Aleksa Buda: Mite përballë realitetit
(Botuar 17 prill 1999 në KOHA JONE)
Aleksa Buda: Mite përballë realitetit
“Një shkrim i panjohur i profesor Aleks Budës, nxjerrë nga vepra e tij më e re “Publicistikë historike”, e bërë gati për shtyp.
Dorëshkrimi është një përgjigje për artikullin e Prof. Michel Aubin “Du mithe serbe au nationalisme albanais” të botuar në gazetën “Le Monde”, Paris, 1981, 5 avril. Në rrethanat e atëhershme politike, gazeta nuk e botoi.
Profesori i Sorbonës Michel Aubin (Mishe Oben) në artikullin e tij “Nga miti serb te nacionalizmi shqiptar” orvatet t’u japë një shpjegim ngjarjeve të kohëve të fundit në Kosovë, e cila, siç thotë ai “… ka pasur një të kaluar plot brenga që nuk është pa dobi të njihet për ta kuptuar më mirë të sotmen”.
Premisa është e drejtë, por paraqitja e kësaj të kaluare nga ana e zotit Aubin nuk është e saktë. Kolegu i Sorbonës në gjithë trajtimin e problemeve të lidhura me historinë e Kosovës u përmbahet besnikërisht, tepër besnikërisht, tezave të historiografisë “romantike” serbe të shekullit XIX, të cilat për një varg historianësh jugosllavë, e sidomos serbë, të ditëve tona përbëjnë një të vërtetë të përjetshme e të paprekshme një “tabu”, së cilës as nuk duhej, as nuk mund t’i hiqej ose t’i shtohej gjë.
Romantizmi nacionalist në historigrafi të gjysmës së parë të shekullit XIX në Ballkan e në përgjithësi në Evropë, ishte një fenomen që e kishte terrenin e vet në hovin “rinor” plot oreks për pushtime të borgjezisë së ardhur rishtas në fuqi; por ai kishte një farë shpjegimi por edhe shfajësimi gnoseologjik në kushtet e pazhvilluara metodologjike, në nivelin e ulët të njohjes së burimeve, të kërkimeve historike në përgjithësi në këtë periudhë. Këtu janë rrënjët e atyre konstruksioneve aq familjare për historiografinë serbe të së kaluarës e së sotmes – për ato “mite”, siç i quan me të drejtë zoti Aubin, siç është identifikimi në shekullin XIX i Kosovës me “Serbinë e vjetër”, karakteri i “lashtë, i përjetshëm” serb i popullsisë së saj, roli i saj si “zemra historike e Serbisë” etj., afirmime që shtroheshin si postulate apriorike. Nga këto teza është nisur kolegu i Sorbonës, siç dua të shpresoj ngase nuk i ka njohur, jo se nuk ka dashur t’i njoh, realizimet e fundit të shkencës historike ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe realizime të shkencës shqiptare por edhe prej shkencëtarësh nga Jugosllavia vetë. Një pasuri kolosale përbëjnë sidomos regjistrat kadastrale osmane të shekullit XV, për njohjen e popujve ballkanas dhe shtresëzimet e tyre etnike në pragun e pushtimit osman, domethënë para se ky të sillte kushte që mund të fajoseshin për ndryshime etnike, siç ka ndodhur pikërisht në rastin e Kosovës. Me rëndësi janë në këtë drejtim botimi i regjistrave kadastrale të krahinave periferike shqiptare bërë nga historiani turk H. Inalçik, historianët boshnjakë e maqedonas A. Hanxhiq e A. Stojanovski, historianët shqiptarë S. Pulaha e M. Tërnava (ky i fundit nga Kosova) etj. Pikërisht këto burime osmane kontribuojnë për të shembur përfundimisht një nga “mitet” e “tabutë” e mëdha të historiografisë serbomadhe atë të karakterit të lashtë e të përhershëm ekskluziv serb të popullsisë së Kosovës, tezën se shqiptarët ishin një mish i huaj që u fut nën egjidën osmane për ta deserbizuar atë, sidomos pas dy shpërnguljeve masive të serbëve pas kryengritjeve më 1690 e 1738, kur turqit instaluan në vend të tyre popullsi të islamizuara, barinj shtegtarë, të sjellë këtu nga gjithë anët e Veriut të Shqipërisë. Këtij konstruksioni, që hidhej poshtë edhe nga argumente të tjera, iu hoq tani përfundimisht toka nën këmbë, sepse Defteri i regjistrimit të Kosovës, i vitit 1455 i analizuar e botuar