Agron Çobani: Si trajtohen të sëmurët shqiptarë në Greqi

(Botuar me 15 Prill 1998 në KOHA JONE)

Nga Agron Çobani-

Këtë shkrim kam ditë, që e kam nisur me dëshirën për ta botuar porsa u ktheva nga Greqia, ku qeshë për një operacion në zemër. Por meqë kishte të bënte me Greqinë dhe grekët e shtyva ca ngaqë në atë vend nisi kthimi masiv i shqiptarëve nga policia e atjeshme. Dhe tamam kur mendova se erdhi koha për ta botuar shkrimin, plasi problemi tjetër, kthimi i artistëve shqiptarë në kufirin shqiptaro-grek, teksa ishin nisur për në kryeqytetin e vendit fqinj, për të dhënë një koncert për bashkatdhetarët e tyre.

Me sa mësova nga Televizioni shtetëror dhe shtypi, kthimi i artistëve shqiptarë u bë nga që kishte vdekur kryepeshkopi grek dhe vendi ishte në zi. Edhe pse preteksti është absurd, duke respektuar ndjenjat e popullit grek për humbjen e njeriut të perëndisë, na duket i pavend një veprim i tillë. Këtu nuk bëhet fjalë për të dhënë koncert në një periudhë zije për një vend e popull, se shqiptari nuk e ka as për zakon e as për nuk e ka as për zakon e as për kulturë, që të këndojë aty ku qahet. Problemi qëndron te mënyra e të sjellurit, tek përçmimi dhe konsiderata ndaj tyre. Të jetë kjo punë policësh dhe doganierësh? Sidoqoftë e vërteta dhe e rëndësishmja qëndron në faktin se artistët, ndër më të mirët e vendit jo vetëm, që nuk u lejuan të kalojnë kufirin, por u lanë në shi e në të ftohtë për 20 orë rresht dhe vetëm pas kaq orësh u kujtuan t’u thonë se nuk mund të kalojnë se vendi është në ditë zije. Grekët, qofshin këta edhe policë e bënë këtë. Po shqiptarët, Ministria e Jashtme, Ambasada shqiptare në Athinë, Konsullata në Janinë ç’bëri? Të paktën deri dje mjetet e informimit publik nuk kanë thënë se kanë bërë gjë. Për të shkuar më tej unë do të thosha se edhe ministria e Kulturës me një herë duhej t’i drejtohej homologut të vetë grek me një mesazh, ku t’i bënte të njohur shqetësimin e vet për keqtrajtimin e artistëve shqiptarë nga policia kufitare greke, madje t’i vinte në dukje se kur artistët grekë kanë ardhur në Shqipëri janë mbajtur në pëllëmbë të dorës. Të vinte në dukje se ca palo policë kanë fyer personalitete të kulturës shqiptare, jo do si do. Po të bëhej kështu edhe artistët tanë do ta ndjenin veten më të lehtësuar, pas asaj ndjenje poshtërimi, që pësuan në pikën kufitare të Kakavijës. Do të krijohej një opinion tjetër dhe njerëzit me të drejtë do të thoshnin se grekët vërtet i kthyen artistët tanë në kufi, por ata kanë mbrojtjen dhe mbështetjen e shtetit. Pala tjetër nga ana e vet do të vihej në pozita të tjera dhe herë tjetër kur të kishte të tilla raste do të mendohej mirë para se të vepronte.

Qëndrim tjetër ndaj shqiptarëve

S’dua ta besoj se në kontaktet, që kam patur me njerëz e personalitete të fushave të ndryshme kam ndjerë tjetër atmosferë, të tjera mendime e konsiderata për Shqipërinë e shqiptarët. Spitali Papanikolau, në Selanik është nga më të mëdhenjtë e qytetit dhe tepër i dëgjuar për kirurgjinë e zemrës, falë mjeshtërisë dhe zotësisë së pashoqe të kryekirurgut Spiro, i njohur e i dëgjuar edhe ndër ne. Shtypi shqiptar ka shkruar për të jo vetëm si një kardiokirurg, por si një mik i mirë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Ai vetë tregon se ka operuar mbi 1000 shqiptarë. Për të mund të flitet e të shkruhet shumë dhe përsëri nuk do të mjaftonte. Por Dr. Spiro nuk është i vetmi në këtë spital.

