Albana Kasapi: Kushtetuta “bredh” me korona, bashkëbisedim me Sabri Godon
(Botuar me 23 Maj 1998 në KOHA JONE)
Albana Kasapi: Kushtetuta “bredh” me korona, bashkëbisedim me Sabri Godon
Mos u shqetësoni. Paratë për udhëtimet jashtë Tiranës, nuk i paguajnë shqiptarët, por taksapaguesit norvegjezë”. Me këtë fakt, Imami, bashkëkryetari i Komisionit për hartimin e Kushtetutës shqiptare, deshi të vinte pikat mbi “i” për thashethemnajën e shtypit mbi “piknikët” e Njerëzve të Kushtetutës. Dje, vetëm pasi shtypi i përditshëm komentoi, për keq natyrisht, udhëtimet nëpër Shqipëri të anëtarëve të komisionit të Kushtetutës, protagonistët e saj, treguan pse-në e vendimit të tyre për të shkruar ligjin themeltar të shtetit shqiptar jashtë kryeqytetit. “Në Tiranë nuk punojmë me efikasitet. Ca nuk vijnë fare, ca i lënë mbledhjet në mes për mbledhje partie. Lezha tregoi se puna për hartimin e Kushtetutës, bëhet më shpejt dhe më mirë kur komisioni është jashtë kryeqytetit”.
Me këtë, të dy bashkëkryetarët, veç e veç, lanë në plan të dytë historinë dhe përjashtuan fare mundësinë e udhëtimeve të tyre turistike nëpër atdhe. Njerëzit e Kushtetutës thanë dje se puna efikase është arsyeja e vetme pse ata lënë shtëpinë, drekat e darkat pranë familjes dhe preokupimet e tjera: “për të punuar gjetkë gjithë ditën e ditës dhe për të gjetur kompromisin e artë për hartimin e ligjeve”. Me këtë, ata lanë të hapur mundësinë e një udhëtimi të dytë. Ndoshta duke e prishur itinerarin e parashikuar për në Vlorën e Pavarësisë, njëri nga bashkëkryetarët e komisionit për hartimin e Kushtetutës, tha se udhëtimi i dytë, mund të jetë sërish drejt Lezhës. “Politikanët italianë preferojnë që për mbledhje të tilla të rëndësishme, të mos largohen nga kryeqyteti, Roma”. I dërguari i Komisionit të Venecias, tha dje se nuk kishte asgjë për t’u komentuar për keq nëse shqiptarët e Kushtetueses, i bëjnë mbledhjet jashtë Tiranës. “Është thjesht çështje preferencash”, komentoi shkurt ai pas takimit të gjatë të punës që pati me Komisionin shqiptar.
Sabri Godo, bashkëkryetar i Komisionit
A ka para të mjaftueshme që Shqipëria të bëhet me kushtetutë edhe me mënyrën e fundit që keni gjetur ju, udhëtimet?
Fondet nuk mungojnë megjithëse janë ca të shtrënguara. Ajo që mungon, është disiplina, domethënë pjesëmarrja në komision, e cila na pengon që ne të ecim përpara. Për këtë arsye dhe për të arritur të mbledhim bashkë njerëzit për të punuar intensivisht, ne ramë dakord të lëmë Tiranën. Lëvizja jonë nëpër rrethe, nuk është punë turizmi dhe unë nuk jam fare dakord me atë që shkruajnë gazetat për këtë. Unë mendoj se ky komision mund të punojë me të vërtetë, për të përballuar atë që ka marrë përsipër, për të bërë draftin e Kushtetutës deri në fund të qershorit, vetëm në qoftë se do të punojë tre ditë në javë diku, pa këto telashe që ka në Tiranë. Këtu dikush vjen, tjetri shkon në mbledhje qeverie, një i tretë thirret në mbledhje partie. Rrallëherë jemi në formacion të plotë për të bërë punë. Në Lezhë bëmë punë shumë efektive. Atje arritëm të mblidheshim të tërë bashkë, trembëdhjetë anëtarë të Komisionit dhe punuam për dy ditë seriozisht. Java që sapo u mbyll p.sh, nuk shënoi ndonjë gjë të veçantë në punën e tonë, sepse nuk kaluam ndonjë material në komision.