në serinë e Institutit Oriental të Bosnjes e Hercegovinës prej orientalistit të njohur boshnjak Adem Hanxhiq, tregon qartë se më 1455, pa filluar ende procesi i islamizimit masiv, elementi shqiptar është i pranishëm në mënyrë masive, si bujq deri në viset më lindore të Fushës së Kosovës, ashtu siç do ta gjejmë diçka më vonë pas të dhënave të A. Stojanovskit, po në mënyrë masive në Maqedoninë Lindore në Kratovo. Një interpretim shkencor i antroponimisë së këtyre defterëve, dëshmon se përveç nën emra dhe mbiemra thjesht shqiptarë, shqiptarët janë të pranishëm edhe nën emra dhe mbiemra serbë të cilat s’kanë të bëjnë fare me përkatësinë etnike; në një varg rastesh, i ati mban një emër sllav dhe i biri emër shqiptar dhe anasjelltas; për fshatra me emra sllavisht dhe me banorë me emra sllavë, jepet cilësimi se janë shqiptarë; nuk qëndron më kurrsesi as identifikimi serb e ortodoks; shqiptarët nën presionin e administratës politike e kishtare serbe kishin marrë, si ortodoksë, edhe emra sllavë, ashtu si rastin analog të presionit politik e fetar osman morën emra islamike. Rezultate të rëndësishme kanë dhënë në këtë drejtim analizat e imëta të turkologut S. Pulaha (Tiranë) dhe M. Tërnava (Prishtinë), botuar në organet shkencore të Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës. Fakti që në Kosovë me vendosjen e sundimit osman islamizmi u përhap te popullsia shqiptare me besim ortodoks e katolik, e jo te minoriteti serb, tregonte se te ky i fundit ende ishte autoriteti i kishës ortodokse serbe, i Patrikanës së Pejës, ndërsa për shqiptarët si një autoritet i huaj i imponuar, ky nuk mund të ushtronte më këtë funksion. Po ashtu si ortodoksia gjatë sundimit serb, edhe islamizimi nuk arriti t’i asimilonte shqiptarët, sepse u ndeshën me një popullsi masive me tipare kombësie të dalluar qysh prej kohe (në fakt shqiptarët dallohen në dokumente të sundimtarëve serbë qysh në shekullin XIV). Që popullsia myslimane mbeti shqiptare edhe në këto kushte na dëshmojnë vizitorët apostolikë të Romës, të cilët që nga fillimi i shekullit XVII e përshkonin periodikisht trevën e Kosovës; krahas tyre flasin me elokuencë përsëri defterët osmanë që regjistrojnë emrat shqiptarë të proseliteve bashkë me emrat e tyre të rinj islamikë. Nuk mungojnë këtu edhe të dhënat, ndonëse të copëtuara, të dijetarëve turq si Haxhi Kallfa e Evlia Çelebi që dëshmojnë për karakterin shqiptar të banorëve të qyteteve kosovare si Vuçiterni në një kohë para të ashtuquajturës shpërngulje serbe. Në këto kushte nuk mund të flitet kurrsesi për një dyndje të popullsisë shqiptare nga viset e brendshme drejt Kosovës. Përveç faktit që një lëvizje e tillë do të kishte lënë gjurmë në dokumentacionin jashtëzakonisht të imët të administratës turke, ajo është edhe për arsye demografike e pamundshme. Popullsia malore e Shqipërisë së sotme të Veriut, e cila pas defterëve osmanë në shekujt XV-XVI nuk kishte më tepër se 2014 shtëpi, nuk ishte në gjendje të mbushte me banorë trevat e Kosovës, ku vetëm sanxhaku i Prizrenit dhe i Dukagjinit kishin më se 20 800 shtëpi!
Vëzhgimi i mprehtë antropo-gjeografik i I. G. Hanit (I. G. Hahn, 1860), një nga themeluesit e studimeve ballkanologjike, ka tërhequr vëmendjen mbi paradoksin e thënieve se shqiptarët paskan qenë pushtuesit e tokave të Kosovës; situata reale, kur enklavat serbe gjenden në fushën e Kosovës, kurse mungojnë krejt në zonat malore, flet qartë për këtë dijetar se shqiptarët përbënin popullsinë e lashtë autoktone në tërheqje paraardhësve të rinj serbë. Që trevat e Kosovës nuk përbënin një përzierje njerëzish të ardhur vonë nga krahinat e ndryshme të brendshme, e vërteton nga ana e vet studimi dialektologjik i të folmes së kësaj treve.