Drejtori i repartit të kardiologjisë, Profesor Doktor Sterio Kurogllu, është gjithashtu një mik i vërtetë i shqiptarëve. Në duart e tij me një përllogaritje të shpejtë del se kanë kaluar të paktën 2000 shqiptarë. Kjo për faktin se çdo pacient përpara se të operohet duhet të kalojë në koronarografi, për t’u diagnostikuar saktësisht. Dhe koronarografinë e bën Dr. Sterio me ekipin e tij. Mjek me një stazh mbi 30-vjeçar, me tituj e grada të larta shkencore, autor i disa studimeve shkencore në fushën e kardiologjisë, pedagog në Universitetin mjekësor e merita të tjera, shquhesh për një thjeshtësi të admirueshme. Dinamik, aq sa të jepte përshtypjen se ishte i papërqendruar, por që i kryente të gjitha punët me përpikëri. Minutat, që qëndrova në zyrën e tij pashë të hynin e të dilnin njerëz të pambarim, mjekë-kolegë dhe pacientë, hallexhinj e miq të tij. Të gjithëve u jepte përgjigje dhe u mbaronte punë. Kur nisëm bisedën bashkë dhe mori vesh hallin tim, pak si i nervozuar tha se do të mbaronim punë, por si do të bëhej halli i shqiptarëve fukarenj. Unë i thashë, se po qe për fukara, zotëria që kishte përpara ishte ndër më të varfrit. (Mua edhe udhëtimin ma kish sponsorizuar Publimedia dhe po qe se afaristi i shquar që jetonte dhe punonte në Selanik, që më shumë se me para ishte i pasur në shpirt Gjergji Ndrio, nuk do të interesohej, nuk e di nëse do të ishte gjallë e jo më të bënte shkrime për gazetë). Po Dr. Sterio më shpjegoi, se me fukarenj kishte parasysh të tjerë njerëz, ata që nuk kishin miq e të njohur. Këtu më tregonte ai, vijnë shumë shqiptarë. Janë shtruar e operuar sidomos ish-personalitete e personalitete, nga ata, që kanë qenë e që janë prapë. Vetë apo të afërmit e tyre. Të gjithë pa pagesë. Ata që paguajnë janë shumë të rrallë.

Rregulla të ashpra për në spitale

Rregullat janë shumë të forta dhe vështirë të shtrohesh dot në spitale. Por ja që punët rregullohen. Unë nga ana ime mësova se kishte edhe një rrugë tjetër për të kaluar derën e spitalit. Duhej siguruar një dokument i quajtur Pronjë. Ky dokument lëshohej nga zyra e emigracionit. Por që të merrej kjo Pronjë, duhej bërë një maratonë e vërtetë. Dokumente nga Shqipëria që je minoritar, të vërtetuara në Ministrinë e Jashtme, të vulosura e të firmosura në sa e sa zyra, pritje me ditë e orë të tëra deri sa ti mbushej mendja atij që e lëshonte Pronjen. Por kjo mund të merrej edhe fare lehtë. Ishte një shqiptar tek dera e spitalit i cili të kërkonte një sasi parash në dorë dhe brenda orës të jepte Pronjen në dorë. Po të mos kishte paratë, që kërkonte ai, tundje këmbën. Prandaj edhe të zinjtë hallexhinj bënin e ç’nuk bënin për të jetuar. Ndërronin emrat, Enveri bëhej Eno e Ibrahimi, Ilia. Halli ç’nuk të bën.

