Kandidati për guvernator në SHBA, Peter Lumaj flet për Sorosin
Peter Lumaj, shqiptaro-amerikani, kandidati republikan për guvernator dhe Sekretar të Shtetit, në Konektikat i njohur në rrethet e emigracionit shqiptar në SHBA, vjen në një rrëfim ekskluziv për jetën e tij dhe politikën, në një lidhje Skype me Adi Krastën në emisionin “A Show”, në News24.
Lumaj është mbështetës i presidentit Trump, foli edhe për lajmin nëse i ishte ofruar roli i ambasadorit amerikan në Shqipëri. Ai deklaroi se diskutimet me administratën nuk do të donte t’i bënte publike, por që ndryshimet në drejtimin ligjor e kushtetues në Shqipëri do ishte avantazh t’i sillte një amerikano-shqiptar. Lumaj tha se nuk ka ambasador që nuk është edhe politikan dhe që lidhet me politikën e vendit kur shërben.
Për sa i përket përgjimeve të “Bild” Lumaj tha se si ka mundësi që regjistrohen nga një gazetar gjerman dhe nuk ka asnjë hetim dhe kjo sipas tij përben një shkelje flagrante të sovranitetit. Ndërsa në lidhje me 30 qershorin, Lumaj tha se Shqipëria humbi sovranitetin për herë të dytë pasi zgjedhjet u përcaktuan nga të huajt. Ai shtoi më tej se në Shqipëri ka shumë politikanë, por nuk ka udhëheqës dhe ai që humb është populli, për të cilin nuk diskutohet asnjëherë.
“Protestat nuk ndryshojnë situatën në PD, duhet të shpenzojnë me shumë kohë duke ofruar alternativa përmes takimeve në komunitet. PD duhet të organizohet.”-deklaroi Lumaj. Ndërhyrjen e Soros në Shqipëri, Peter Lumaj e cilësoi si rrezikun më të madh që ka Shqipëria sot. Ai tha se Soros është me origjinë hungareze, i majtë dhe shumë i njohur në Amerikë. Sipas Lumaj, Soros ka promovuar lëvizjen socialiste jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet e tjera të Evropës përmes investimeve në miliona dollarë.
Ai tha se disfata më e madhe që ka Shqipëria janë ndërhyrjet e majta për të promovuar socializmin, ku me paratë e tij po organizon këto lëvizje, përmes të cilave fitoi edhe zgjedhjet në Shqipëri. Lumaj tha se duhet të ketë diskutime mes PD-PS dhe se të kesh Soros në Shqipëri, Parlamenti duhet t’i deklarojë “non grata”, pasi udhëheqësit nuk duhet të pranojnë paratë e korruptuara që influencojnë partitë.