Lazimi: Posta Shqiptare drejt modernizimit dhe inovacionit
Drejtori i Postës Shqiptare z. Majlind Lazimi zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Microsoft për Europën Qëndrore dhe Lindore, z. Michael Kogeler.
Gjatë takimit, z.Lazimi bëri një prezantim të institucionit që ai drejton, për veprimtarinë dhe shërbimet që Posta ofron.
Lazimi theksoi se bashkëpunimi i Postës Shqiptare me Microsoft, është mjaft i frytshëm, sidomos për përdorimin e disa licensave utilitare të ngjashme me administratat postare ndërkombëtare.
Gjatë diskutimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Microsoft për Europën Qëndrore dhe Lindore, z. Lazimi, shprehu gatishmërinë e kompanisë për të marrë eksperiencat dhe praktikat më të mira në këtë industri, si dhe theksoi faktin se për modernizimin e Postës Shqiptare do të vlerësohej mbështetja e gjigantit Microsoft me ide dhe projekte inovative, të cilat kanë rezultuar histori suksesi në vende të ndryshme të botës.
Lazimi i prezantoi z. Kogeler një projekt inovativ dhe shumë të rëndësishëm që pritet të lancohet në fillim të vitit 2017, Digital Post Office, i cili fokusohet kryesisht tek zonat rurale dhe periferike. Nëpërmjet këtij projekti synohet një zgjidhje teknike për të dixhitalizuar pjesën e mbetur të rreth 200 zyrave postare që nuk janë të lidhura me sistemin qëndror të Postës Shqiptare.
Gjithashtu një projekt strategjik që po shqyrtohet për vitin e ardhshëm është edhe hyrja në tregun e pagesave përmes celularit.
E-commerce është një tjetër mundësi e vërtetë biznesi që konsiderohet si potencial i së tashmes, duke synuar të zhvillohet edhe një platforme autentike e Postës Shqiptare të një tregu dixhital, ku konsumatorët të blejnë online dhe njëkohesisht të marrin edhe shërbimin postar përmes Postës.
Gjithashtu, në kuadër të një shërbimi më të mirë ndaj klientëve, së shpejti do të vendosen edhe Bankomatet Postare, të cilët do të luajnë rolin e një zyre postare që shpërndan pakot. Këto paisje automatike janë konceptuar që t’u japin mundësi klientëve të tërheqin pakot e tyre, duke u vetshërbyer 24 orë në 7 ditë të javës.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Microsoft, z. Michael Kogeler, shprehu gatishmërinë për bashkëpunime të mëtejshme, dhe cilësoi takimin si mjaft pozitiv me një nga klientët më të rëndësishëm të Microsoftit në Shqipëri. Gjithashtu, z.Kogeler premtoi edhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit, në organizimin e disa seminareve dhe trajnimeve, që do të ishin shumë të rëndësishme për Postën Shqiptare, për t’u adaptuar me tregun vendas dhe ndërkombëtar me synimin final për një shërbim sa më cilësor për konsumatorin.