Presidenti Meta: Kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë!

Presidenti Ilir Meta ka thirrur sot në presidencë gjithë aktorët kryesorë politikë në vend, si dhe diplomatët e vendeve të BE. Takimet vijnë si pjesë e përpjekjeve të kreut të shtetit për të zgjidhur krizën politike në vend. Kreu i shtetit i dërgoi ftesë dhe kryeministrit Edi Rama, por kryeministri refuzoi dialogun me argumentin se “është i zënë me në fushatën elektorale”, edhe pse realisht ndodhej vetëm disa qindra metra larg Presidencës.

Në orën 09:00, në zyrën e kreut të shtetit ishte kreu i opozitës, Lulzim Basha. Presidenti i Republikës Ilir Meta është deklaruar pas  takimit me kreun e opozitës, Lulzim Bashën në Presidencë, paraditen e sotme.

Presidenti Meta ka shkruar në Fb këto radhë: “Sot prita në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha për të diskutuar mbi krizën aktuale që po kalon vendi. Kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë.”

Presidenti ka ftuar në takim për krizën politike edhe Kryeministrin, kryetarin e PS, por Edi Rama e refuzoi ftesën e Metës pasi ishte “i zënë me zgjedhjet”. Megjithatë, Meta është shprehur se do të jetë në pritje të tij nga ora pesë e mëngjezit deri në orën 13:00. Më pas mendohet se Presidenti do të marrë një vendim shumë të rëndësishëm.

 

Presidenti Meta pret përfaqësuesin e KiE-së

Pas kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur në Presidencë përfaqësuesin e Këshillit të Europës. Ky takim vjen pas vendimit të KiE, që anuloi misionin vëzhgues prej paqartësive në procesin zgjedhor të 30 qershorit. Bëhet fjalë për delegacionin e vëzhguesve që ishte programuar të monitoronte zgjedhjet e së dielës së 30 qershorit, ku nuk merr pjesë opozita dhe Kreu i Shtetit ka nxjerrë një dekret për anulimin e tyre.

Presidenti Meta pret në zyrë ambasadorët

Pas takimit me krerët e partive politike që ishte planifikuar deri në 13:00, në zyrën e Metës ka mbërritur ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca. Së bashku me të në takim janë edhe ambasadori britanik, Duncan Norman, ajo e Gjermanisë Susanne Schütz si dhe Christina Vasak ambasadorja e Francës në Shqipëri. Kreu i shtetit ka patur një axhendë të ngjeshur me takime intensive. Fillimisht ishte kreu i PD-së, Lulzim Basha që zhvilloi takim me Metën, ndërsa më pas ishte nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili. Ndërkohë takime ka patur edhe me aleatët e PD-së.

Shehi jep lajmin: Meta dekret të ri për datën e zgjedhjeve

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi në përfundim të takimit me Presidentin e vendit Ilir Meta, deklaroi se bisedimet me të u fokusuan tek një datë e re zgjedhjesh, pasi nuk mund të jetë 30 qershori. Shehi tha se nga mbrëmja e sotme Presidenti mund të dalë me një vendim për të dekretuar një datë të re zgjedhjesh, por deri atëherë do të duhet të presim. “Patëm një diskutim me ftesë të Presidentit për situatën që po rëndohet. Presidenti ka një ide të tillë që zgjedhjet ligjërisht me datë 30 nuk bëhen se kemi një dekret të Presidentit. Besoj se do të bëjë një dekret të ri për një datë të re zgjedhjesh për të ulur tensionin politik gjithmonë para datës së hapjes së negociatave të tetorit.Ky është diskutimi bazë, për këtë po ikim të takojmë dhe aleatët.Nga darka besoj se do të dalë një gjykim i përbashkët. Mendimin tonë unik do ta nxjerrim me PD dhe aleatët e tjerë.”, u shpreh Dashamir Shehi.

SHKARKO APP