Linguisti i shquar italian C. Tagliavini (K. Taljavini) ka vënë në dukje karakterin unitar arkaik të kësaj të folmeje, si një unitet më vete verilindor, i formuar prej kohësh në kuadrin e nënndarjeve të shqipes; pikërisht për arsye të karakterit të saj të lashtë periferik, kjo e folme në bazë të parimeve të mirënjohura të gjuhësisë areale, është më konservatore në ruajtjen e tipareve arkaike. Më në fund le të vijmë tek e ashtuquajtura “shpërngulje masive” e serbëve nga Kosova si shkak i deserbizimit. Dokumentacioni austriak për fundin e shekullit XVII dëshmon se Kosova qysh para shpërthimit të kryengritjeve dhe ekspeditës austriake banohej kryesisht nga shqiptarë, se komanda austriake i përfshinte këto vise nën emërtimin Shqipëri, qendër e së cilës konsiderohej Prizreni. Ishin pikërisht shqiptarët, të cilëve u drejtohej në radhë të parë perandori Leopold I dhe qenë ata që u bashkuan në masë me trupat austriake (në Prishtinë 5 000, në Prizren 6 000), krahas me luftëtarët serbë nga vise që u përshkuan nga ushtria perandorake në rrugën nga Sava drejt Kosovës. Shpërngulja e serbëve nga Kosova, që u bë me rastin e tërheqjes së ushtrive austriake është fryrë qëllimisht nga historiografia e interesuar për ta paraqitur atë në përmasa të tilla, sa për të shpjeguar “deserbizimin” e kësaj treve. Por nuk duhet harruar se me këtë rast u tërhoqën edhe kryengritës shqiptarë, gjurmët e fundit të të cilëve i hasim ende sot në Slloveni.
Është e qartë se prania masive e shqiptarëve në Kosovë në shekullin XV, para pushtimit osman, shtron domosdoshmërish pyetjen se si është e mundur që kjo popullsi të mos ketë qenë aty më përpara.
Dihet se në krisobulat e mbretërve serbë për disa manastire të Kosovës nuk mungon përmendja e shqiptarëve. Po të mendojmë se sa i paktë është në përgjithësi numri i këtyre akteve, përqindja e rasteve të përmendjes së shqiptarëve në shekullin XIV fiton rëndësira veçantë, po ta shohim këtë fakt të lidhur me dokumentacionin e bollshëm për shqiptarët e mesit të shek. XV po në këtë trevë.
Dokumentacioni i shkruar, në përgjithësi shumë i varfër edhe për historinë serbe për periudhën para shekullit XIII, e bën të nevojshme që historiani i Kosovës të operojë me burime historike të një tipi tjetër, të ndryshëm nga dokumentet e shkruara, me materiale arkeologjike-gjuhësore. Në rrugën retrospektive që ndoqëm, ne hasim në një periudhë të errët në përgjithësi për gjithë Ballkanin, periudhë që përfshin shekujt e parë të mesjetës. Krahas arkeologjisë, është sidomos gjuha, si kriteri etnik kryesor që fiton në këto kushte prioritet, sipas parimit të mirënjohur të gjuhësisë, se historia e gjuhës është njëkohësisht historia e popullit që e flet (F. Kluge). Kosova, treva e së cilës bënte pjesë në Dardaninë antike, ndan në përgjithësi fatet e gjithë trevës së Ilirisë Jugore; nën një shtresë romanizimi të përciptë, këtu u mbajt te shtresat e ulëta të popullsisë provinciale ilire një kulturë materiale e shpirtërore karakteristike, e cila ruante tipare të lashta të trashëguara nga koha e vonë e hekurit, të cilat i zhvilloi në kushte të reja ekonomiko-shoqërore, në takim me kulturën perandorake bizantine. Kjo kulturë e tipit të Komanit, studiuar ndër të tjerë edhe nga albanologu francez Degrand (Degran) dhe anglezja Durham (Dërhem) dhe në studime speciale nga arkeologë shqiptarë, midis tyre dhe arkeologu kosovar M. Shykriu, përbën dëshminë e qartë të vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe të autoktonisë së banorëve të vjetër vendës që u mbajtën në trevat perëndimore ballkanike, kurse tashmë në përgjithësi mbizotëronin ardhësit sllavë, serbët dhe sllavët maqedonas e bullgarë. (Shih gërmimet ndonëse tepër të kufizuara ende, të bëra në Verbnicë, Ro maia, Pejë, Gjilan nga arkeologë kosovarë).
