(VIDEO) Fjalimi i Presidentit Meta: Këtë flamur e ngrita në respekt të të gjithë miqve tanë të mëdhenj në Amerikë
Presidenti Ilir Meta mbajti dje një nga fjalimet më të rëndësishme të jetës së tij politike duke denoncuar puçin e Rilindjes dhe shkeljet e renda ligjore.
Gjatë një pjesë të fjalimit, Presidentit Ilir Meta mori në dorë flamurin amerikan dhe deklaroi se “Këtë flamur e ngrita në respekt të të gjithë miqve tanë të mëdhenj në Amerikë, për kongresmenin Engell dhe për të gjithë miqtë e jashtëzakonshëm që e kanë ndihmuar çështjen shqiptare dhe që do të jenë gjithmonë gati për të mbrojtur interesat tona”.
Pjesë nga fjalimi i Presidentit Ilir Meta dje në manifestim:
Në Shqipëri ka shumë politikanë prindërit e të cilëve kishin të parët Jugosllavinë pastaj kishin Bashkimin Sovjetik, pastaj kishin Kinën, sot thonë që kanë Amerikën, por duan ta kthejnë përsëri në Korenë e Veriut. Po na ndjekin të gjithë shqiptarët e Amerikës me Vatrën dhe të gjithë njerëzit tanë.
Janë pasardhësit e atyre që kur në fund të viteve ‘80 populli trim i Rumanisë ekzekutoi diktatorin e tij dhe shushunjën e tij ata mbanin miting në Kukës për fjalën e lirë.
Unë nuk e kam Amerikën të parën, unë të parën kam dhe do të kem përgjithmonë Shqipërinë. Por Amerikën e kam të dytën dhe jam gati për hir të asaj që ka bërë Amerika për ne, për shqiptarët kudo të bëjë çdo gjë për Amerikën që nuk dëmton Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtë flamur e mora pa regji, pasi kanë ardhur me dhjetëra dhe me qindra shqiptarë nga Amerika. Kanë lënë punët e tyre.
Këtë flamur e ngrita në respekt të të gjithë miqve tanë të mëdhenj në Amerikë, për kongresmenin Engell dhe për të gjithë miqtë e jashtëzakonshëm që e kanë ndihmuar çështjen shqiptare dhe që do të jenë gjithmonë gati për të mbrojtur interesat tona.
Tani, kalojmë te betimi dhe për betimin duhet flamuri i Shqipërisë, flamuri kuqezi. A kemi parlament ne apo nuk kemi? Përpara se të bëj betimin tim si President i Republikës, si Kryetar i Shtetit, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura do ta puth këtë flamur!
Nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze ndërkombëtare, që ka vite që luan me sovranitetin e popullit tonë nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë ju jap fjalën në emër të këtij flamuri, për të cilin janë vrarë mijëra e mijëra dëshmorë dhe heronj, se pas datës 15 mars kur të përfundojë edhe reforma zgjedhore, që është një kusht, nëse ata nuk do ta marrin seriozisht populli kuqezi që votoi sot për vdekjen e grushtit të shtetit, unë Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu, por do ta firmos në mes të Parlamentit, atje në mes të krimit!
Dhe do t’i bëj thirrje të gjithë popullit shqiptar, unë i pari dhe gjithë populli kuqezi, jemi populli që vuajti me shumë se kushdo komunizmin, jemi populli dhe vendi ku u varën klerikët, ku u varën hoxhallarët, jemi një popull që jetën e japim, demokracinë jo! Liri demokraci!