Presidentja kroate në rolin e “gazetares”, kërkon të mësojë nga Veliaj si e ndryshoi Tiranën

Kryebashkiaku Veliaj priti sot në zyrën e tij Presidenten kroate, Kolinda Grabar-Kitarović, me të cilën më pas mbolli edhe një pemë në “Parkun e Europës”.

 Por, pikërisht në çastin kur të dy zbritën për të rrëmbyer lopatat, Presidentja Kitarović dha një intervistë për televizionin kroat HRT, që ndoqi live vizitën e saj 3 ditore në Shqipëri, e mandej, me thjeshtësinë e saj që spikati në Botërorin e Rusisë, mori rolin e “gazetares” dhe i kërkoi Veliajt të thoshte dy fjalë, për të mësuar diçka më shumë për nismat e ndërmarra prej tij në këto 3 vjet, të cilat i kanë ndryshuar fytyrën Tiranës.

 Sigurisht, kryebashkiaku Veliaj iu përgjigj me kënaqësi interesimit të Presidentes dhe televizionit HRT, me të cilët ndau disa nga zhvillimet kryesore të kryeqytetit, si shtimi i korsive të biçikletave, transformimi i sheshit “Skënderbej” apo fushata për mbjelljen e pemëve.

 Më poshtë pjesë nga intervista:

 Presidentja e Kroacisë: …ndoshta ju mund të na thoni disa fjalë më shumë sa i përket nismave tuaja dhe si ju e keni transformuar qytetin…

 Erion Veliaj: …vendosëm të hiqnim makinat nga qendra e qytetit dhe në kthim (në qendër) erdhën më shumë njerëz. Sapo e larguam FAN ZONËN në shesh sepse kampionati botëror mbaroi, por së shpejti do të kemi një tjetër koncert, pastaj një shesh lojërash. Mendoj se është vërtet shumë emocionuese kur sheh në kthim merr atë për të cilën ke investuar. Pra, nëse ndërton më shumë korsi biçikletash, atëherë ke më shumë çiklistë. Tani kemi linjën më të madhe, një prej të parave programe “bike sharing” pa stacion në Ballkan, ku njerëzit thjesht përdorin telefonat e tyre për të gjetur biçikletën portokalli, që ndodhet më pranë tyre, e kështu lëvizin nëpër qytet. Pastaj, i zbresin biçikletës dhe dikush tjetër mund ta përdorë atë.

Diçka e mirë që ne bëmë është edhe mbjellja e pemëve. Zbuluam se s’kishim burime të mjaftueshme, por thamë: Po sikur çdo fëmijë në Tiranë të mbjellë një pemë për ditëlindjen e tyre? E kështu patëm një dyndje prej 126 mijë pemësh në Tiranë. Tashmë, është shumë “jo cool” të mos kesh mbjellë një pemë në Tiranë. Kështu, meqë ne jemi “cool”, tani do të mbjellim një pemë.

intervista per televizionin kroat

SHKARKO APP