtese, dijeje dhe frymëzimi.
Në këtë galeri murale, Luca ka zgjedhur të nisë me figurën e Ten Hsiao Pinit, “reformatorit pragmatist që ndryshoi mendësinë e një populli të tërë për ta çuar drejt ekonomisë së tregut dhe qytetërimit”. Më tej, ai ndalet te Kryeministri Edi Rama, të cilin e përkufizon si “nacionalistin idealist që do ta çojë kombin shqiptar atje ku e meriton, në Evropë”. Kjo dalje përkon me lajmin e mirë që Rama bëri prezent, sipas të cilit, “Të martën, datë 16 shtator, Presidenca Daneze e BE-së na fton që në praninë e Ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare, të hapim edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim, të cilët u shtohen 24 kapitujve që kemi hapur në vetëm 11 muaj – një rekord absolut për shpejtësinë e një procesi negociatash.”
Duke vijuar me këtë linjë komunikimi, Gjergj Luca ka ndalur edhe te figura e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke i shprehur publikisht ndjesë që ende nuk e ka përfshirë në murale. “Ju e meritoni të jeni krah për krah me gjigandët e kombit tonë dhe të njerëzimit. Shumë shpejt do t’ju vendos me një diçiturë”, është shprehur Luca, duke i sugjeruar njëkohësisht Kurtit leximin e shkrimit të Ben Blushit “E pse qenka i ndershëm Albin Kurti?”.
Për ta ilustruar këtë sugjerim, ai ka rikujtuar edhe një thënie të Faik Konicës: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia dhe u shkatërrua nga politikanët”. Duke e vendosur këtë citim në kontekstin e shkrimit të Blushit dhe të situatës aktuale politike në Kosovë, Luca nënvizoi se fjala e Konicës mbetet ende dhimbshëm aktuale.
Me këtë ndërhyrje, Gjergj Luca jo vetëm që ka risjellë në qendër të vëmendjes figurat simbol të kombit dhe botës, por edhe ka bërë një thirrje reflektimi mbi përgjegjësinë politike dhe mbi rolin e liderëve në historinë e sotme shqiptare dhe aspiratave të bashkimit kombëtar nën bekimin e përtejAtlantikut.
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

