Si e mundën shtetin osman komitët e Përmetit?

DOSSIER/105 vite më parë

 Nga Nuri Dragoj/ Në vitin 1910 forcimi i çetave ndikoi edhe në uljen e veprimtarisë së bandave të hajdutëve. Kështu, bandat që ishin bërë shqetësuese në disa rrethe, si Tepelenë, Gjirokastër, Përmet e Leskovik, ku krahas vjedhjeve nuk mungonin dhe vrasjet, tashmë nuk ndiheshin. Me daljen e çetave në mal, njerëzit lëviznin të qetë. Por rritja e numrit të luftëtarëve kërkonte dhe garantimin e disa kushteve financiare. Si zgjidhje e ngutshme u mendua që taksambledhësit të kishin detyrime edhe ndaj tyre. Në letrën që Maliq Rami i dërgonte Sotir Kolesë, thuhej se në Përmet u ngjitën lajmërime nëpër rrugë, në të cilat shkruhej se personat që do të vjelin të dhjeta, një të tretën e tyre duhet t’ua japin komitëve. Sipas njoftimeve në malet e Përmetit ishin mbi 300 komitë, ndaj “mbretëronte qetësi e madhe”.

Ajo që u kishte munguar patriotëve qe bashkimi. Ndonëse ishin krijuar dhe funksiononin shumë klube shqiptare, pak prej tyre kishin program të përbashkët. Të tjerët binin pas çështjeve të ditës, rrëmbeheshin nga inatet e zënkat, duke mos menduar për një program në rritje dhe në dobi të atdheut. Mit’hat Frashëri bënte përgjegjës dhe deputetët shqiptarë në parlamentin turk. Ishin 22 deputetë nga të katër vilajetet*, një pjesë e të cilëve iu nënshtruan politikës së qeverisë turke. Të tjerët “u shprehën kundër qeverisë dhe xhemijetit** pa u menduar dhe në mënyrë të verbër”. Kjo për shkak sepse “disa herë u bashkuan me armiqtë e Shqipërisë, me grekët”.

Menduh Zavalani qysh në vjeshtën e vitit 1910, shkoi në trevën e Përmetit dhe bashkëpunonte me Vangjel Gjikën, Mete Topojanin e të tjerë. Bëhej një propagandë e dendur në favor të çështjes kombëtare. Ata nuk vepronin vetëm në krahinën e Dangëllisë, por edhe në krahinat e tjera të Përmetit, Cerie, Shqeri, Dëshnicë. Duke udhëtuar në fshatrat e gjithë trevës së Përmetit, ata mundën të rritnin numrin e anëtarëve për çetat e tyre, të cilat një vit më vonë, ishin mjaft aktive.

Për ndërgjegjësimin e popullit mbi nevojën e një kryengritjeje të armatosur, punë të mirë bënin shoqëritë e krijuara brenda dhe jashtë vendit. Jani Vreto bënte publike një listë të gjatë me atdhetarë shqiptar që ishin bërë pjesë e klubeve patriotike në Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Durrës, Prevezë, Shkup, Prizren, SHBA, Sofje, Bukuresht, Tepelenë etj.. Në mënyrë të veçantë ai përmend rolin e Teqesë së Bektashinjve në Gjirokastër dhe më pas rendit dhe një sërë emrash si: Nikolla Litto, Adrian Konomi, Idriz Guri, Elmaz Boce, Asaf Çipi, Mithat Ciu, Mystehak Bexhet, Petro Poga, Apostol Dhima, Bane Mezini, Efthim Çako etj.

