Albana Kasapi: Ambasadat, portat e ferrit

(Botuar me 10 korrik 1998 në KOHA JONE)

Nga Albana Kasapi-

Kur në korrikun e tetë viteve më parë shqiptarëve ua hapën dyert e ambasadave të huaja në kryeqytetin socialist shqiptar, ata që i kaluan, nuk e menduan se të afërmve të tyre vite më vonë do t’u duhej aq shumë lodhje për të kaluar përtej kangjellave të ndërtesave që ata i kaluan jo pa vështirësi, por të paktën pa asnjë burokraci. Sot, është një histori më vete qoftë dhe për t’u treguar ajo që çdo qytetar a fshatar heq para dyerve të ndonjë ambasade të huaj, për të marrë VIZËN. Sepse ndoshta shqiptarët janë ndër të vetmit, që u duhet vizë për kudo që të vënë këmbën jashtë Republikës së Shqipërisë, me fare pak përjashtime…

Rruga e Ambasadave është dëshmitare për atë se çfarë heqin shqiptarët me radhët e ambasadave. Por kushdo në kryeqytet mund të tregojë se çfarë ndodh zakonisht përtej murit, nga ana shqiptare, të Ambasadës Italiane, ku vetëm pak muaj më parë, guri i radhës për t’u futur në ambasadë kushtonte si të ishte prej floriri. Dhe shqiptarët thonë secili për secilin, se fajin për gjithë këtë, e ka personi tjetër. Refreni se “ne nuk kemi kulturë”, në këtë rast nuk është një slogan që nuk ka pikë vërtetësie. Kjo është një pjesë e të vërtetës, por jo e gjitha ama. Pjesa tjetër, ndoshta duhet gjetur nga përgjigjet se përse shqiptarët shtyhen e shqyhen, madje pranojnë të përbuzen edhe nga policët më të rëndomtë të ndonjë ambasade. Pak liri, për të parë pak botë, për të kaluar pak ditë ndryshe, larg vendit që i ka lodhur dhe që i mbajti të burgosur për aq gjatë. Një ditë, e gjitha kjo do të shpërthente. Qoftë edhe kështu, me radhët e gjata e të rrëmujshme para ambasadave të Italisë, Gjermanisë a Greqisë…

Shqiptarët sërish në radhë

Ai që ka në dorë garancinë që e ka pritur me dorë në zemër dhe dokumentet e tjera në rregull, pasaportën etj, duhet të harxhojë një ditë të tërë që të ambientohet me atë që ndodh para ambasadave në kryeqytet. Për më tepër nëse fatkeqësisht (a fatmirësisht) nuk ka lindur në Tiranë. Ndoshta i duhet t’i zërë derën, përveç ambasadës dhe ndonjë të afërmi të tij kryeqytetas, për të paktën tri ditë. Sepse që të arrish të hysh në ambasadë, duhet të vihesh në radhë, pastaj të presësh radhën dhe në fund të shpresosh se edhe mund ta marrësh vizën. Që vetëm pas kësaj edhe mund ta mallkosh. “Dita e parë më iku kot. Sa gjeta ambasadën, sa mora formularët, nuk arrita fare të futesha në radhë. Sot po pres, por nuk kam shpresë”. Isai, 50 vjeç, ka të birin në Gjermani prej 1990. Ai i ka dërguar të atit së fundmi, dokumentet që “të shoh edhe unë pak botë me sy.”. Por qytetari nga Laçi, ndihet i lodhur nga pritja dyditore që mund të bëhet dhe tri a katër, në dyert e ambasadës. “Ndoshta kur të marr vizën, do t’i harroj të gjitha këto” qesh ai.

Çdo ditë, zakonisht rreth orës 7:00 – 7:30, grupi i njerëzve që ka shpresë se mund të marrë një vizë për të shkuar në ndonjë vend të Evropës gdhihet te njëra nga hyrjet e rrugës së ambasadës. Aty, të parin, njerëzit duhet të kalojnë murin e policëve. Në rrugën ku janë vendosur shumica e ambasadave të vendeve të huaja në Tiranë dhe rezidencat e diplomatëve të huaj, ata rrinë, 24 orë në 24, dy në secilën hyrje-dalje të rrugës. “Prisni derisa të vejë ora tetë, pastaj do të hyni”. Polici i rojës tregon se atij i duhet të zbatojë orarin që ka vënë ambasada gjermane, e cila e nis punën e para. Por ata që presin, janë të shqetësuar, se një vonesë e vogël aty, tek porta, mund t’u kushtojë ditën dhe kjo ndodh rëndom për shumicën e atyre që presin të marrin vizën. “Ka njerëz që paguajnë policin e rojës që t’u zërë radhën. Ata vijnë, hyjnë të parët, dhe ne mbetemi jashtë”, qahet një djalë rreth të 25-ave. Para derës së ambasadës gjermane, nga hyrja për në zyrën konsullore, pas orës tetë, turma e njerëzve mund të kapë dhe 40 vetë. Njerëzit shtyhen, thërrasin policin se dikush ka hyrë pa radhë dhe mezi vihen në rresht. Por sapo hapet dera për të futur pesë të parët brenda hekurave, masa e njerëzve bëhet lëmsh. I pafuqishëm për të vendosur ndonjë rregull, polici shqiptar ia lë në dorë rojës gjermane të ambasadës. Ai bërtet në gjermanisht dhe kur e sheh se kjo nuk ndryshon asgjë, shkon dhe më tej: u rrëmben nga dora dokumentet atyre që mendon se janë shkaktarë të rrëmujës që ata të humbasin radhën. Por nuk kënaqet me kaq: hipën mbi hekura dhe pa pyetur për ata që e kanë gdhirë në ambasadë, shikon për fytyra që i mbushin mendjen atij se e meritojnë të hyjnë këtë ditë në ambasadë, i tregon me gisht, u hap portën të cilën paskëtaj, e mbyll sakaq me çelës dhe largohet”. E keqja është se shumë pak njerëzve u bën përshtypje e gjitha kjo, ashtu të shokuar me shpresën se mund të jenë të zgjedhurit e rastit të policit arrogant gjerman, nën rrezet përvëluese të verës në Tiranë…

