Tragjedi, dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur. Pallate e hotele të rrëzuara, njerëz nën rrënoja
Shqipëria është në panik nga tërmeti 6.4 ballë që zgjati 30 sekonda. 24 persona kanë humbur jetën dhe 650 persona janë të plagosur nga tërmeti që ka shkundur Shqipërinë. Ndonëse ende nuk ka një bilanc të saktë, raportohet se nën rrënoja ka ende shumë njerëz.
Epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të qytetit të Durrësit dhe 32 kilometra nga Tirana, ndërkohë që dëmet më të mëdha janë shkaktuar në qytetin bregdetar. 43 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat.
Viktimat janë nxjerrë nga ndërtesat e rrëzuara në zonën e Thumanës, në Durrës dhe në Kurbin. Ndërkohë që po punohet ende për të nxjerrë qytetarë të tjerë nga rrënojat, çka bën që numri i viktimave mund të rritet në orët në vijim.
Zonat me problematike janë Durrësi, Golemi, Thumana, Lezha dhe Tirana. Në Thumanë, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët. Në prehërin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorën të gjallë nipin e vogël. Pra deri në këto momente janë 24 të vdekur dhe 600 të lënduar dhe plagosur.
Situata mbetet tragjike jo vetëm për numrin e madh të viktimave dhe të lënduarve, porse ka akoma disa persona nën rrënoja. Frika nga ndonjë tërmet tjetër i atyre përmasave ka bërë që mijëra përsona të rrijnë jashtë shtëpive të tyre. Gjithashtu moria e qytetarëve që janë në makina në rrugët e Tiranës apo sidomos rruga për te TEG është stërmbushur, ku nuk gjen vend, pasi do ta kalojnë natën jashtë.
Nga tërmeti katastrofik në orët e natës ka patur edhe 187 pasgoditje, ku në darkë fuqia e tërmetëve të tjerë ishte nga 4.5 deri në 5.1 ballë. Moria e këtyre pasgoditjeve ka sjellë panik te qytetarët.
ORA 21:20- Kosova ka hapur dyert për strehimin e familjeve shqiptare
Koordinatori Kombëtar i qeverive Kosovë-Shqipëri, Fatmir Limaj, ka thënë se të gjitha komunat e Kosovës janë të gatshme t’i strehojnë gjithë ato familje që kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Limaj ka bërë me dije se e ka njoftuar qeverinë shqiptare, dhe se agjencitë e transportit në Kosovë kanë venë në dispozicion autobusët e tyre për t’i sjellë në Kosovë të gjithë ata qytetarë të Shqipërisë që vendosin të strehohen në Kosovë.
“Të gjitha komunat e Kosovës janë të gatshme t’i strehojnë gjithë ato familje që kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Ne kemi njoftuar Qeverinë shqiptare, po ashtu agjensionet tona të transportit kanë venë në dispozicion autobusët e tyre për t’i sjell në Kosovë të gjithë ata qytetarë që vendosin të strehohen në Kosovë. Pra, përveç njësive të specializuara që u kanë dalë në ndihmë vëllezërve e motrave tona matanë kufirit, Kosova dhe qytetarët e saj janë gati dhe kanë hapur dyert për strehim”,- tha Fatmir Limaj.
ORA 21:00-Numrat e llogarive ku mund të ndihmoni familjet e prekura nga tërmeti
Kryeministria ka bërë publike numrat e llogarive ku mund të kontribohet për t’i ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti.
Më poshtë po pasqyrojmë listën e plotë:
ORA 20: 50 – Humbi të bijën, vdes dhe e ëma pak orë pasi u nxor nga rrënojat
Ajo u shpëtua nga forcat speciale RENEA pas 14 orësh nënë rrënoja në një pallat 6-katësh, ndërsa pak orë më parë prej aty ishte nxjerrë e vdekur vajza e saj e mitur 8-vjeçe. Vdekja e 30-vjeçares në spital e çon në 22 numrin e viktimave nga tërmeti, ndërsa vijojnë kërkimet për nxjerrjen e të tjerë personave, që ndodhen ende nën rrënoja.