Një prej tyre ishte shoqëria “Përparimi”. Ato mbaheshin me kontribute të vet patriotëve. Gazeta “Lidhja Ortodokse” publikonte të dhëna për ndihmat financiare që kishin dhënë individë të ndryshëm. Të tillë ishin Nuredin Borshi me 108 grosh, Jahja Përmeti 54, Aliko Jani 20, Jusuf Borshi 20, Riza Këlcyra 20, Hysni Izeti 10, Moson Jakov Maca 20 dhe Haxhi Kastra 20 grosh. Ndikimi i këtyre shoqërive në rritjen e numrit të luftëtarëve ishte i madh. Në trevën e Përmetit vepronin disa çeta, të cilat tashmë e kishin ndjerë nevojën e bashkëpunimit. Në dhjetor të vitit 1910, Spiro Ballkameni dhe Mihal Ballkameni u vunë para vështirësive të mëdha në trevën e Kolonjës. Themistokli Gërmenji dhe Ferit Bej Frashëri nuk e kursyen ndihmën ndaj tyre. Për t’u shpëtuar jetën, i morën natën dhe i çuan në Korçë, në shtëpinë e përmetarit Vangjel Gjika. Prej atje, “të veshur me rroba redifi, i përcollën për në Korfuz dhe nga andej në Misir”.

Para se të niseshin për Misir, ata pushuan disa orë në një han. Udhëtuan në kohë me shi dhe qenë lagur, ndaj kishin nevojë të ngroheshin në mangall*. Në atë kohë hyri një patrullë ushtarake për kontroll. Vangjel Gjika, me shkathtësinë e tij, në praninë e anëtarëve të patrullës, porositi hanxhinë t’i qeraste me raki dhe të uronin mbarësi për djemtë që po shkonin ushtar. Ata pranuan të pinin. Bashkë me ta u ul edhe Vangjeli dhe nuk u nda prej tyre derisa u kthye Themistokliu me Feritin që përcollën dy djemtë deri jashtë qytetit.

Sadik Zharri, duke bërë fjalë për vitin 1910 (muaji i kolozhekut), tregonte se si kishte shkuar në Manastir dhe u pati kërkuar patriotëve të bëhej pjesë e komitetit revolucionar “Dora e Zezë”. Drejtuesit e shoqërisë i kërkuan të betohej dhe ai pranoi. Formula e betimit ishte: “Betohem para komitetit revolucionar “Dora e Zezë”, për nderin tim dhe të familjes, për nderin e atdheut se do të jem besnik dhe i bindur në urdhrat e Komitetit, do të përpiqem dhe do të luftojë gjer në çlirimin e plotë të Atdheut”. Të nesërmen Themestokliu caktoi dhe zonën ku do të vepronte. E udhëzoi të shkonte në Pavar të Përmetit. Aty kishte mbështetjen e Mehmet Pavarit dhe Seit Xhiljes. Me ndihmën e tyre formoi një çetë prej 8 vetësh dhe organizoi një mbledhje te Luadhi i Hanit të Xhungëve, ku ndanë dhe detyrat.

Dhuna e ushtruar nga ana e qeverisë vinte në rritje. Idriz Garib Guri, më 19 prill 1911, i shkruante Kasëm Frashërit, drejtor i gazetës “Shkumbi”, se njerëzit po trajtoheshin si kafshë. Nëpunës të qeverisë kishin marrë 8 vetë të lidhur me litar dhe i akuzonin si komitë. Të tetë ishin njerëz të thjeshtë. Punonin gjithë ditën në bujqësi për të siguruar bukën e gojës. Njerëz të varfër, “pa opinga veshur, me fytyra të vrara nga të pangrënët”. E gjithë kjo bëhej për shkak se kërkonin shkolla”.

Autori e shihte zgjidhjen te dhënia e lejes nga sulltan Mehmet Reshat* (Mehmeti i 5-të) për hapjen e shkollave shqipe. Më 15 prill ata bënë një mbledhje në klubin e Gjirokastrës, ku morën pjesë mbi 300 vetë. Para tyre, Arif Çipi mbajti një fjalë në turqisht, ndërsa Thoma Papapano foli shqip. Shqip kishte folur dhe një nxënës, i quajtur Mehmet, i biri i Xhaferrit. Ai djalë “aq bukur foli shqip, sa u çuditën gjithë të pranishmit që thirrën: Rroftë Shqipëria”!