Gjithë fajin e kanë…

“Rri një moment dhe shihi vetë. Nuk kemi kulturë ne…” Komandanti i togës së policëve të Ambasadave, Përparim Bode… ka dy vjet që vë në rresht si fëmijët e klasës së parë, ata që presin në dyert e ambasadave dhe njësoj si fëmijët e pabindur, largon ata që janë pa radhë. Polici tregon se nuk është detyrë e togës që ai drejton të mbajë rregullin e radhëve para ambasadave, por ja që edhe këtë janë të detyruar ta bëjnë. Kështu, policët që jo rrallë herë edhe vetë kërkojnë të bëjnë ndere për miqtë e tyre, me, a pa pagesë sa për një kafe, në vend që të merren me “sigurimin fizik të personelit të ambasadave dhe familjarëve të tyre”, bëjnë dhe rradhëmbajtësin. “Ka patur edhe incidente, fare të vogla, sepse ne prandaj jemi këtu, që t’i shmangim”, thotë Bode, që dje ishte vetë në krye të detyrës para portës së ambasadës greke, ku nën diellin përvëlues prisnin në radhë rreth njëzet vetë.

Radhët e shqiptarëve, kësaj here, janë zhvendosur nga dyqanet e qumështit, para dyerve të ambasadave. “Tek ambasada italiane, kam parë picir. Kam fjetur net të tëra atje, me batanije. Radha ishte pa fund dhe pasi prita më kot, vendosa se nuk ia vlente të shkoja në Itali para asaj që po hiqja dhe që më duhej të hiqja nëse do të vazhdoja të insistoja”. Petriti, 38 vjeç, nga Vlora, kësaj here ka ardhur të marrë vizë gjetkë. “Kam tri ditë që vij për të marrë vizë greke, transporti”, tregon ai dhe shton se pavarësisht nga procedurat e rregullta të ambasadës greke, i kushton jo pak koha për të marrë “të uruarën vizë” për vete dhe mjetin e tij. “Për ne nga rrethet, vuajtjet shtohen. Ngrihemi me natë, humbasim ditët e punës, për tiranasit është ndryshe”.

Si të bësh biznes me hallexhinjtë e ambasadave

Kryeqytetasit, në fakt, kanë mësuar të bëjnë biznes me radhët qesharake të ambasadave. “Vjet, kur hyra në ambasadën italiane, u detyrova të blej radhën për 200 mijë lekë (të vjetra), tregon një grua e moshuar dhe shton se bashkë me paratë e vizës, i biri emigrant, pagoi edhe që e ëma të futej në ambasadë”. Gruaja tregon se ai që ia shiti radhën, ishte një burrë nga Tirana, që “ndante paratë me policin e rojës”. Tani që kanë kaluar kohë nga tmerri që hoqën të gjithë, madje dhe vetë policia, para Ambasadës italiane, gjendja duket më normale.

Por sa vë këmbën në rrugën e ambasadave, kupton se tiranasit, në emër të biznesit, nuk heqin dot dorë kollaj… “Doni formularë për vizat, vetëm 200 lekë”. Gruaja, që ka mbetur pa punë, ka gjetur me çfarë ta nxjerrë bukën e gojës. Merr formularë në ambasade, i fotokopjon, i shumëfishon dhe falë anglishtes së saj që lë për të dëshiruar gjithsesi, i merr një klienti 200 lekë. Një pjesë të të cilëve, sigurisht ia paguan atij që i ka siguruar nga brenda ambasadës, formularët. “Ka edhe njerëz që nuk dinë gjuhë të huaj, unë nuk ua marr paratë kot, edhe i ndihmoj”, përpiqet të justifikohet ajo. Por klienti i saj pendohet sapo hyn në derën e ambasadës dhe i thonë se formularët mund t’i merrte për hiçmosgjë në ambasadë dhe pastaj dikush do ta ndihmonte patjetër t’i plotësonte. Por këtu ka dhe mundësi të tjera që mund t’i shfrytëzojë “dikushi”. Një grua nga Vlora, që pas katër ditësh, arriti më në fund deri në radhën numër dy, kësaj radhe pranë derës së zyrës konsullore, ka harruar të fotokopjojë garancinë që i kanë dërguar nga Gjermania. Hyn në zyrën e konsullit dhe del e alarmuar: ai i ka thënë të bëjë fotokopjen. Gruaja dyzetvjeçare, nuk di çfarë të bëjë: të dalë jashtë derës së mbyllur me kyç, do t’i duhet që nesër t’ia nisë nga e para me radhën. T’ia japë dikujt që pret në radhë garancinë e vyer, nuk guxon, por edhe sikur të donte, askush nga ata që presin jashtë nuk e lë vendin para se polici gjerman t’u kumtojë se edhe për atë ditë, puna e ambasadës ka përfunduar. Në kësi raste, është gjithmonë dikush që pret. “Unë kisha harruar të bëja një fotokopje të pasaportës. Pagova 500 lekë njërit nga fytyrat që kisha parë shumë shpesh të sillej rrotull këtu dhe ia hodha”, tregon një vajzë e re që pret të shkojë tek i fejuari. Dhe në këto raste, askush nuk pyet më për para, vetëm për “viza… viza…”/ALBANA KASAPI/

SHKARKO APP