A duhet të kthehet në Shqipëri Ismail Kadare
12 korrik 1991
A duhet të kthehet në Shqipëri Ismail Kadare
Në dhomën time të vogël ku çrregullsia e gjërave krijon çuditërisht një mjedis të këndshëm, më ndodh herë-herë që muret, si në një magji, të afrohen kaq shumë me njëri-tjetrin duke më sajuar në gjoks një trysni gati të papërballueshme. Shpirti s’ka paqe. Një tufë brengash varen në ndërgjegje dhe rëndojnë kaq shumë. Në fletët e poezive të revoltuara shfaqen herë-herë si reflekse zbutëse, leshrat e verdhë të një vajze që i kam folur si rastësisht 100 vjet më parë, por që jo rastësisht ka zënë vend në kujtesë.
Nocioni kohë tani më është i paperceptueshëm. Në ç’stinë jetojmë?
Ngre kokën nga qelqet e avullta të dritares që sheh Veriun. Një degë e brishtë hardhie varet përsipër saj si dëshmi e vetme e mesverës. Të gjitha dëshmitë e tjera të kohës (sado që mundohesh të sajosh dëshmi të reja) mungojnë dhe unë besoj se vjeshta ka për të ardhur disi vonë dhe për rrjedhojë disi vonë ka për të ardhur edhe paqtimi i shpirtrave të trazuar, kushedi nga ç’shkaqe të panumërta. E ndoshta në morinë e pafund, një prej shkaqeve madhore të mospaqtimit të shpirtrave njerëzore lidhet me murin përballë që magjia ta afrojë kaq pranë duke të të sjellë para syve të ënjtur prej pagjumësisë një foto të madhe e të menduar të gjeniut të letrave moderne shqipe, Kadaresë. Në atë mesvjeshtë të shkuar, ku radioja Zëri i Amerikës përhapte në eter lajmin e përmasave ndërkombëtare, Shqipëria jo më kot, gjendej poshtë një mjegulle të hirtë, të lagësht e të dendur. Asokohe një shoku im, M.D., që kishte pasur rastin të rrinte një, dy a tri herë me gjeniun në hotelin e Gjuetisë, më pati thënë me solemnitet se shkrimtari i madh, me largimin e tij nga Shqipëri, s’po bënte asgjë tjetër veçse po zbatonte kësisoj ligjësitë e një universi të quajtur Kadare. Superlativi i këtij pohimi mbase kish aty këtu edhe ndonjë të vërtetë. Por, siç thashë, qe pikërisht mjegulla 46-vjeçare (e cila për fat të mirë po nisej të çahej) që krijoi një terren të tillë, prej nga ku në mes të agonisë pseudointelektualët dhe rrugeçërit e tjerë të shkolluar, por e veshur me pushtet, hodhën anatemat e tyre ndaj figurës qendrore të të dy dekadave të fundit në Shqipëri. Por mjerisht liliputët e ishullit të veçuar komunist, disa prej të cilëve (për fatin e tyre të keq) arrinin edhe deri afër thembrës së viganit Kadare, kujtuan më në fund se me dëbimin “de juro”të gjeniut nga Atdheu kurorëzuan me sukses një luftë të turpshme kundër inteligjencës shqiptare në përgjithësi. E vërteta qe ndryshe. Mjeranët nuk arrinin dot të kuptonin se ishin pikërisht ata që kishin humbur, pasi largimi i Kadaresë nga Shqipëria ishte pikësëpari akuza më e madhe që ishte ngritur ndonjëherë ndaj diktaturës që ata përfaqësonin në gjithë historinë e saj. Akti Kadarian, i cili përmbante në vetvete edhe sublimen, përbënte kështu sfidën më të madhe ndaj burokracisë dhe njeriut që përfaqësonte majën më të lartë të piramidës partiako-shtetërore.
Paterica komuniste në përpjekjet e saj të fundit për të mbijetuar nuk e kishte për gjë të fyente edhe një herë ndërgjegjen kombëtare: “Kadareja dezertoi”! Tanimë edhe një adoleshent që dinte nga gjeniu vetëm vargjet “Zhurmë e shiut në pullaz”s’do të qe kurrsesi dakord me një lidhje të tillë komuniste fjalësh. Sepse síç e thashë mjegulla, për fatin e mirë, kish nisur të çahej. Është krejt e thjeshtë të mendosh se alergjia e aparatçikëve të shtetit ndaj gjeniut të përbotshëm qe tejet e justifikuar. Ndërkohë që u thureshin elozhe e himne sançopançiste fjalimeve prej Don Kishoti të Enver Hoxhës mbi rëndësinë e patates dhe rrezikun e revizionizmit, gjeniu Kadare në kahun tjetër, me veprën e tij, po bënte me shumë kujdes autopsinë e një sistemi të tërë “…si është e mundur që një popull me përmasa të tilla të admininistrohet nga një regjim qesharak, madje është pak ta quash kështu”.
(“Dosja H”1981)
Tani kur gjithçka ka mbetur prapa e kanë kaluar muaj të tërë pritjeje e ankthi në qerthullin e ëndërrimeve e përsiatjeve tona të përditshme ka hyrë me tërë madhështinë e tij, gjeniu. Bibliotekat në pjesën më të ndritur të tyre, mbajnë një peshë të disafishtë. Kjo jo vetëm për faktin e peshës kolosale të veprës në tërësi, por se si ndodh një art i krijuar nën diktaturë, një art i nivelit bashkëkohës botëror!
Dhe përballë këtij arti të madh pyetja, nëse Kadareja duhet të kthehet në Shqipëri, është gati-gati e dyshimtë! Kthimi i Kadaresë në Shqipëri (më tepër se sa e atij vetë) është një çështje e popullit të tij.
Gjeniu që i ka dhuruar, përmes privacionesh Atdheut ,një thesar, ia ka besuar KTHIMIN popullit të vet. Mund të thuhet se ditardhja e Kadaresë në Atdhe do të jetë ditëftesa e demokracisë së plotë në Shqipëri, e për pasojë sa kohë që Kadareja do të vonojë në kthimin e tij, ne do të kuptojmë përditë e më tepër se në vend akoma nuk janë zhdukur kthetrat e diktaturës, se në vend akoma nuk është vendosur plotësisht demokracia.
Populli shqiptar duke aspiruar për ndërtimin e vërtetë të demokracisë në vendin e tij, përgatit terrenin për kthimin dinjitoz të gjeniut. Dhe populli shqiptar do ta bëjë këtë sa më shpejt. Atëherë shpirtrat e trazuar do të kenë pranë vetes, bashkë me hardhinë që dridhet tej dritares si gjallesë mishi, edhe dëshminë më kolosale të kohës që jetojmë, Kadarenë./Marash Mirashi/