Komitët lëviznin nga një fshat në tjetrin, kontaktonin me njerëz dhe bënin propagandë për të rritur numrin e luftëtarëve. Një i tillë ishte dhe Mehmet Pavari, apo Mehmet Përmeti siç i thoshin shpesh. Ai shkonte sa në një krahinë në tjetrën. Gazeta “Luftëtari” shkruante për Muharrem Rushitin nga Koska e Filatit se, “në muajin maj 1911, në shtëpinë e tij kishin ardhur miq të rrallë”. Bëhej fjalë për Themistokli Gërmenjin, Mehmet Pavarin e Halim Xhelon, të cilët “biseduan gjatë për organizimin e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut”. Autori përshkruante dhe veshjet e tyre, kostume popullore të krahinës. Pasi përfunduan punë, ata i shoqëruan “dhe u dorëzuan shëndoshë e mirë në Gjirokastër”.

Izet Zavalani, delegat në Kongresin e Manastirit më 1908, luftëtar i njohur dhe komandant çete në kryengritjet e vitit 1911, shprehte shqetësimin për disa veprime antikombëtare që bënin disa individë. Në një letër të tij thuhej që nuk mungonin dhe njerëzit që, ndonëse hiqeshin si atdhetarë, në të vërtetë “përpiqen të na prishin punë, duke rrëzuar gjithçka kemi bërë gjeri më sot për gjuhën tonë”. Ngjarjet zhvilloheshin shpejt dhe situatat ndryshonin ditë pas dite. Informacionet e konsullit austriak ishin më të shpeshta, por edhe plot me njoftime të reja. Në një prej tyre, dërguar Vjenës më 22 korrik 1911, lidhur me fuqinë kryengritëse në Frashër, jepeshin dy shifra. Sipas burimeve shqiptare, konsulli raportonte mbi 3 000 luftëtarë, kur burimet zyrtare të perandorisë e zvogëlonin një numër të tillë, në rreth 200 vetë. Ndërsa gjykimi i vetë konsullit pasqyronte një rritje të shpejtë të numrit të luftëtarëve të këtyre çetave. Sipas tij, çeta e Delvinës kishte mbi 600 vetë, “kurse çeta e Frashërit, po aq e fortë, ka përparuar në Përmet”.

Menduh Bej Zavalani në vitin 1911 ishte rreth 22 vjeç. Kalendari “Korça” e cilësonte atë, një djalë shumë të zot, në fjalë dhe në pushkë. Me të marrë vesh që u krijuan çeta shqiptare, për të ruajtur të drejtat që u jepte kushtetuta, u bë ndër njerëzit më veprues. Ai mori armët dhe shkonte fshat më fshat të Përmetit të bindte disa fshatarë, me të cilët formoi çetë të madhe. Namik Delvina dhe Nazif Hadëri që vepronin në qarkun e Gjirokastrës, ato ditë ishin hedhur në zonën e Shqerisë së Përmetit. Në teqenë e Frashërit u takuan me Menduh Zavalanin dhe biseduan mbi nevojën e bashkëveprimit të çetave shqiptare.

Menduhu apo Dumja siç i flisnin shokët dhe të afërmit, në pranverën e vitit 1911, krijoi çetën e vet me 50 luftëtarë. Ata qenë kryesisht nga treva e Përmetit dhe pjesërisht nga Korça. Riorganizmi i çetës që u bë në Kolonjë, ku Menduh Bej Zavalani mori detyrën e sekretarit, ndërsa komandant u vendos Spiro Ballkameni.