Deri tani për Kushtetutën, është punuar me hapa të shpejta a të ngadalta?
Puna për hartimin e Kushtetutës duhet të ecë me hapin e duhur. Ajo që është kaluar deri tani, është analizuar si duhet dhe nuk mund të thuhet se janë kaluar gjëra vetëm për të thënë se ne po bëjmë punë. Por ama, ajo që është bërë, është bërë me seriozitetin e duhur. Puna në përgjithësi, dihet që ka ecur shumë ngadalë, sidomos në fillim. E gjitha kjo ka ndodhur për shkaqe që dihen. Ne ishim gjithnjë në pritje të mbërritjes në Komision të grupimit të Bashkimit për Demokraci. Të paktën fillimi, kishte tre muaj pritjeje, kur komisioni nuk punoi pothuaj fare.
Arben Imami, bashkëkryetar i Komisionit
Sa para ka dhënë bota që Shqipëria të bëhet me Kushtetutë?
Ne nuk disponojmë fare shifra për të hollat e shpenzuara për këtë, sepse ajo që na është ofruar drejtpërdrejt, ka qenë më shumë asistencë teknike. Pas seminareve për Kushtetutën, specialistëve e komisioneve të tërë që vijnë këtu, apo udhëtimeve tona të punës jashtë, sigurisht që qëndrojnë para, por që nuk kalojnë fare nëpërmjet nesh. Ata që po e ndihmojnë këtë vend të bëhet me Kushtetutë, janë vendet e Bashkimit Evropian, por dhe organizma të veçantë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Instituti Republikan Amerikan, Shoqata e Juristëve Amerikanë në ndihmë të Evropës Lindore, GTZ-ja gjermane, Sigma, e cila është një instrument i OECD dhe i Bashkimit Evropian për mirëqeverisje etj. Njëkohësisht shteti italian dhe shteti grek, kanë dërguar me paratë e tyre e kostitucionalistët e tyre në Shqipëri.
Këta i kanë dhënë paratë edhe për udhëtimet jashtë Tiranës të Komisionit të Kushtetutës?
Dua këtu të falënderoj veçanërisht z. Dan Everts dhe Qeverinë Norvegjeze, të cilët i dhanë mundësinë Komisionit tonë, jo të udhëtojë për piknik si thonë gazetat, por që na bëjnë të mundur të mbledhim njerëzit për punë. Që të mos mërziten gazetarët dhe të qetësohen njerëzit, fondet për udhëtimet e punës të njerëzve të Kushtetutës, i paguajnë taksapaguesit norvegjezë. Ata, qeveria norvegjeze dhe OSBE-ja, dhanë para enkas për këtë lëvizje të Komisionit Kushtetues. Sepse Komisioni Kushtetues në kushtet që mblidhet në Tiranë, nuk funksionon. Shpeshherë kemi mbetur pa punë, njerëzit mungojnë për mbledhje ose largohen në mes të tyre. Zgjidhja u gjet: të punojmë jashtë Tiranës. Sigurisht që këta njerëz në udhëtimet e tyre kanë nevojë për para, sepse edhe hanë, edhe pinë, edhe flenë dhe në Lezhë a në Vlorë, nuk jetojnë dot vetëm me ajër. Për këtë, ofroi paratë qeveria norvegjeze.
