Stabilokraci domethënë më pak demokraci

Nga Pano Soko -Mbreti Diell që rrezaton dhe njerëzit që i rrinë përreth me synimin për të marrë pak nga drita e tij. Egografia e një despoti!

Gjatë gjithë jetës sonë post-diktatoriale, ne (me ndihmën e mentorëve tanë politik) jemi kujdesur për stabilitetin politik më tepër sesa për demokracinë funksionale. “E rëndësishme është që mos ketë turbulenca, se na infektohet gjithë Ballkani, pa demokracia s’është problem. Ca të drejta më pak, ca varfëri më shumë, një lider i korruptuar aty, një autokrat këtu, s’prishin shumë punë…hajt mo, i ka jeta në Ballkan këto”- kjo ka qenë motoja.

Stabilokracia ka një kosto që paguhet me një monedhë të vetme…me demokraci. Më shumë stabilokraci, më pak demokraci. Rasti ideal është diktatura ku ka stabilitet absolut dhe mungesë demokracie absolute.

Më shumë stabilokraci domethënë më shumë pushtet. Pushtet i fortë që mban gjërat në zap! Natyrisht, sa më i fortë është pushteti, aq më i dobët është shteti. Rasti ideal-prapë diktatura.

Në diktaturë nuk kishim shtet, kishim pushtet. Ashtu quhej atëherë “Pushteti Popullor” (natyrisht fjala “popullor” ishte vënë thjesht për forcë zakoni).

Ne kishim ligje, por mbi ligjet qëndronin “Porositë e shokut Enver” apo “Porositë e Partisë” që bënin nul çdo ligj të shkruar. Kështu, pas çdo “porosie”, shteti vdiste pak nga pak dhe pushteti lartësohej mbi kufomën e shtetit. Për ta vazhduar ku e lashë, pas viteve ’90 stabiliteti na udhëhoqi drejt pushtetit të fortë. Dhe ligjet elektorale shqiptare u ndërtuan enkas të tilla që të siguronin qeveri të qëndrueshme. Qoftë ai para 2008 dhe ky pas 2008, kanë një të përbashkët – krijojnë mazhoranca të qarta. Ose mazhorancë monolite si kjo e sotmja, ose të qëndrueshme si ajo e 2009, apo 2013 ( të cilat meqënëse listat janë të mbyllura, atëherë kthehet thjesht në “2 man’s deal”).

Sa më e fortë mazhoranca, aq më e dobët demokracia dhe anasjelltas. Problemi me pushtetin e fortë është që ai vetëm progreson. Sot jemi dëshmitarë të një fakti të tillë. Jemi në një gjendje hibride, një tip demokrature. Një gjë që niset nga demokracia për në diktaturë, por për momentin është në mes të rrugës.

Rama është simboli i kësaj gjendjeje. Ai ka mishin e diktatorit dhe rrobat e demokratit. Ai dhe Enveri kanë shumë të përbashkëta. Të dy ngritën pushtetin dhe rrëzuan shtetin. Enveri me “Pushteti Popullor” dhe porositë e partisë, ndërsa Rama me të vetën- me kapjen e gjithë pushteteve (ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, mediatik).

Të dy ndërtuan një rregjim. Enveri e quante “regjimi popullor” dhe kush fliste kundër, dënohej sepse ishte kundër regjimit. Rama e quan “po bëjmë shtet” dhe kush flet kundra dënohet për shpifje.

Pra të dy ngritën pushtet dhe ndërtuan regjim. I vetmi ndryshim është se Enveri të paktën ua vinte emrin tamam siç e kishin me një “popullor” nga mbrapa..

SHKARKO APP