Luftëtarët e larguar përkohësisht jashtë vendit po ktheheshin për të organizuar kryengritjen. Në pritjen që iu bë Themistokli Gërmenjit, në maj të vitit 1911, kur hyri në Shqipëri nga Korfuzi, morën pjesë Spiro e Vangjel Ballkameni, Nazif Delvina, Alush Taka dhe Mehmet Pavari etj. Në javën e parë të qershorit, Themistokli Gërmenji u arrestua nga forcat qeveritare në Përmet, por u lirua më 10 qershor, pas sulmit të bashkërenduar nga tri çeta që vepronin në atë trevë. Më 14 qershor shtypi botëror njoftonte për revolucionin e përgjithshëm në Shqipëri “për vetëqeverim dhe bashkim kombëtar”.

Qeveria vazhdonte të ndiqte hap pas hapi luftëtarët. Dalip Maska Përmeti u vra në Orhan Çiflik më 1911 bashkë me Spiro Ballkamenin. Thanas Plumbi Përmeti, me profesion avokat, ishte kryetar i klubit shqiptar në Vlorë dhe u arratis, pasi u dënua me vdekje prej qeverisë turke.

Në korrik të vitit 1911 çetat e Qamil Panaritit dhe Spiro Ballkamenit u bashkuan në Frashër dhe vendosën të shkonin në Korçë. Plani i tyre qe të sulmonin burgun dhe të lironin rreth 150 vetë që ndodheshin në të. Sulmi do të bëhej në mëngjesin e datës 28 korrik. Por komitët u tradhtuan dhe po atë natë u rrethuan nga ushtria. Roja që patën lënë, sapo pa ushtarët te ofroheshin, dha alarmin. Ata mundën të dilnin prej andej, por u ndeshën me forcat e ushtrisë, ku mbetën të vrarë 6 vetë. Humbja u shkaktoi dhimbje të thellë, por ata nuk u tërhoqën nga qëllimi. Menduh Bej Zavalani* dhe Mehmet Pavari shkuan në krahinat e Shqerisë, Ceries dhe të Rëzës, pasi kishin plan të goditnin garnizonin e Përmetit dhe pastaj të shkonin në ndihmë të Gjirokastrës.

 Toskëria shkundet nga plogështia

 Veprimtaria e çetave vinte duke u fuqizuar, por në raport me kryengritjet e zhvilluara në veri të vendit, ajo ishte ende e dobët. Kjo duket dhe në një letër që Dervish Hima i dërgonte Mehmet Pavarit, në vitin 1911. Ajo nuk ka datë, por nisur nga teksti besohet se i përket fillimit të muajit korrik. Hima i shkruante Mehmetit që, “të kemi ditur e të dimë më të flaktin, më të ndershmin e këtij atdheu të fortë, prandaj dua të rrëfejë, atë çka ma ndjen zemra”.

Pasi i fliste për ligësitë e qeverisë, bënte thirrje për t’u ngritur me armë në dorë. Sipas tij, në Gegëri po luftohej ditë për ditë, ndërsa në Toskëri armët i kishin marrë vetëm disa individë atdhetarë, për pasojë “sot në Toskëri s’po shihet asnjë lëvizje”. Dervish Hima tërhiqte vëmendjen për t’u bashkuar, sepse kur gegët ngrihen e toskët jo, qeveria e kishte më të lehtë për t’i mposhtur. Ai shprehej optimist sepse besonte që së shpejti, edhe në trevat jugore, do të shiheshin shumë çeta patriotike. Me Himën u bashkua djemuria që studionin në shkolla të larta. Më në fund ai shprehte dëshirën që t’i shihte edhe përmetarët “në këtë dasmë të madhe”.

Në fund të muajit korrik 1911, çetat u shpërndanë në rrethe të ndryshme si në Berat, Delvinë, Çamëri, Përmet, Vlorë, për të ngritur njerëzit në ato anë, që të kërkonin plotësimin e kërkesave të mbledhjes së Manastirit të Cepos. Qeveria turke bëri të pamundurën të mos plotësoheshin kërkesat e shqiptarëve për gjuhë e pavarësi. Ndërkohë, shqiptarët u ngritën në një kryengritje të përgjithshme, e cila u shtri nga Kosova në Çamëri.