ORA 20:25 -Frikë nga tërmeti, banorët braktisin shtëpitë
Durrësi ka qenë një nga qytetet me të dëmtuara nga tërmeti që shkundi disa herë Shqipërinë. Po në këtë qytetet frika është më e madhe dha ata kanë zgjedhur që të kalojnë natën në shesh dhe jo në banesat e tyre.
Qindra qytetarë kanë strehuar në çadrat e ngritura nga Emergjencat Civile në fushën e stadiumit Niko Dovana. Siç shihet edhe në pamjet, një pjesë e banorëve janë strehuar në çadra, ndërsa pjesa tjetër ndodhen në qiell të hapur.
ORA 20: 00 -Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, Rama: Vendosim nesër
Kryeministri Edi Rama ishte në Spitalin e Traumës mbrëmjen e të martës, aty ku janë shtruar qindar persona që lënduar nga tërmeti. Gjatë një fjale për mediat, Rama i është përgjigjur kërkesës së opozitës për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Rama tha se për këtë gjë do të vendoset ditën e mërkurë, që është shpallur dhe ditë zie kombëtare.
“Është e çuditshme që e dëgjoj këtë pyetje nga mëngjesi deri në darkë, nuk ka kuptim sot, çfarë do të thotë? Akti formal i gjendjes së jashtëzakonshme nuk është se sjell më shumë sesa ka sjellë. Natyrisht nesër është dita për të menduar të gjitha edhe këtë që po thoni ju, nejse, ju jeni të pafajshëm, të fajshëm janë ata që vijojnë të cysin edhe sot. Ne do i vlerësojmë të gjithë, por një gjë është e sigurt, këta njerëz do të trajtohen në mënyrë dinjitoze nga strehimi. Nuk kemi pasur kohë të mendojmë për aspektet formale, kemi dhënë dhe po japim gjithçka. Ditën dhe natën nuk jemi Franca, Gjermania, as Greqia dhe Italia që kanë eksperienca të gjata në këto sfida, por më lejoni të jem mirënjohës”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se nata që kaloi ishte më e keqe sa s`mbahet mend. Megjithatë, Kryeministri shprehu falenderimin për vendet që u solidarizuan për të përballuar këtë situatë të vështirë që po kalon vendi. “Ka kaluar nata me e keqe që s’mbahet mend për të gjithë kombin shqiptar. Fatkeqësisht kanë humbur jetë njerëzish, por kjo ditë ka pasur lehtësimin shpirtëror nga jo pak jetë të shpëtuara dhe kjo ditë ka qenë, dita e gjithë atyre njerëzve të zakonshëm që me uniformën e policisë së shteti, urgjencës, zjarrfikëseve apo edhe uniformave nga trupat e ardhura nga Kosova kanë ndihmuar. Kanë qenë të gjithë elementë të kësaj dite. Bluzat e bardha vazhdojnë të jenë në krye të detyrë për të shpëtuar jetë njerëzish për të lehtësuar traumën. Bilanci i humbjeve nuk ka përfunduar. Kjo ka qenë një ditë sa e rëndë aq e mbushur me emocione për shkak të solidaritet të të gjithë shqiptarëve dhe të miqve të këtij vendi që janë ngritur në këmbë, që nga Italia, Greqia , Franca, Turqia, Gjermani, Kroacia”, tha Rama.
Ora 19: 30- Presidenti Meta në Durrës
Presidenti Ilir Meta ka shkuar në mbrëmje në zonën ku ndodhen grupet e shpëtimit për të ndjekur nga afër operacionin. Presidenti Ilir Meta ka mbërritur mbrëmjen e sotme në Durrës, një nga qytetet e prekura më rëndë nga tërmeti i fortë. Ai ka ndjekur nga afër operacionin e nxjerrjes nga rrënojat të Klajdit, i riu nga Tirana i cili mësohet se po nxirret nga reparti i forcave speciale të mbërritura nga Janina.
