Andi Bushati: Sindroma e “Unit”

(Botuar me 19 Prill 1998 në KOHA JONE)

Nga Andi Bushati

Tetë muaj pas fitores së bujshme të 29 qershorit, Fatos Nano ka vënë në pikëpyetje serioze premtimin e tij për të qeverisur me një bazë të gjerë, përmes respektimit të institucioneve dhe heqjes dorë nga mënyrat autoritare. Ndryshimet e fundit të disa ministrave dhe tentativa për të nënshtruar institucionin e presidencës, të bëjnë të dyshosh se edhe njeriut që drejton sot vendin, kanë filluar t’i hyjnë për zemër metodat e paraardhësve të tij.

Askush nga ata që votuan verën e shkuar nuk është sot i bindur se përse duhej flakur Neritan Ceka, se për ç’të meta është shkarkuar ai. Në të kundërt, largimi i ish-ministrit të Brendshëm po komentohet si largimi i njeriut që ka pasur forcën të kundërshtojë Nanon (edhe publikisht), duke e kërcënuar atë qoftë me dosjen e korrupsionit të qeveritarëve, qoftë me tërheqjen e partisë së tij nga koalicioni.

Pak a shumë për të njëjtat arsye ka dalë jashtë projekteve të qeverisë së re edhe Sabit Brokaj, në skandalin seksual të të cilit pak kush është i prirë të besojë. Edhe nëse deputeti i Vlorës është përfshirë në këtë aferë seksi, të bën të dyshosh fakti se përse ajo u bë publike vetëm pas refuzimit të Brokajt për t’u ngjitur në krye të ministrisë së Brendshme. Por, mëkati i vetëm i Brokajt dhe ai i Cekës është me sa duket se ata nuk kanë pranuar të shndërrohen në plastelinë në duart e kryeministrit.

Të njëjtën gjë po përpiqet të bëjë prej disa kohësh edhe Meidani. Në tentativën e tij të parë serioze për të ruajtur pavarësinë e institucionit që përfaqëson, ai u godit ashpër nga kryeministri dhe njerëzit e tij në PS. Presidenti i Republikës u akuzua se po “destabilizon Shqipërinë dhe rajonin” se po krijon “situata absurde” që e fusin vendin në “krizë institucionale” vetëm e vetëm sepse nuk pranoi të firmosë brenda disa orëve strukturën e re të qeverisë dhe se po shfrytëzonte afatin e nevojshëm kohor që i duhet për të dekretuar emrat e ministrave të rinj.

Aq i madh qe zemërimi ndaj Meidanit sa këto ditë atij nuk kanë nguruar t’i kujtojnë se kushtetuta e re (kompetencat e presidentit po diskutohen tani) mund ta shndërrojë atë në një kukull nën dominimin e plotë të kryeministrit.

Shkarkimi i dy ministrave rebelë dhe tentativat e fundit për të nxjerrë jashtë loje Presidentin, tregojnë se kryeministrin shqiptar kanë filluar ta bezdisin ata që nuk i thonë “amin”. Ndryshe nga sa kishte premtuar pas hekurave të burgut (respektimi i institucioneve, përkrahja e alternativave të ndryshme dhe njerëzve të aftë) tek Fatos Nano po vihen re shenjat e para për të ndërtuar një shtet të “Unit”. Nga autoritarizmi, sëmundja e vjetër e njerëzve të fuqishëm të politikës shqiptare, me sa duket është prekur edhe ai. Ndryshimet në qeveri dhe kriza e fundit institucionale e vërtetojnë këtë. Të paktën deri në momentin kur kryeministri do të marrë guximin të rideklarojë: se ai nuk do të veprojë si Berisha sepse nuk ka ndërmend të jetë vetëm një shtojcë e mendësive të vjetra 555-vjeçare.

SHKARKO APP