Vazhdimësinë iliro-shqiptare në Kosovë, përveç materialeve arkeologjike, e përforcon dhe materiali onomastik i kësaj periudhe midis antikitetit dhe mesjetës. Një varg studiuesish të shquar të kohës sonë, si gjuhëtarët austriakë e gjermanë N. Jokl, G. Weigand e sidomos linguistët e njohur kroatë H. Bariç e P. Skok kanë treguar se te onomastika antike mesjetare e trevës së Dardanisë, “Karakteri fonetik tregon se ato janë emra të stërlashta që sllavët e Jugut i kanë marrë përmes gjuhës shqipe, sepse në këto toponime mund të konstatohen ndryshimet fonetike, të cilat janë bërë para ardhjes së sllavëve të Jugut, në territorin historik të shqipes”. Kështu e formulon këtë mendim të rëndësishëm H. Bariç në botimet e Akademisë së Shkencave të Bosnje-Hercegovinës dhe në librin e tij “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, Prishtinë 1955. Për të përcaktuar këtë zonë të lashtë të shqipes, H. Bariç jepte disa toponime antike, “ku nën perden sllave ka mundur të mbahet karakteri fonetik i shqipes”. Të tilla toponime janë: Naisus-Nish, Skupi-Skopia, Astibos-Shtip, Scardus Mons-Sharr. Kjo listë toponimesh shqiptare në trevat pjesërisht sot sllave, është zgjeruar më tej nga linguistët shqiptarë E. Çabej, I. Ajeti (Prishtinë).
Këto e të tjerë emra i kanë çuar studiuesit e përmendur Weigand, Jokl e Bariç të formulonin mendimin se një nga vatrat e formimit të shqiptarëve dhe të shqipes është pikërisht Dardania, ku shqipja mund të zhvillohej si gjuhë e formuar në unitetin e vet, pa u ndikuar në këtë etapë nga të folmet: sllave që e rrethonin. Për këtë arsye H. Bariçi konkludonte se: “marrëdhëniet intime intensive sllave-shqiptare me siguri nuk kanë ndodhur në shekujt e parë të ngulitjes së sllavëve, por kryesisht në shekujt XIII-XIV, për rrethana politike-shoqërore të njohura”, domethënë të pushtimit të trevave shqiptare nga shteti serb. Teza e rolit të Dardanisë si trevë e lashtë e shqipes përforcohet edhe nga studimi i romanistëve gjermanë E. Gamillshegg, G. Raichenkron, M. Fridwagner, të cilët pikërisht me praninë e lashtë të shqiptarëve në trevën e Dardanisë shpjegonin takimet aq intensive të shqipes me rumanishten. Në këtë drejtim çon edhe mendimi i sllavistit holandez Van Wejk, sipas të cilit midis serbëve në veriperëndim dhe bullgarëve në lindje shtrihej një zonë e ndërmjetme që edhe akademiku rumun E. Petroviçi e konsideron si trevë të lashtë të shqipes. Në këto kushte shtrirja e shtetit serb në shekullin XII në drejtim të trevave të Kosovës, që bënin pjesë deri atëherë në zotërimet bizantine, nuk ishte kurrsesi një “çlirim” i tokave serbe, por një pushtim me aneksim i tokave të Kosovës, të banuara prej shqiptarësh, po ashtu si akti i vitit 1913.
Çka u tha, nuk mohon kurrsesi tezën e zotit Aubin se Kosova ishte qendra politike dhe kishtare e shtetit serb në shekujt XIII-XIV. Nuk është ky as i pari, as i vetmi rast në historinë e Evropës, për një ndryshim të tillë etnik midis klasës sunduese, aparatit shtetëror ushtarak e kishtar dhe popullsisë autoktone të përbërë nga shtresat e ulëta popullore. Të vësh baras këtë mbistrukturë, të ardhur në një kohë të përcaktuar historikisht, me popullsinë autoktone, do të thoshte për shembull të quash në Francë Lotaringinë historike të mesjetës si pjesë të “Lebensraum”-it gjerman pikërisht për arsye se ishte gjermane klasa sunduese feudale atje, po ashtu duhej të quanim gjermane gjithë “Ostlandin” baltik e polak për shkak të sundimit shumëshekullor të “Urdhrit teutonik”; do të thoshte të quash më në fund, për të ardhur në territorin e Jugosllavisë, tokë austro-gjermane Slloveninë dhe gjithë ato territore të Kroacisë e Sllovenisë etj., ku klasa sunduese, kisha, borgjezia e qyteteve ishte gjermane. Mite të tilla janë jo vetëm në kontradiktë të thellë me rezultatet e shkencës, por bëhen të rrezikshme kur konsiderohen si “tabu” të detyrueshme për trajtimin historik dhe, si “mite”, bëhen përçuese dhe drejtuese të politikës. Racionalizmit francez historiografia i detyron një parim të rëndësishëm, parimin dekartian “të dyshimit metodik”, po ashtu si parimin metodik pozitivist të luftës kundër miteve e konstruksioneve pa baza faktike. Pa një qëndrim të tillë, shkenca historike nuk do t’i përgjigjej detyrës së saj të luftës për të vërtetën kundër dogmave e miteve, siç janë ndër të tjera edhe tezat e historiografisë serbomadhe mbi Kosovën, mbrojtës, në mos viktimë, e të cilave u bë profesori Michel Aubin.