ORA 19:00- Shqiptarët në SHBA mbledhin para për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti
Fondacioni Global Shqiptar së bashku me Germin dhe Shoqëria Shqiptare Amerikane e Masaçusets, kanë filluar grumbullimin e parave për të ndihmuar të gjithë shqiptarët që u prekën nga tërmeti që goditi sot Republikën e Shqipërisë.
Një tërmet 6.4 ballësh goditi Durrësin me rrethinë sot në orët e hershme të mëngjesit duke shkaktuar viktima në njerëz dhe dëme të mëdha materiale.
Deri më tani janë 21 viktima të konfirmuara por ky numër po vazhdon të rritet. 395 persona janë plagosur.
Kontributi i mbledhur do të shkojë drejtpërdrejt për individët e prekur nga tërmeti dhe ëpr organizatat që po punojnë për t’i ndihmuar ata.
“Kontributi juaj do të shkojë drejtpërdrejt tek individët e prekur nga tërmeti dhe organizatat jo-fitimprurëse që po punojnë për t’i ndihmuar ata. Të jeni të sigurt se ne nuk do të nxitojmë në këtë situatë kaotike dhe të jemi joefikas – ne do të maksimizojmë përfitimet e donacioneve tuaja duke identifikuar partnerët lokalë të besueshëm dhe efektiv në Shqipëri për të punuar me ne. Ju faleminderit shumë për mbështetjen tuaj! Zoti ju bekoft!”, thuhet në komunikatë.
ORA 18:20 -Qeveria: Nesër ditë zie kombëtare
Qeveria shqiptare ka vendosur të shpallë ditën e nesërme (27 nëntor 2019) ditë zie kombëtare, pas tërmetit shkatërrues me magnitutë 6.4 ballë që deri më tani ka shënuar 20 viktima dhe qindra të plagosur.
ORA 18: 10- Lëkundje të tjera tërmeti
Të tjera lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë pak sekonda më parë në vend. Për momentin nuk dihet ende forca e goditjes apo epiqendra.
Sipas të dhënave paraprake goditja ka qenë 4 ballë e Shkallës Rihter.
ORA 17:55- Ministri i Jashtëm: Të dy vëllezërit kosovarë kanë vdekur në Durrës
Ministri i Jashtëm në detyrë, Behxhet Pacolli shkruan se edhe kosovari i dytë te Hotel Tropikal ka ndërruar jetë. Ata thuhet kishin pesë ditë që ishin duke qëndruar në Shqipëri duke punuar. “Shemsedin dhe Isa Abazi, dy vëllezër nga Gjilani janë dy nga viktimat e sotme. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Abazi. Ne ndajmë dhimbjen tuaj!”, ka shkruar Pacolli. Në orët e para të ditës së sotme pas rënies së tërmetit dy të rinjtë nga Kosova ishin gjallë dhe kërkuan ndihmë përmes telefonit, por nuk arritën që të mbijetojnë deri në ndërhyrjen e grupeve të shpëtimit, që i nxorën të pajetë.
FOTO prekëse, djepi i një fëmije në rrënoja
Janë shumë foto të trishta ato të cilat po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale, të cilat pasqyrojnë njërën anë dramatike të tërmetit të sotëm që tronditi Shqipërinë. Një prej këtyre fotove është edhe ajo e një djepi në rrënojat e njërit prej pallateve të shembur në Thumanë; foto e postuar nga gazetarja Klodiana Lala. Një foto që tregon tragjedinë e vërtetë që ka prekur të madh dhe të vogël sot në Shqipëri.