U bënë shumë përpjekje për t’i përçarë shqiptarët, duke nxitur myslimanët kundër “kaurve”, siç e quanin ata popullsinë e Ballkanit. Por shqiptarët nuk ranë pre e tyre. Ata i përdorën armët dhe municionet e shpërndara nga shteti osman kundër vet perandorisë. Kjo u provua në Dangëlli, ku qarkullonte çeta e Spiro Ballkamenit dhe në Dëshnicë, ku vepronte çeta e Mehmet Pavarit. Më 30 korrik 1911, ajo i zuri pritë një reparti ushtarak prej 200 vetësh në Grykën e Këlcyrës dhe i shpartalloi plotësisht. Të nesërmen u zhvillua një tjetër përpjekje, e cila e tronditi administratën turke.

Formacionet kryesore luftarake që dolën në luftë të hapur kundër shtetit osman, ishin ato të At Stath Melanit, Mehmet Pavarit, Nexhip Bënjës, Menduh e Izet Zavalanit, Arif Rodenjit etj. Gjithë krahinat e Përmetit shiheshin si zona të nxehta të përballjeve me forcat qeveritare, ku teqeja e Baba Abedinit ushtronte ndikim të fortë patriotik.

Gjatë muajit gusht në Dangëlli vepronin dy çeta, e Menduh Zavalanit dhe ajo që drejtohej nga Iliaz Kurtesi. Ndërsa në luginën e Langaricës shihej çeta e komanduar nga Vangjel Gjika, bir i fshatit Delvinë, të krahinës së Shqerisë.

Ferat Lumani nga Berati, që njihej me pseudonimin “Lulus i Marsit”, në qershor të vitit 1911 niste një letër në drejtim të Frashërit. Letra i adresohej Mehmet Pavarit, ndonëse në krye të saj shkruhej: “Qendrës malit në Frashër”. I drejtohej Mehmetit sepse ai njihej prej tyre si kryetar çete në atë trevë. Me anë të saj bëhej e ditur se, në bazë të porosive që kishin marrë prej Frashërit, kryengritja ishte caktuar “ditën e diel, duke u gdhirë e treta ditë e korrikut”.

Lumani shkruante se për atë ngjarje qenë vënë në dijeni edhe patriotë të tjerë në Gjirokastër, Elbasan e Vlorë. Duket se në atë kohë, krerët e çetave që operonin në trevën e Përmetit, nuk binin në një mendje për organizimin e kryengritjes. Kjo ndihej dhe në treva të tjera. Madje edhe qendra nuk kishte bërë asgjë për organizimin e saj, ndaj “Lulus i marsit” propozonte që luftëtarët e Përmetit të shkonin në ndihmë të Beratit. Udhëtimi do të bëhej natën dhe secili nevojitej të kishte tri ditë bukë me vete.

Më 6 gusht 1911, në adresë të Mehmet Pavarit dërgohej një tjetër letër, e shkruar nga Haxhi Bajram Leskoviku, me pseudonimin “Mal i dashur”. Letërshkruesi e ftonte Mehmet Pavarin të shkonin në Berat me bujë, pasi pritej të zhvillohej një kongres nga ana e krerëve, të cilët do të kërkonin zgjerimin e të drejtave të tyre.

Prania e Mehmet Pavarit, si një nga organizatorët e shquar për kryengritjen e Jugut, shihet dhe në dokumente të tjera. Më 9 gusht 1911, në adresë të tij vinte një telegram nga Përmeti, me firmën e Ethem Taipit. Mehmet Pavari ato ditë ndodhej në Tepelenë, ndaj në telegram thuhej: “Sipas fjalës erdhëm te Hani i Pashajt, por morëm vesh se ju kishit shkuar në Tepelenë. Ndodhemi në Përmet. Na lajmëroni mënyrën e veprimit”. Edhe Dervish Hima, më 17 gusht 1911, niste një telegram po në adresë të Mehmet Emin Pavarit në Përmet, ku thuhej: “Na prisni aty. Kemi shpresë se qeveria këtë radhë do ta mbajë fjalën”.

