Vera mbërrin para kohe! Temperaturat pritet të arrijnë kulmin në Shqipëri

Meteorologia Lajda Porja, për Euronews Albania, njoftoi se kjo javë do të karakterizohet nga mot i nxehtë dhe i kthjellët.

Sipas Porjës, që nga dita e martë do të nisë një rritje graduale e temperaturave, me kulmin që do të arrihet të enjten dhe të premten, ku pritet që termometri të shënojë deri në 30°C.

Ajo theksoi se këto vlera termike janë tipike për verën dhe rezultojnë 6-7 gradë më të larta se mesatarja e zakonshme për fundin e prillit.

Sipas saj, nga e marta deri të premten temperaturat do të rriten çdo ditë, duke kapur kulmin mbi 30°C në qytete si Elbasani, Berati dhe Kuçova, ndërsa fundjava do të sjellë një ulje të lehtë, me vlera rreth 28°C. Era do të jetë e lehtë deri mesatare, çka do ta bëjë detin veçanërisht të qetë në orët e paradites.

“Nga nesër dhe deri në fundjavë, më në fund do të vijë koha me shumë diell, duke qenë se muaji prill ka pasur disa ditë me reshje. Parashikohet që të kemi intervale të gjata me diell gjatë gjithë fundjavës. Do të thoja se vranësirat e lehta dhe kalimtare do të jenë vetëm në zonat malore, ndërsa reshje do të ketë vetëm në shkallë të vogël në rajonin verior, por do të jetë një fundjavë fantastike, sidomos për vijën bregdetare,” tha Porja.

“Termometri ngjitet në 27 gradë Celsius nga e marta deri të premten, ku çdo ditë do të ketë rritje, ndërsa dy ditët më të nxehta do të jenë të enjten dhe të premten, kur temperaturat do të kalojnë 30 gradë Celsius. Në Elbasan, Berat, dhe Kuçovë temperaturat do të jenë mbi 31 gradë, një temperaturë tipike qershori. Edhe fundjava, edhe pse sjell një rënie të lehtë të temperaturave, do të ketë 28 gradë Celsius. E gjithë java do të jetë një javë me diell. Parametrat e erës do të jenë të lehta deri në mesatare, duke favorizuar dhe personat që pëlqejnë bregdetin, ku paradite deti do të jetë i qetë,” vazhdoi ajo ajo.

SHKARKO APP