ORA 17:20 -Mbyllet Mbikalimi i Shkozetit
Autoriteti Rrugor vendos të mbyllë trafikun tek Mbikalimi i Shkozetit. Ky vendim u mor pas tërmeteve të përsëritura gjatë ditës. Kontraktori dhe Policia Rrugore janë prezente në vend për të drejtuar trafikun. ARRSh kërkon mirëkuptimin e banorëve dhe përdoruesve të rrugës derisa kjo situatë të qetësohet.
ORA 17:00-Tre aeroplanë me skuadra shpëtimi nisen nga Turqia për në Durrës
Aeroplanë me skuadra të specializuara shpëtimi janë nisur para disa minutash nga Turqia. Këtë e ka konfirmuar vetë AFAD ( Qendra për Menaxhimin e Emergjencave dhe Tragjedive) që vepron nën direktivat e qeverisë turke, raporton Gazeta Express.
“AFAD pas tërmetit me madhësi 6.2 në Shqipëri. 3 avionë po transportojnë ekipet e kërkim shpëtimit” , thuhet në njoftimin e AFAD në twitter. Shqipërisë i janë vënë në ndihmë shumë shtete të tjera. Atje po qëndrojnë edhe pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë së Kosovës. Deri tani numri i viktimave ka shkuar në 18, ndërkohë të lënduar mbi 600.
ORA 16:41-Ministria konfirmon: 18 të vdekur nga tërmeti
Ministria e Mbrojtjes konfirmon se ka shkuar ne 18 numri i viktimave, si pasojë e tërmetit tragjik që goditi vendin ditën e sotme.
ORA 16:30- Mbërrijnë ekspertët francezë
Kanë mbërritur në Rinas ekspertët franceze të Emergjencave Civile. Ata pritet t’i vijnë në ndihmë forcave shqiptare për shpëtimin e personave që gjenden nën rrënoja si pasojë e tërmetit. Më herët në Rinas mbërritën edhe forcat greke dhe italiane.
ORA 16:25 -Ministrja Shahini: Shkollat, kopshtet dhe çerdhet mbyllur edhe nesër
Pas situatës tragjike pas tërmetit shkatërrues, të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e vendit (përfshirë edhe ato jopublike) edhe ditën e nesërme (datë 27 nëntor 2019) do të jenë pushim. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini.
“Jam e tronditur nga humbja e jetëve dhe lëndimet trupore që kanë pësuar qytetarët si pasojë e tërmetit, siç besoj është edhe e gjithë Shqipëria. Ndaj kemi vendosur që të pezullojmë mësimin në të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e vendit (përfshirë jopubliket) edhe ditën e nesërme (datë 27 nëntor 2019) në mënyrë që familjet të qëndrojnë së bashku dhe ta përballojnë situatën duke u solidarizuar me ata që u prekën më së shumti nga kjo tragjedi”. Ministrja Shahini u shpreh se me ekipet po vijojnë ndërkohë me evidentimin e dëmeve materiale dhe hartimin e planit të masave për shkollat e dëmtuara. Nga ana tjetër, ajo shprehu ngushëllimet ndaj të gjitha familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, si dhe t’i uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë të lënduarve.
ORA 16: 18 – Identifikohen 10 prej 17 viktimave
17 janë personat që kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi vendin rreth orës 03:50. Viktimat janë banorë të Durrësit, Kurbinit dhe Thumanës. Janë identifikuar emrat e 10 prej viktimave nga Spitali i Durrësit, ku në total numërohen 17 deri më tani.
Ora 16:05- Nxirret i pajetë nga hoteli i shembur një nga vëllezërit
Një tjetër i pajetë është nxjerrë nga rrënojat. Pas orëve të gjata, prej tërmetit të rënë në 03:55, një djalë nga Kosova është nxjerrë nga forcat e policisë dhe ushtria i pajetë. Numri i viktimave ka arritur në 17. Së bashku me vëllain e tij, djali nga Kosova kishin mundur të kërkonin ndihmë përmes telefonit, por pas orëve të tëra në operacion shpëtimi, ai nuk mundi t’ia dalë. Hoteli është shembu i gjithi siç edhe shihet në foton që Shqiptarja.com sjell. Nuk dihet ende se si do të jetë fati i vëllait të tij, ndërsa lutjet e të gjithëve tashmë janë që personat nënë rrënoja t’ia dalin të mbijetojnë.
