Andi Bejtja: Luftë dhe bisedime
(Botuar me 14 Maj 1998 në KOHA JONE)
Nga Andi Bejtja
Presidenti jugosllav, Millosheviç dhe lideri i shqiptarëve të Kosovës, Rugova, konfirmuan dje se do të takohen kokë më kokë të premten dhe pa kushte për të diskutuar për të ardhmen e statusit të Kosovës. E gjithë kjo lëvizje e pritur ka më shumë se gjithçka ngjyrën e flamurit amerikan, i cili aktivizoi jo vetëm dy nga emisarët më të njohur, por gjithashtu mbajti një qëndrim më të ashpër ndaj Millosheviçit në Grupin e Kontaktit, duke bërë që të vendosen të gjitha sanksionet e premtuara. Presidenti Klinton dhe në përgjithësi të gjitha qarqet diplomatike evropiane e kanë përshëndetur ftesën për dialog, madje disa kanë vlerësuar “elasticitetin e Millosheviçit”. Më entuziaste është treguar Italia, e cila ka interesa ekonomike me Beogradin, ku spikat blerja e famshme e një pjese të aksioneve të Telekomit Jugosllav.
Takimi u përshëndet dhe nga qeveria shqiptare, së cilës i intereson ulja e gjakrave dhe nuk ka se ç’të bëjë tjetër veçse të japë viston për çdo gjë që iniciojnë të huajt. Ndërkohë në Kosovë jo të gjithë janë dakord me këtë takim. Lideri shqiptar Adem Demaçi, i cili ndikon dukshëm në skenën politike kosovare e cilësoi takimin si kapitullim të Rugovës, duke nënvizuar se bisedimet nuk duhet të zhvillohen pa praninë e një ndërmjetësi ndërkombëtar. Takimi bëhet akoma më i vështirë kur kihet parasysh se pak kohë më parë dhe në vazhdim, serbët kanë kryer masakra të vërteta ndaj popullsisë civile kosovare duke ndikuar në radikalizmin e situatës dhe shtimin e radhëve të atyre që mendojnë se çështja e Kosovës duhet zgjidhur dhe zgjidhet vetëm me luftë. Edhe vetë emisarët amerikanë, ndonëse janë treguar optimistë e kane cilësuar ketë takim si një hap të parë dhe më shumë si sukses procedurash.
Takimi duket se do të shërbejë disi për të thyer akullin midis palëve, por, në të njëjtën kohë nuk duhet harruar eksperienca boshnjake, ku gjithmonë pas takimeve të tilla lufta është intesifikuar akoma më shumë. Është fare e qartë se Millosheviçi po luan me minimumin e mundshëm, duke shpresuar se pas pranimit të ftesës amerikane për të takuar Rugovën, mund të zbuten disa nga sanksionet e vendosura nga Grupi i Kontaktit, ku më e dëmshmja për Millosheviçin është ndërprerja e investimeve të huaja për ish-Jugollavinë. Madje, vetë amerikanët kanë dhënë shenja se në mbledhjen e ardhshme të Grupit të Kontaktit mund të rishikojnë sanksionet nën dritën e situatës së re. Takimi i së premtes, gjithashtu nuk është garanci për ndërprerjen e luftimeve në Kosovë. Rugova nuk i ka nën kontroll ata që kanë ndërmend të nisin luftën. E shumta që mund të diskutojë Millosheviçi është një autonomi e limitizuar vetëm në fushën kulturore dhe në të drejtat e njeriut. Ka shumë mundësi që bisedimet dhe lufta guerile të shkojnë krah për krah dhe sidomos nëse Millosheviçit i ndërpritet presioni ndërkombëtar dhe lirohet nga disa sanksione.