Sipas Dr. Sterios shumë gjëra mund të rregullohen e njerëzit të mos heqin keq. Mjafton një interesim më i madh e më konkret i Ministrisë së Shëndetësisë shqiptare dhe punët mund të vihen në vijë. T’i shikojmë ca gjëra më konkretisht. Është folur kohë më parë për 100 pacientë shqiptarë që do të shkojnë në Selanik, pikërisht në spitalin Papanikolau për të bërë koronarografinë. Këtë e merrte përsipër Ministria e Shëndetësisë shqiptare në bashkëpunim me atë greke. Nuk është bërë asgjë deri tani dhe me sa duket kjo punë është harruar fare. Mirëpo kjo puna e koronarografisë, që për të sëmurët kardiakë është kaq e njohur mund të zgjidhet shumë lehtë. Në spitalin e Tiranës rri pa punë një aparaturë e blerë me më shumë se 1 milion dollarë vetëm se mungon një gjenerator që siç thonë, kushton vetëm 40 mijë dollarë. Kjo është për të vënë duart në kokë. Dhe njerëzit bredhin nëpër Greqi e gjetiu për të bërë hall. Flitet se vinë ndihma për mjekësinë me vlerë kaq e aq mijë dollarë, madje edhe miliona, por pse nuk kërkohet një gjenerator. Kaq vështirë është për shtetin shqiptar blerja e një gjeneratori. Shkojnë e vijnë delegacionet e Ministrisë së Shëndetësisë sidomos në Greqi, flasin për ndihma të mëdha e zgjidhje problemesh, por fjalët nga të bërat ende janë larg. Flitet tani për një marrëveshje të re me Greqinë për të operuar në atë vend 200 pacientë për ato operacione, që nuk mund të flasim para kohe unë do të shtroja disa pyetje. Për çfarë operacionesh, që nuk bëhen në Shqipëri është fjala? Pse 200 pacientë dhe jo më shumë a më pak? Po të jetë nevoja për më shumë se 200 çdo të bëhet me të tjerët? Do të vdesin ata të shkretë? Kush do t’i përcaktojë pacientët, që do të shkojnë në Greqi për t’u operuar dhe mbi ç’kritere? Mund të shtroja edhe pyetje të tjera por, po vetë do të merrem pak me pyetjen e parë. Deri vonë në vend janë bërë operacione nga më të vështirët, edhe në zemër. Profesori i nderuar Petrit Gaçe me ekipin e vet krijoi një staf, që ishte për ta patur zili. Janë shpëtuar me dhjetëra e qindra jetë njerëzish në një sallë modeste tek spitali numër 2, aty ku tani ngrihen e prishen mure, kushedi se për çfarë. Tamam kur përfundoi reparti i ri i kardiokirurgjisë dhe kur mjekët e këtij specialiteti janë nga më të mirët e vendit, e pranuar kjo edhe nga të huajt, tamam në këtë kohë ndërpriten operacionet për mungesa të mjeteve ndihmëse.

Dhe kur kardiokirurgët ankohen te ministri i tyre, ai premton se për pesë ditë kjo punë do të zgjidhet. Mirëpo kanë kaluar 50 ditë dhe në spitale e njëjta gjendje. Ministri mbase ka dëshirën e mirë, por kjo nuk mjafton. Nga ana tjetër me siguri nuk është vetëm në dorën e tij zgjidhja e këtyre problemeve, por po aq e sigurt është, që këto janë punë të tij. Nuk dua të bëhem kritizer, sidomos tani, që është bërë e modës të kritikohet qeveria, se spitalet të paktën kanë 5-6 vjet, që i ka marrë lumi. Por i them këto se ka mundësi të rregullohet diçka për këtë problem kaq delikat e të prekshëm siç është shëndeti. Nga ana tjetër, një interesim më i madh për këta njerëz hallexhinj do të ishte më se e natyrshme. Në muajin shkurt në një nga spitalet e Selanikut të përmendur më lart ishin shtruar të paktën dhjetë shqiptarë. Brenda një dite në sallat e operacionit të tij operoheshin katër prej tyre. Me sa di unë vetëm për një interesohej ose kishte dijeni Ministria e Shëndetësisë. Të tjerët kishin bërë hall vetë. Me këtë nuk dua të them, se për çdo gjë duhet të jetë në dijeni ajo ministri, por edhe kështu s’para shkon.

Shtete të tjera për qytetarët e vet çajnë e ndajnë, interesohen për gjëra nga më të parëndësishme në dukje. Në fund të fundit këta qytetarë a shtetas prandaj e kanë qeverinë e shtetin e tyre, që të interesohet për ta kudo ku janë e veçanërisht, kur kanë hall shëndeti. Kështu ata do të kenë respekt e dashuri për qeverinë dhe kur të vijë puna do të thonë: Kjo është qeveri e mirë se interesohet për njerëzit e vet. Në këtë mënyrë në fund të fundit qeveria i ka bërë të mirë vetes. Shkrimi i nisur për artistët shqiptarë të keqtrajtuar nga ca policë në kufirin e dy vendeve u zgjerua e na nxori te përkujdesja e qeverisë për njerëzit e vet. Tek ca probleme, që na lindin herë pas here me fqinjin tonë e për të tjera gjëra, që mbeten pa thënë. Sa gjëra s’janë thënë akoma. Problemi është, që të bëhen gjëra të mira.

AGRON ÇOBANI, Tiranë, më 13.04.1998

SHKARKO APP