ORA 16:00- Basha: Shpallni gjendjen e jashtëzakonshme
Kryedemokrati Lulzim Basha ka shkuar të vizitojë të prekurit e tërmetit në Durrës dhe ka bërë një thirrje për qeverinë. “Përsëris thirrjen ndaj qeverisë për të mos u vonuar asnjë çast me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”, shkruajti Basha në Facebook.
Ndër të tjera, ai kërkoi që të punojmë si një familje e madhe për të kaluar këtë tragjedi që ka prekur vendin tonë. Pas Thumanës, pranë familjeve dhe banorëve të Durrësit. E kam të vështirë të gjej fjalë për dhimbjen që prek dhe ndjej tek prindërit dhe të afërmit që kanë humbur më të dashurit e tyre. Por po kaq i prekur jam nga kurajo dhe solidariteti i njerëzve, që me gjithë tronditjen, gjejnë forcë për të ndihmuar, për t’iu gjendur pranë bashkë-qytetarëve dhe familjeve në fatkeqësi.
Mirënjohje dhe mbështetje totale për çdo qytetar, mjek, infermier, punonjës policie, personelin e strukturave të emergjencës dhe të forcave të armatosura që me gjithë kushtet dhe rrethanat e rënda po sakrifikojnë për të goditurit nga tragjedia. Nga Durrësi përsëris thirrjen ndaj qeverisë për të mos u vonuar asnjë çast me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe për të mbështetur operacionet e emergjencës me bazë materiale adekuate.
Vëllezër dhe motra, të bëjmë gjithçka për të ndihmuar dhe për t’ju gjendur pranë çdo bashkëqytetari që ka humbur të afërmit, për ata që janë akoma nën rrënoja, me shpresën dhe lutjet për jetët e tyre, për të lënduarit dhe për të dëmtuarit nga kjo fatkeqësi.
Të gjithë në këmbë, ti japim dorën e ndihmën njëri-tjetrit, pa kushte dhe pa kursyer asgjë. Të bashkuar si një familje e madhe, do t’a kalojmë këtë fatkeqësi.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!”, shkruajti Basha.
ORA 15:45-Sizmologu Ormeni: Është ndër 55 tërmetet e fortë që ka rënë gjatë 2 mijë vjetëve
Sizmologu Rrapo Ormeni tha në studion e “News24” se tërmeti i mëngjesit të sotëm ishte ndër 55 tërmetet më të forta që kanë goditur vendin tonë.
Ormeni tha se tërmetet nuk mund të parashikohen, por sipas tij, pas lëkundjes së fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter pritet që pasgoditjet të jenë më të vogla. “Është ndër 55 tërmetet e fortë që ka rënë deri më sot. Tërmeti kishte thellësi të madhe, 33 km. Pas ’69, ky ka qenë tërmeti më i fortë. Shkenca nuk mund t’i përcaktojë tërmetet, nuk mund ta bëjë askush. Ky tërmet ka rënë në zonën e zjarrit, që karakterizohet nga tërmete të fuqishme. Tërmeti nuk parashikohet. Pasgoditjet vijojnë, dhe siç dihet edhe një goditje e vogël shkakton panik”, tha sizmologu.
ORA 15:30- Mas për situatën pas tërmetit në Durrës
Nisin kontrollet në të gjitha subjektet e dëmtuara nga tërmeti në Durrës, me qëllim heqjen e depozitave qendrore të gazit. Kështu, në zbatim të urdhrit të brendshëm të kryeinspektorit, strukturat e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), duke bashkërenduar aksionin edhe me Shtabin e Emergjencave Civile, kanë ushtruar kontrolle në të gjitha subjektet e dëmtuara gjatë tërmetit në zonën e Durrësit, me qëllim heqjen e depozitave qendrore të gazit në subjektet me impiante qendrore të GLN.
