Albana Kasapi intervistë me Fatos Baxhakun

(Botuar me 7 prill 1998 në KOHA JONE)

Albana Kasapi intervistë me Fatos Baxhakun

TIRANË – “Feja në fakt nuk trashëgohet nga prindërit te fëmijët. Feja është tendencë”. Fatos Baxhaku, historian dhe gazetar, thotë se festat fetare në Shqipëri janë më shumë një mënyrë për t’u mbledhur e festuar me shoqërinë, por sqaron se përse në Shqipëri feja edhe mund të trashëgohet. Baxhaku thotë se për shumicën e shqiptarëve, trashëgimi i fesë nëpërmjet prindërve ka qenë e vetmja alternativë kulturore.

Sot besimtarët myslimanë kanë festën e Kurban Bajramit. Ju keni festë, domethënë jeni mysliman apo i krishterë?

Unë jam mysliman, sepse prindërit e mi janë myslimanë.

Pse, sipas jush, feja është e trashëgueshme nga prindërit te fëmijët?

Feja në fakt, është tendencë. Por në Shqipëri ka disa kushte dhe rrethana specifike, sipas të cilave feja është edhe e trashëgueshme. Në zona të ndryshme të Shqipërinë, për këtë pyetje ka përgjigje të ndryshme. Mund të thuhet se feja trashëgohet në Shqipëri në zonat fshatare dhe në ato të prapambetura, domethënë në pjesën më të madhe të vendit. Edhe çështja e besimit fetar, si shumë gjera të tjera, atje kalon në mënyrë fare të pavetëdijshme nga njëri brez te tjetri. Nga historia por dhe nga vëzhgimet që unë kam bërë vetë në disa zona të thella, besimi fetar kalon nga një brez te tjetri. Kjo ndodh sepse në këto zona nuk ka një moral alternativ dhe një kulturë alternative. Për sa kohë këto do të mungojnë, është “normale” që besimi fetar të kalojë dhe të përcillet nga njëri brez te tjetri si e vetmja alternativë e mundshme”.

Po në qytetet shqiptare?

Problemi për qytetet dhe brezat e rinj, shtrohet ndryshe. Që nga 1967, kur u prishën kishat dhe xhamitë, brezat e atëhershëm, u rritën me një kulturë ateiste dhe me një formim ateist, të cilën e përcollën te pasardhësit e tyre, domethënë te të rinjtë e sotëm. Ateizmi kaloi kështu nga prindërit te fëmijët e tyre. Por në ateizmin e shqiptarëve të këtyre zonave, ndikuan dhe shumë faktorë të tjerë. Martesat e besimtarëve të feve të ndryshme, bashkëjetesa e tyre, bënë që ne shqiptarët të mos kemi dallime fetare.

Sipas jush, ky fenomen datohet vetëm në vitet e fundit?

Sigurisht që ka dhe baza historike për këtë. Pozita gjeografike e vendit tonë, është njëri nga faktorët që ka ndikuar gjatë shekujve. Duke qenë në një kryqëzim mes Lindjes dhe Perëndimit, Shqipëria provoi pushtues të ndryshëm, herë të krishterë dhe pastaj turq. Dhe, sipas historisë, shqiptarët nuk e patën problem që nga të krishterë, të ktheheshin në myslimanë, qoftë dhe për të mos paguar taksat.

Statistikat e hershme, thonë se në Shqipëri ka myslimanë, ortodoksë dhe katolikë. Por vitet e fundit në Shqipëri kanë vërshuar dhe sekte të tjera fetare…

Si në gjithë ish-vendet komuniste, edhe në Shqipëri, erdhën protestantë, bahai e shumë sekte të tjera fetare. Por sipas mendimit tim, këtu këto sekte nuk kanë bazë të qëndrueshme, si në gjithë vendet e tjera të Lindjes. Sigurisht, ka të rinj që janë bërë pjesëtarë të këtyre sekteve, por nuk e besoj se të gjithë e kanë bërë këtë me bindje të plotë. Shumë e kanë bërë të detyruar nga rrethana nga më të ndryshmet.

Pse, sipas jush, një i ri që rrjedh nga prindër myslimanë, nuk mund të bëhet për shembull protestant?

Jam shumë dakord që një i ri të ndërrojë fenë, por vetëm në qoftë se vërtet e ndjen. Di që shumë shqiptarë në Greqi, thjesht për të marrë dokumentet, janë kthyer nga myslimanë, në orthodoksë. Jam plotësisht dakord me shqiptarët që e kanë parë veten të lidhur pas kulturës dhe fesë atje dhe prej kësaj janë pagëzuar e janë bërë kështu besimtarë të orthodoksisë. Por nuk do të thosha të njëjtën gjë për pjesën tjetër, sepse ata kanë shkuar në kishë dhe janë pagëzuar nga halli, thjesht për të marrë dokumentet.

Ju thatë se jeni mysliman nga prindërit. A do ta festoni sot Kurban Bajramin?

Do ta festojmë, por jo aq sepse është një festë fetare. Thjesht sepse Kurban Bajrami është një rast më shumë për t’u mbledhur me shoqërinë e për të festuar bashkë. Do ta festojmë ashtu si festojmë edhe Pashkët apo Krishtlindjet.

ALBANA KASAPI

 

SHKARKO APP