Altin Kreka: : Pensionet ose harresa e shqiptarëve se një ditë do të plaken

(Botuar me 4 Prill 1998 në KOHA JONE)

Nga Altin Kreka-

TIRANË – Një ditë, kur ti s’ke më fuqi të punosh, pensioni është e vetmja shpresë për të jetuar. Kur vjen koha për të dalë në pension shumë njerëz pendohen që nuk e kanë vrarë mendjen që më parë. Nga viti 91, në Shqipëri filloi të shfaqej puna e zezë. Këtë punë shteti në parim nuk e njeh. Duhet të paguash kur je në punë që të paguhesh më pas kur plakesh. Kjo është formula e thjeshtë me të cilën funksionon Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe sigurimi i të ardhmes tënde. Çdo njeri që punon detyrohet me ligj që gjatë kësaj kohe të heqë nga rroga një shumë të vogël që quhet kontribut. Kur të plaket, e gjithë ajo sasi parash që ka dhënë do t’i kthehet përsëri në formën e pensionit.

Shqiptarët harrojnë dhe pendohen, që s’e kanë bërë, vetëm kur plaken dhe kërkojnë pensionin për të jetuar. “Punova 20 vjet në ndërtim, ndërmarrjen tonë e mbyllën në ’91 dhe që nga ajo kohë, kam gjetur punë të ndryshme tek privatët”, thotë Selimi. Ai është 52 vjeç dhe do të dalë në pension por nuk ka plotësuar vitet e punës. “Kur shkova të kërkoja pensionin, më thanë se duhet të punoja dhe 5 vjet të tjera ose të merrja një pension fare të vogël”, rrëfen ai. Ai shton se ka punuar në disa firma private ndërtimi, por ato vite nuk i njihen sepse nuk ka paguar sigurimet shoqërore dhe ka bërë punë të zezë. “As që më kishte shkuar ndërmend kjo gjë kur punoja tek privatët. Merrja rrogë të mirë dhe me dilte të jetoja”, tregon Selimi. Ai asnjëherë nuk u ka kërkuar pronarëve të tij që t’i bënin kontratë dhe t’i paguanin sigurimet në shtet. Kur në firmën ku punonte shkonin inspektorët e punës ai fshihej. “Më pushonte nga puna pronari po t’i thosha atyre se punoja në atë firmë”, thotë Selimi. Ai kishte parë se si një punëtor tjetër i kërkoi pronarit t’i paguante sigurimet dhe e pushuan nga puna menjëherë. “Ik, ka plot të tjerë që s’kanë pretendime si ti, i bërtiti pronari, po të më pushonte dhe mua s’kisha me çfarë të jetoja”, thotë Selimi. Nuk janë të paktë ata që kërkojnë të bëjnë punë të rregullt dhe humbin vendin e punës për këtë. Të tjerët kënaqen me mendimin se mirë që kam punën, kam kohë deri sa të dal në pension. “Kam djalin që është në një punë të mirë por nuk dua t’i bëhem barrë atij”, thotë Selimi. Ai do të ketë pensionin e tij. Shumë të tjerë e lënë pas dore pensionin kur janë të rinj me mendimin se kemi kohë apo do të punoj tani dhe do të siguroj gjithçka pa patur nevojë të marr atë pension të vogël. Kjo ka bërë që nga 740 mijë shqiptarë që duhej të paguanin për sigurimet shoqërore paguajnë vetëm 350 mijë. Pjesa më e madhe e tyre janë në qytet. Mbi 350 mijë fshatarë duhet të paguanin këto sigurime ndërsa në arkën e ISSH shkojnë kontributet e vetëm 27 mijë fshatarëve. “Ata nuk paguajnë dhe pse shteti ka bërë një favor për ta. Në rast se japin 9 ose 15 për qind të sigurimeve, pjesën tjetër e paguan shteti. Kështu kanë të drejtë të marrin pension të plotë në të ardhmen”, shpjegon nëndrejtori i ISSH, Ilir Beqa. Ai thotë se janë 348 mijë fshatarë të tjerë që duhet të paguajnë kontribute.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore paguan pensionet e 337 mijë vetëve në qytet dhe 169 mijë vetëve banues në fshat, gjithsej 506 mijë. Pensionistët janë më shumë se të gjithë ata që paguajnë kontributet aktualisht. “Duhet që raporti i atyre që paguajnë dhe atyre që marrin pensione të jetë dy me një, por ky raport përmbyset plotësisht nga fshatarët”, thotë Beqa. Sipas tij, Qeveria po përgatit një program për të ndërhyrë në fshat. Qëllimi është që të nxiten e të paguajnë kontributet në shtet. Përveç privatëve janë dhe ndërmarrjet shtetërore që nuk paguajnë sigurimet shoqërore. Beqa thotë se KESH-i, ujësjellësi, dhe disa ndërmarrje të mëdha kanë probleme me ISSH-në me vonesat dhe mospagimin e kontributeve. “Kemi bërë një kontratë me KESH për të zgjidhur këtë problem. Ata kanë vështirësi në mbledhjen e pagesave nga qytetarët për energjinë elektrike”, shpjegon Beqa. Ai shton se Instituti që drejton në bashkëpunim me bankat e kursimit ka bërë bllokimin e të gjitha depozitave të ndërmarrjeve që nuk paguajnë sigurimet e punëtorëve. ISSH ka 21 gjyqe me ndërmarrje të ndryshme, të cilat nuk paguajnë sigurimet e punëtorëve. Gjithçka ka mbetur pezull sepse Përmbarimi kërkon 2 për qind të gjithë shumës, e cila i kalon disa milionë.

Buxheti i shtetit jep një pjesë të mirë të shumës që duhet për pagesat e pensioneve. 23 miliardë lekë është fondi që ka Instituti për të paguar pensionet dhe kjo shumë nuk është për të gjithë por vetëm për ata që kanë dhënë kontributet e tyre. Fondi do të ishte akoma më i madh në rast se puna e zezë do të zbulohej. Inspektoratet e punës kanë bërë kontrolle të shpeshta por një pjesë e mirë e punëtorëve nuk janë zbuluar. Ndërsa pronarët që kanë frikë të mbajnë punëtorë të paregjistruar veprojnë me dy libra pagash. Një me paga të larta, të cilën e paraqesin në zyrën e tatim-taksave për të shpëtuar nga taksimet dhe një për inspektoratin e punës. Libri i dytë ka të shënuara paga të ulëta për të dhënë në shtet sa më pak që të jetë e mundur. Shteti nga një anë nuk zbulon dot punën e zezë ndërsa vetë njerëzit as që e vrasin mendjen për të ligjëruar punën e tyre. Ata që mendojnë realisht se një ditë pensioni duhet, janë më pak se 1500 vetë. Sipas punonjëseve të ISSH, vetëm në Tiranë, 1240 vetë bëjnë sigurimin vullnetar, në Durrës janë 20 të tillë. Sigurimin vullnetar e bëjnë të gjithë ata që nuk janë në punë, janë në punë të zezë apo janë emigrantë. Çdo muaj paguajnë një sasi parash në mënyrë që në të ardhmen të marrin pension nga shteti./ALTIN KREKA/

SHKARKO APP