Nga ana e grupeve të ISHTI janë hequr 6 depozita të mëdha, konkretisht në subjektet:
1- Vila Verde
2-Hotel Lubjana
3- Hotel Tropikal
4- Karburant Gega “plazh ”
5- Hotel Mia Mar
6- Restorant Reom në Manzë Durrës
Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), sqaroi se kontrollet po vijojnë edhe në zonat e tjera të prekura nga tërmeti.
ORA 15:18-Nxirret i gjallë nga gërmadhat, i mbijetuari i 43-ë i tërmetit
Nxirret i gjallë nga gërmadhat, i mbijetuari i 43-ë i tërmetit tregon se është ‘OK’. I riu tregon se ndodhet jashtë rrezikut për jetën duke ngritur dy gishtat. Forcat e shpëtimit dhe emergjencës civile ia dolën të shpëtojnë personin e 43-ë pas rënies së tërmetit të fuqishëm 6.4 ballë në territorin e Shqipërisë. Është bërë e mundur shpëtimi i një djali, i cili paraqitet në gjendje koshiente. Për të treguar se ndodhet në gjendje të mirë fizike, i riu bëri shenjën ‘OK’ duke i çliruar banorët nga ankthi. Por, pas shpëtimit, ai rrëfeu se poshtë rrënojave të Hotel ’’Miramare’’ ka dhe persona të tjerë të bllokuar. Operacionet e shpëtimit po vazhdojnë të kryhen. Presidenti Meta uli Flamurin Kombëtar në gjysmështizë në kujtim të 15 jetëve të humbura nga tërmeti i mëngjesit të sotëm në 03:57. Shqipëria ka marrë asistencë nga Rumania, Greqia, Italia, Kosova në bazë financiare dhe materiale.
ORA 15:18 – Veliaj: 500 ndërtesa të dëmtuara
Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaron se nga një vlerësim paraprak janë rreth 500 ndërtesa të cilat kanë pësuar dëmtime të cilat do të riparohen menjëherë pas kalimit të këtyre momenteve. Në një intervistë për Euronews, Veliaj thekson se të gjithë grupet e punës janë në terren për të ofruar ndihmë në qendrat sociale, ndërkohë që do të punojnë 24 orë derisa të bëhet një vlerësim profesional i këtyre shtëpive.
Ai nënvizon se Bashkia e Tiranës ka ofruar menjëherë një fond prej 100 mijë eurosh si asistencë imediate për Thumanën dhe Durrësin, ndërkohë që janë nisur me urgjencë edhe grupet zjarrfikëse dhe specialistë për të ndihmuar në zonat më të dëmtuara nga tërmeti.
ORA 15:00- Mbërrin ekipi i emergjencave greke
Ekipi grek i specializuar për kërkim shpëtim në rastet e tërmeteve ka mbërritur në orën 15:00 në aeroportin e Rinasit. Ekipi i ekspertëve të Emergjencave Civile greke do të ndërhyjë në zonat më prekura nga tërmeti në Durrës dhe në Thumanë.
ORA 14:59-Njoftim i rëndësishëm për qytetarët: Mos përdorni ashensor
Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë një njoftim për të gjithë qytetarët që të mos përdorin ashensorin e pallatave deri në një moment të dytë. “Përdorues të ashensorëve/Banor/
ORA 14: 50-Ministria e Infrastrukturës, thirrje inxhinierëve dhe arkitektëve
”Situata është e rëndë. Ndihma juaj shpëton njerëz”, kjo është thirrja që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën për të gjithë inxhinierët dhe arkitektët në vend. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bën thirrje për solidarizim të inxhinierëve të ndërtimit dhe arkitektëve me eksperiencë për të qenë pjesë në grupin e emergjencave që është ngritur pranë stadiumit, në Durrës. Grupet do të përbëhen nga 2 ose 3 veta dhe të shpërndahen në qytetin e Durrësit. Ministria bënë thirrje vullnetarëve të paraqiten ose të konfirmojnë me mesazh se do të jenë pjesë e këtyre grupeve, në numrin e telefonit +355682007099.
