Asgjë e re nga FRONTI i Luksemburgut për Shqipërinë tonë!

Ministrat e 28 vendeve të Bashkimit Europian dje, të mbledhur në Luksemburg, nuk kanë arritur të marrin një vendim pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Bllokimi që është bërë dje nga ministrat e BE-së, fatmirësisht nuk është fjala e fundit. Shqipëria ka dhe një shans në datën 18 tetor kur do të mblidhet Këshilli i BE-së që përbehet nga krerët e qeverive ose presidentët e gjithë vendeve të BE-së.

Tashmë fati i negociatave do të varet nga drejtuesit realë të BE ku shpresohet që një pjesë e vendeve të lëvizin nga qëndrimet e tyre kundër. Por Tirana mbetet duke u lutur nëse do kenë ndryshim qëndrimi në dy ditë që sipas ish-ministres së jashtme socialistes Arta Dade, duket i pabesueshëm.

Dje, çelja e negociatave është frenuar nga katër vende: Franca, Holanda, Danimarka dhe Finlanda. Ministrat e të katër vendeve kanë pasur rezerva të ndryshme si për Shqipërinë ashtu dhe për Maqedoninë e Veriut, por sidomos për Shqipërinë, e cila po bllokon edhe Maqedoninë e Veriut.

Franca, renditet kundërshtarja më e fortë e hapjes së negociatave. Franca kërkon të ndryshojë rregullat e BE për vendet që duan të hyjnë në Union. Vendimi “Jo” i Francës e ka bërë të pamundur që ministrat të gjenin një kompromis. Holanda dhe Danimarka kanë qëndrime të ndryshme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për Shqipërinë qeveritë e Holandës dhe Danimarkës thonë se nuk është ende gati pasi krimi, korrupsioni dhe kriza politike janë në nivele të tilla që nuk justifikojnë afrimin me Bashkimin Europian. Ndërsa për Maqedoninë e Veriut qëndrimi i dy shteteve është në favor të hapjes së negociatave. Për të gjetur një zgjidhje të minutës së fundit, Finlanda, vendi që ka dhe presidencën e radhës së bashkimit Europian ka kërkuar të hapen negociatat vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe jo për Shqipërinë. Edhe ky propozim, që ndante Shqipërinë pa i lënë asnjë datë, është rrëzuar nga ministrat e BE-së pa arritur të marrin një vendim unanim.

Të gjitha variantet e diskutuara dje mes ministrave të vendeve të BE do t’u kalojnë për vendimmarrje krerëve të qeverive. Tensionet e djeshme mes vendeve të BE dhe qëndrime kundër do të shoqërojnë takimin e së premtes në Bruksel. Gjasat nuk janë shumë të favorshme për Shqipërinë, pasi qëndrimi i Francës duket se nuk lë vend për asnjë kompromis, të paktën deri dje. Ndërkohë në Tiranë, në vend të lobimit dhe sqarimit të vendeve që na shohin me mëdyshje, qeveria “Rama” duket se e ka mbledhur mendjen që negociatat nuk hapen. Në një komunikim në Facebook, kryeministri Edi Rama la të kuptohet se shanset janë të pakta. Të njëjtën gjë përsëriti dhe në konferencën me kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte. Për Edi Ramën problemi nuk është te reformat e munguara dhe krizën politike që ka Shqipëria, por te vendet e Bashkimit Europian që nuk e vlerësojnë sa duhet. Ndërkohë jo vetëm qeveria e tij nuk ka plotësuar reformat, por nuk bën as përpjekjet minimale për të bindur vendet e Bashkimit Europian. Qëndrimi i Francës dihej prej disa muajsh dhe ambasada franceze në Tiranë ka folur disa herë me tone kritike për zhvillimet në Shqipëri. Këto kohë, kur lobimi dhe takimet kanë rëndësi të posaçme, por qeveria dhe PS po sillen në mënyrën më amatore të mundshme. Në media thonë se është faji i BE që nuk hapen negociatat dhe nuk shohin asnjë problem te vetvetja. Ndërsa edhe kur shkojnë në Bruksel për të sqaruar situatën, nuk takojnë përfaqësuesit e vendeve kritike, zhvillojnë takime pa rëndësi. Dje Taulant Balla takonte përfaqësuesit e Italisë dhe Gjermanisë, e ku njoftonte me ngazëllim se Italia mbështet hapjen e negociatave. Mbase me këtë qëndrim justifikon dietat e udhëtimit, por kushdo që ka ndjekur procesin e integrimit e di se Italia nuk ka qenë kurrë kundër integrimit të Shqipërisë. Problemi është që shtete si Franca, Holanda etj, që e kanë deklaruar votën kundër. Pavarësisht telasheve që ka Shqipëria me korrupsionin, krizën politike dhe institucionet në kolaps, këto vende duhen bindur se më e rëndë se gjithë problemet që ka vendi është mos hapja e negociatave. Bllokimi i tyre më shumë se qeverinë dëmton qytetarët dhe gjithë perspektivën e vendit. Por në vend të lobimit në këto vende, qeveria ka zgjedhur edhe njëherë të bëjë shoë dhe të fajësojë BE-në. Gjatë muajit të fundit nuk ka asnjë vizitë zyrtare apo takime mes kabinetit “Rama” dhe përfaqësuesve të këtyre vendeve për t’i sqaruar dhe për tu kërkuar të ndryshojnë mendim.

Megjithatë nëse qeveria e Tiranës do të kishte punuar mirë, do të kishte zbatuar ligjin, të kishte zhvilluar zgjedhje demokratike, të luftonte krimin, etj, pa diskutim që edhe shtetet e BE do të ndiheshin ngushtë të thonin “Jo”.

Ndaj e keqja duhet kërkuar në Tiranë e më pas në Paris, Amsterdam apo Kopenhagen!

Mili Xhani

SHKARKO APP