Është fakt që puna e komisionit ka qenë shumë efikase në Lezhë dhe ky udhëtim atje ka qenë një praktikë jashtëzakonisht e mirë. Kaluam dy drafte, përplasëm kokën me njëri-tjetrin dhe gjetëm pastaj rrugët e kompromisit. Po të kishim qenë në Tiranë, ai nuk do të ishte gjetur dot. Sepse njerëzit kur shkojnë në një vend tjetër, stakohen dhe përqendrohen vetëm te qëllimi për të cilin janë mbledhur, harrojnë të gjitha detyrimet e tjera. Me të tilla ritme pune, mendoj se Komisioni do të ketë përfunduar punën e tij në qershor.
Përveçse për të punuar më mirë, ka ndonjë qëllim tjetër udhëtimi i Kushtetutës?
Ne mund të shkonim dhe në një vend tjetër ku mund të bënim vërtet edhe turizëm. Por shkuam në qendër të një qyteti të vogël province si Lezha. Qëllimi nuk ishte qejfi. Ne shkuam në Lezhë për të krijuar një ambient të posaçëm pune dhe vetëm për të punuar. Në të dy ditët atje, kemi punuar intensivisht. Pastaj, Lezha nuk qe një zgjidhje rastësore, megjithëse zgjidhje rastësore, megjithëse ideja lindi rastësisht. Atë e zgjodhëm për shkak të konotacionit historik pozitiv. Kur po diskutonim një ditë për të zgjedhur qytetin më të përshtatshëm që kishte dhe një të kaluar historike, në zyrën tonë, hyri deputeti Nikoll Lesi, prezenca e të cilit, na shtyu që të parin të zgjidhnim qytetin e lindjes së tij. Por edhe Vlora të kishim udhëtuar si fillim, edhe Elbasani po ashtu.
Në kushtet aktuale, anëtarët e komisioni nuk kanë frikë nga mungesa e rendit për të udhëtuar?
Absolutisht jo, përkundrazi. Kjo e gjitha ka dhe një efekt pozitiv në popull. Njerëzit perceptojnë që punohet që ky vend të bëhet me ligje. Ata bëhen më të interesuar dhe fillon t’i shqetësojë ideja e Kushtetutës. Pastaj, e gjitha kjo, ka edhe impakt në popullaritetin e draftit të Kushtetutës.
Udhëtimet e politikanëve, qoftë edhe për Kushtetutën, mund të merren edhe si një luks i tepërt për një vend kaq të varfër…
Është absolutisht e kundërta. Luks i tepërt për këtë vend, nga ç’sqarova më sipër, do te ishte sikur për Kushtetutën të punonim këtu, në Tiranë. Por nga ana tjetër, edhe ne bëjmë një sakrificë. Asnjëri nga ne nuk do të donte të linte komoditetin e shtëpisë për të shkuar në Vlorë a në Lezhë sepse kushtet në hotele atje, nuk mund të jenë më të mira se në shtëpinë e secilit. Nuk është se po shkojmë në Strasburg, megjithëse kemi ftesa edhe për të shkuar jashtë shtetit dhe po i refuzojmë.
Antonio la Pergola
Një opinion juaji për njerëzit e kushtetutës shqiptare, jashtë zyrtarizmave…
Janë njerëz interesantë dhe me kurajë për të folur. Opinioni im është se komisioni juaj, i ka marrë me shumë seriozitet punët e Kushtetutës. Më vjen mirë për këtë, sepse unë e dua Shqipërinë, duke qenë nga një vend fqinj me ju.
Komisioni i ynë i Kushtetutës preferon të punojë jashtë Tiranës. Si ju duket kjo ide?
Kur bëhen draftet e një Kushtetute, ka njerëz që preferojnë të punojnë jashtë kryeqytetit. Psh Kushtetuta Gjermane që u bë në Vajmar, është një rast. Po kështu, në Itali ka patur njerëz që donin të shkonin në Firence për hartimin e draftit të Kushtetutës, si pati edhe të tjerë që nuk donin të largoheshin nga Roma, nga shtëpia, nga familja… Derisa këtu, në Shqipëri, dikush ka dhënë para për të realizuar edhe udhëtime të tilla, pse të mos i harxhojnë fundja?
ALBANA KASAPI