ORA 14:45- Mbërrin në Rinas ekipi i specialistëve nga Mbrojtja Civile italiane
Forcat e specializuara italiane aktualisht po nisen drejt Durrësit dhe Thumanës për t’i ardhur në ndihmë banorëve që gjenden nën rrënoja.
ORA 14:05- Tjetër lëkundje 5 Ballë
Ministria e Mbrojtjes njofton se “lëkundjet e fundit, në orën 14:10, ishin me magnitudë 5 të shkalles Rihter, me epiqendër në Kepin e Rodonit”.
ORA 13:50- Flamuri Kombëtar në gjysëm shtizë në Presidencë
Flamuri Kombëtar, në Institucionin e Presidentit të Republikës është ulur sot në gjysëm shtizë. “Në nderim të jetëve të humbura nga kjo fatkeqësi e madhe për mbarë vendin tonë!”,- shkruan kreu i shtetit në një mesazh në rrjetet sociale. Deri në orën 13:50 llogariten 12 viktima dhe më shumë se 600 të plagosur si pasojë e tërmetit.
Në nderim të jetëve të humbura nga kjo fatkeqësi e madhe për mbarë vendin tonë! pic.twitter.com/3LmcgLvuOc
— Ilir Meta (@ilirmetazyrtar) November 26, 2019
ORA 13:45-Rama: Do të bëjmë çdo gjë për të shpëtuar qytetarët
“Plaga e madhe do të na bëjë më të fortë nesër”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në komunikimin e tij të parë me qytetarët shqiptarët pas shkundjes së Shqipërisë nga tërmetet që kanë marrë deri tani jetën e të paktën 13 qytetarëve, dhe ka lënduar mbi 600 persona të tjerë. Kryeministri theksoi se janë 41 persona të shpëtuar nga rrënojat, ndërsa garantoi se do të bëhet çdo gjë e mundur për të shpëtuar jetët e qytetarëve që janë ende nën rrënoja.
Ora 13:40- Mediat e huaja: “Tërmeti vrastar godet Shqipërinë”
Mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar gjerësisht gjendjen e krijuar në Shqipëri nga lëkundjet e fuqishme të tërmetit, që deri më tani i kanë marrë jetën 8 personave dhe kanë lënduar rreth 600 të tjerë. Mediat italiane i kanë kushtuar vëmendjen kryesore kësaj situate, duke publikuar në faqet online foto dhe video të operacioneve për kërkimin e të mbijetuarve në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara në Durrës dhe Thumanë.
Siç shkruan ‘La Repubblica’, lëkundjet e fuqishme janë ndjerë në gjithë jugun e Italisë deri në Napoli. Citohet Kryeministri italian Giuseppe Conte, i cili ka urdhëruar menjëherë dërgimin e ndihmave me avion nga Italia për Shqipërinë. Tërmet vrastar e quajnë mediat greke atë të orëve të para të kësaj të marte. Edhe në mediat e vendit fqinj pasqyrohen gjerësisht pasojat e lëkundjeve në Shqipëri si dhe ndihmat e ofruara nga Kryeministri dhe ministri i Jashtëm grek për qeverinë shqiptare. Situata është pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat britanike, franceze e gjermane.
