“LSI, çfarë do të ndodhë pas 27 janarit?

Nga Dritan Hila

(Editorial i emisionit “Arena ” në Ora News)

Monika Kryemadhi hyn tek ajo kategori që quhen politikanë profesionistë.  Rrugëtimin e saj në profesionin e përfolur nga shqiptarët do ta fillonte kur ende ishte adoleshente. Vetëm 17 vjeç,  në takimin themelues te FRESSH do të sillte klasën e saj të gjimnazit. Janë vitet kur ish komunistët e partisë së punës sapo kishin ndërruar emrin dhe trendi i rinisë ishte partia demokratike. Vetëm një dorë nostalgjikësh, të marrësh, naivësh apo idealistësh mund ti afroheshin partisë e cila ende vishte terital. Me siguri Kryemadhi futej tek naivët. Por jo për shumë kohë.

Në radhët e organizatës së të rinjve socialistë do të njihet me Ilir Metën. Bashkëshorti i saj i ardhshëm ishte yll në ngjitje i të majtëve dhe në një moshë fare të re bëhet nënkryetar i partisë socialiste. Bashkë me Pandeli Majkon, Ndre Legisin, Ilir Zelën, e shumë të tjerë që tashmë janë burra, FRESSH ishin bërthama luftarake që i jepte zemër një parti të frustruar nga trashëgimia e kohës dhe sulmet e Berishës.

Pas vitit  ’97, ardhja e socialistëve në pushtet solli një zbehje të rolit të të rinjve. Garda e vjetër ndihej e sigurt. Por jo për shumë kohë. Viti ’98 sjell vrasjen e Azem Hajdarit, njeriut simbol të protestave studentore. Pason 14 shtatori dhe dorëheqja e Fatos Nanos.

Të parë nga perëndimi si konfliktualë dhe të papranueshëm për të djathtën që sapo ishte dërmuar në zgjedhje, Nano vendos t’ja kalojë stafetën e qeverisjes Pandeli Majos. Ilir Meta ishte zëvendësi i tij. Por jo për shumë kohë. Majko ishte tepër naiv për të mbijetuar në arenën shqiptare. Në një përplasje spektakolare mes Nanos dhe Majkos për kreun e partisë fiton i pari. Zërat thonë se nuk mungonte edhe dora hyjnore e Monikës. Pas kësaj, Ilir Meta bëhet kryeministër i vendit. Është ndër njerëzit energjikë të politikës. Më dorë të hekurt fut nën kontroll gjithë territorin e vendit i cili në hapësira të caktuara të tij ishte ende nën kontrollin e bandave apo grupeve me afilacion politik. Qetëson situatën në Tiranë duke futur për disa orë në qeli liderin e demokratëve, Berishën. Ndërkohë fillon një projekt të madh të ndërtimit të rrugëve interurbane dhe njëkohësisht është sponsori më i madh i Edi Ramës. Ishte Meta që mbrojti ish ministrin e kulturës në reformën që ky bëri për teatrin kombëtar duke rrezikuar rrëzimin e qeverisë. Ishte po Ilir Meta që e mbështeti në zgjedhjen si bashkiak i Tiranës dhe projektet e tij të transformimit urban. Gjatë gjithë kësaj kohe, Monika Kryemadhi mbante të shtrënguara radhët e forcës politike FRESSH. Sepse pa mbështetjen e politikës, në Shqipëri je shumë vulnerabël.

Por ky pozicion bënte që të përflitej se pas shumë veprimeve të Ilir Metës ishte mendja dhe dora e Monikës. Kjo u bë shqetësuese për Ilir Metën dhe e detyron në një internim të artë, duke i ndaluar shfaqjen në publik. As në orët më të këqija të Metës, Kryemadhi nuk u lejua ti dilte në krah hapur. Por dora e saj ndihej në stilin e mitingjeve, dhe organizimin e partisë që mbështetej tek të rinjtë.

Duhet të vinte viti 2017 dhe zgjedhja e Ilir Metës si president që do ta vinte themeluesin e LSI në dilemën se kush duhej të ishte pasardhësi i tij. Preferenca e Metës ra mbi Petrit Vasilin, një besnik i tij dhe bashkëthemelues i partisë. Rishtas Monika nuk u lejua të dilte në rreshtin e parë. Dhe momenti ishte shumë i keq. Dy të mëdhenjtë e bënë LSI targetin e artilerisë së tyre. Nuk kishte miting ku mos të sulmohej partia e tretë për nga numri. Vasili, një portret teknicien më shumë sesa gladiator që kërkon skena shqiptare nuk ia doli të përballojë presionin. Dhe kjo jo vetëm për fajin e tij. Formimi i një lidershipi kërkon kohën e vet dhe fushatat elektorale nuk janë kohë e mirë për këtë proces. Ilir Meta detyrohet të zbresë rishtas në fushëbetejë dhe ia del të ruajë numrin e deputetëve që kishte në legjislaturën e shkuar madje ta rrisë me dy.

Por periudha e opozitës që e priste përpara kërkonte një figurë agresive. Për më tepër që shqiptarët duan liderin e fortë. Dhe kështu pas 27 vjetësh Monika Kryemadhi fiton atë për të cilën kishte investuar gjithë jetën.

Çfarë erdhi më pas është histori e njohur. Aleanca me demokratët, lufta e hapur me Ramën edhe me metoda spektakolare, prania e vazhdueshme mediatike bëjnë që çdo ditë të forcohet profili i saj. Dhe kjo është një lojë e preferuar për Monikën e cila e di se më shumë vlejnë njëqind dele të udhëhequr nga një luan sesa njëqind luanë të udhëhequra nga një dele. Ndaj nëse ka diçka për të cilën duhet të presim se nuk kemi parë gjë akoma, kjo është Monika Kryemadhi. Dritare.net

VIDEO E EMISIONIT ARENA 

Arena - "LSI, çfarë do të ndodhë pas 27 janarit?"

SHKARKO APP