(VIDEO) Xhaferllari apo Vorpsi, kush është anëtare e Kushtetueses? Flet Ilir Meta
Gjykata Kushtetuese, institucioni më i lartë ligjor i vendit, është kthyer në sheshin e betejës së radhës mes presidentit Ilir Meta dhe shumicës së majtë, duke vënë në pikëpyetje serioze procesin e formësimit të saj.
Një ditë më parë, Kreu i Shtetit emëroi si anëtare Marsida Xhaferllarin në tejkalim të afatit 30 ditor që i jep atij Ligji për Gjykatën Kushtetuese. Këtë të enjte, zonja Xhaferllari së bashku me dy kolege të tjera, u beta para Presidentit.
Por këtë të enjte Arta Vorpsi, kandidatja e cila ishte e para në listën për vakancën e shpallur nga Kreu i Shtetit, e që sipas vendimit të botuar në Fletoren zyrtare, është shpallur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për të njëjtën vakancë, zgjodhi një rrugë të re për të anashkaluar Presidentin Meta. Vorpsi nga ana e saj, hartoi një dokument, i cili përfshinte dhe formulën e betimit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, dhe me vulën e noteres Miranda Xhemalçe, ja dërgoi me postë presidentit, duke vënë në dijeni dhe vetë Gjykatën.
Por kush është anëtare e Gjykatës Kushtetuese, sipas presidenti Meta? “Është ajo që ka dekretin e presidentit (pra zonja Marsida Xhaferllari)”, tha Presidenti Meta.
E pyetur nga drejtuesi i emisionit se emri i Arta Vorpsi është botuar në Fletoren zyrtare, kreu i shtetit tha: Kur po i kërcet për fletoren e Dvoranit. Ka mbaruar kjo histori… Jemi shtet i së drejtës nuk jemi republikë noteriale. Është e kopsitur kjo. Presidentit i merren kompetencat.
Sa i përket reagimit të kreut të KED, Meta tha: Unë asistencë mjekësore nuk i ofroj dot. Ai paska shqetësim për çështjen e etikës së presidentit, ndërkohë nuk ka shqetësim që bëhej pjesë e një plani mafioz për ti grabitur në mënyrë mafioze kompetencat presidentit që ia ka dhënë kushtetua./ Opinion.al