ORA 13: 30 -Kosova një minutë heshtje dhe ndihma për Shqipërinë
Qeveria e Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje për viktimat e tërmetit. Në këtë mbledhje të jashtëzakonshme kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka njoftuar së përveç njësitëve të FSK-së dhe Policisë së Kosovës ka bërë mobilizimin e kompanive private që kanë kontratë me Qeverinë të nisen drejt Shqipërisë për të qenë në gjendje gadishmërie për çfarëdo nevoje. Po ashtu ndërmarrjet publike Trepça dhe Koorportata Energjitike e Kosovës kanë dërguar ekipet e zjarrfikësve. Derisa Ministri i financave ka propozuar ndarjen e mjeteve prej 500 mije eurove.
ORA 13: 15 – Moment drithërues, polici nxjerr nga rrënojat nënën e tij
1900 forca policie janë të angazhuar në terren për të ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti 6.4 ballë që ka tronditur Shqipërinë. Njëri prej policëve ka mbërritur pikërisht në pallatin ku nëna e tij jetonte, në Thumanë. Ai u përfshi intensivisht për të shpëtuar nënën nga rrënojat dhe banorët e tjerë, pa e ditur se operacionin e shpëtimit do ta bënte pikërisht në atë vend. Epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të qytetit të Durrësit dhe 32 kilometra nga Tirana, ndërkohë që dëmet më të mëdha janë shkaktuar në qytetin bregdetar.
ORA 13:16 – Pamjet e ndërtesave të shkatërrruara në Thumanë
Ora 12:30 -Sizmologu i njohur grek: Rreziku më i madh nga tërmeti në Shqipëri kaloi
Sizmologu i njohur grek Akis Tselentis ka deklaruar në një prononcim për mediat në Athinë se nuk pritet tërmet më i fortë se ai që goditi vendin tonë, pasi rreziku më i madh kaloi. “Tërmeti i Durrësit u ndje deri në Patra, jug të Greqisë. Epiqendra ishte në Adriatik. Tërmeti i parë ishte 6.4 kurse i dyti 5.8. Shtëpitë në Shqipërisë nuk janë si të Greqisë. Në Shqipëri nuk janë ndërtuar shtëpitë me standardet për të përballuar tërmetet. Si pasojë kemi kaq të plagosur dhe te vdekur. Nuk pritet të kemi më tërmet kaq të madh, mund të pasohet nga të vegjël. Tërmeti i Durrësit ishte qendror. Por ka rrezik që mund të ketë tërmete në Korçë sepse çarja e Durrësit ngatërrohet me atë të Korçës. Aty ku mbaron çarja e Durrësit fillon e Korçës” tha ai.
Ora 12:50- Njoftohet mbledhja e Shtabit të Emergjencave, Tiranë
Ministria e Brendshme njofton se sot në orën 14:00 do te zhvillohet mbledhja e Shtabit te Emergjencave, Tirane. Takimi do te zhvillohet tek salla ne Këshillin e Qarkut Tiranë.
Lexoni edhe
- Rumani nisa drejt Shqipërisë një avion me 52 efektivë specialë
- Presidenti Meta vizitë në Shtabin e Emergjencës në stadiumin e Durrësit
- Sizmiologu grek niset për Shqipëri: Dëmet nuk erdhën nga forca e lëkundjeve
- Pse ndodhin tërmetet në Shqipëri? Analiza e sizmiologut Kasaj
https://www.facebook.com/oligert.musta.9/videos/pcb.3147895855225529/3147892141892567/?type=3&theater
Ndërkaq banorët e Tiranes dhe të Durrësit, por edhe të zonave të tjera, të tmerruar kanë braktisur banesat e tyre nëpër pallate dhe kanë dalë në rrugë. Më poshtë pamje nga situata në lagjet e Tiranës dhe në Durrës.
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka mbërritur në Thumanë pranë banorëve të dëmtuar më rëndë nga tërmeti. Kreu i Shtetit e ka përshkruar dramatike situatën duke kërkuar të bëhet çdo përpjekje për të nxjerrë banorët nën rrënoja. “Situata mjaft dramatike. Po bëhet çdo përpjekje për të nxjerrë banorët nën rrënoja”, u shpreh Meta.