Shqipëria, vendi që harxhon më pak për shëndetësinë
Ndër 43 vende europiane, Shqipëria renditet e fundit për sasinë e fondeve që akordon për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).
Sipas agregateve fiskale të publikuara nga FMN për periudhën 2012-2015 shihet se shpenzimet e Shqipërisë në drejtim të shëndetit janë vetëm 2.8% e PBB-së, teksa mesatarja e europiane për këtë tregues ishte 6%.
Në këtë renditje Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend i rajonit për shëndetin e popullatës së saj. Bosnja akordon 6.9% të fondeve në raport me PBB për shërbimet publike të shëndetësisë, Kroacia 6.4%, Maqedonia 4.3%, Mali i Zi 4% dhe Serbia 6.1 %.
Vendet e rajonit shpenzojnë mesatarisht për shërbimet e shëndetit 5.5% të PBB-së, ndërsa Shqipëria sa gjysma e këtij treguesi me vetëm 2.8 % të PBB-së.
Shpenzimet më të larta shihet t’i kenë Danimarka, Holanda dhe Suedia të cilat kanë dedikuar 9-10% të PBB-së për shëndetësinë.
Shpenzime të larta mbi 8% ofrojnë edhe Gjermania dhe Franca, Belgjika, ndërsa për shumicën e vende europiane ky tregues është 5-7% të PBB-së.
Shqipëria ka pasur historikisht shpenzime të ulëta për shërbimet e shëndetit dhe arsimit për shkak të ardhurave të ulëta që grumbullon arka e shtetit.
Për 2012-2015, vendi ka grumbulluar 25.2% të të ardhurave në raport me PBB-në teksa mesatarja e Europës për këtë periudhe është 40.4 % e PBB-së.
Me gjithë fondet e pakta, shpenzimet dedikuar shëndetit nuk mirëpërdoren dhe nuk arrijnë të alokohen sipas programit. Në dy vitet e fundit, gjatë rishikimit të buxheteve vjetore, fondet për shëndetësinë janë shkurtuar.