Revolta ziente në mbarë Shqipërinë, ndonëse zemra e kryengritjeve ishte në veri. Më 12 gusht 1911 luftëtarët kosovarë hynë në qendër të vilajetit të Shkupit, duke e vënë në vështirësi qeverinë osmane. Të nesërmen çetat e Përmetit sulmuan garnizonin ushtarak të Përmetit, i cili u dorëzua pa kushte. Luftëtarët çarmatosën ushtarët, u morën armë e municione dhe hynë në qytet.

Çetat përzënë kajmekamin e Përmetit

 Në Përmet, si dhe në disa treva të tjera, kishte nisur beteja më e rëndësishme që synonte ta çonte vendin drejt Pavarësisë. Pak ditë para kësaj ngjarjeje, konsulli austro-hungarez konstatonte se çeta e Frashërit me afro 300 vetë ishte nisur drejt Përmetit. Një pjesë e saj, nën komandën e Dervish Shemës nga Frashëri dhe Vangjelit nga Korça ndodhej në malet e Ogrenit, kurse pjesa tjetër kishte zënë rrugën Berat-Përmet.

Përleshjet me forcat osmane vazhduan disa ditë dhe më 13 gusht 1911 u arrit fitorja. Çetat e Servet Frashërit, Mehmet Pavarit, Spiro Ballkamenit, Menduh Zavalanit e Nexhip Bënjës shënuan aktin përfundimtar të kësaj lufte. Ata mundën të realizonin rrethimin e garnizonit turk të Përmetit, i cili nuk guxoi të bënte qëndresë. Sipas gazetës “Koha”, kajmekami vuri në lëvizje disa grekomanë me në krye mitropolitin dhe bëri përpjekje për të ndaluar luftëtarët, por ata nuk u ndalën.

Kështu, për rreth 24 orë, kajmekami* u detyrua të mbyllej në sarajet e Xhemal Bej Goroshianit. Por edhe aty nuk ishte i qetë. Spiro Ballkameni, Xhemal Malindi, Nexhip Bënja e të tjerë, hynë në saraje nga muret dhe e dëbuan kajmekamin. Pas kësaj u nënshkrua një peticion, me të cilin kërkohej të njiheshin të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Në një letër që Maliq Rami i dërgonte Sotir Kolesë, më 19 gusht1911, i shkruante se në Përmet e gjetkë kishin dalë malit shumë çeta dhe sot “mësuam që kajmekamin e dëbuan dje”.

Të njëjtën gjë pohonte dhe konsulli austro-hungarez nga Janina, i cili për këtë ngjarje njoftonte ministrin e Jashtëm të Perandorisë Austro-Hungareze në Vjenë. Sipas raportit të tij, “banorët e Përmetit kanë dëbuar kajmekamin dhe shpallën autonominë”. Ndërsa studiuesi Stilian Adhami shprehet për pushkatim të kajmekamit nga ana e kryengritësve dhe dëbim të strukturave të qeverisë. Por duke qënë se në gjithë burimet e hulumtuara rezulton për ndjekje të kajmekamit dhe jo për vrasje, mendojmë se ky është versioni më i vërtetë për ngjarjen. Pas këtij akti qeveria osmane u trondit, gjë që shihej edhe në lëshimin e bërë ndaj banorëve të Përmetit, “të cilët edhe pse ndoqën me dhunë zyrtarët e shtetit, qeveria nuk reagoi”.

            Valiu i Janinës lutej më kotë për dërgimin me urgjencë të forcave ushtarake, me qëllim që të mbanin rregull, pasi shteti osman qe tronditur. Sipas konsullit austriak, ditën e diel, me rastin e Shën Konstandinit, qe planifikuar një tjetër kryengritje, në një kohë kur qeveria “mund të çonte vetëm pak përforcime”.

(Vijon në numrat e ardhshëm)

SHKARKO APP