Arban Hasani: Liderët ndryshe

(Botuar me 14 qershor 1998 në KOHA JONE)

Nga Arban Hasani-

Branko Cervenkovski, kryeministri i Republikës pak të njohur të Maqedonisë, vetëm dy orë përpara se të fluturonte dje për në Tiranë, ka dhënë lejen që avionët luftarakë të NATO-s të kryejnë mbi ajrin e FYROM manovrat ushtarake. Shefi i qeverisë së ish republikës jugosllave ka pritur takimin me homologun e tij shqiptar Fatos Nano, që të zgjidhë në një farë mënyre një krizë të vogël që u krijua dy ditë më parë, kur Maqedonia bllokoi Aleancën Atlantike në kërcënimin luftarak karshi Beogradit.

E gjithë kjo lëvizje e Cervenkovskit e bërë në momentin më kritik të krizës jugosllave, kur numri i refugjatëve kosovarë vërtitet në mbi 15.000 dhe kur UÇK-ja e ushtria serbe ndeshen në çdo orë, ka qenë vetëm një vërejtje e re e diplomacisë së vogël maqedonase karshi komunitetit ndërkombëtar. Një tërheqje vëmendje në pikën kritike të republikës fqinje, që emri me germa kapitale FYROM po e lodh më shumë sesa zhurma e avionëve ushtarakë që do fluturojnë mbi Shkup. Në këtë kuptim, si momentin për të qenë protagonist në ngjarjen e madhe të Kosovës, Cervenkovski ka shfrytëzuar takimin me Fatos Nanon, të cilin pak kohë më parë në Bruksel e quajti si “personin e vetëm që mund të vendosë paqen në ngjarjen e madhe te Kosovës”.

Takimet e shpeshta dhe bisedat e zgjatura mes Nanos dhe Cervenkovskit ndoshta kanë bindur tashmë diplomacitë perëndimore se mes dy vendeve të vogla ballkanike kanë marrë fund zënkat e kota pafund që nuk i shërbenin asnjërës palë. Duket se takimi i Kretës, mbi të gjitha, i ka bindur dy shefat e qeverive se vetëm së bashku mund të përpunojnë një tjetër politikë dhe linjë diplomatike në Ballkan, të ndryshme nga ngurtësia komuniste e Millosheviçit dhe inatet nacionaliste të homologëve të tjerë.

Kosova dhe zgjidhja e krizës së saj mund të jetë shansi i madh që të vegjlit t’i imponohen tryezës së madhe, moment që Nano dhe Cervenkovski, të majtët e rinj të Ballkanit nuk kanë ndërmend ta lëshojnë. Nano, për të mbyllur përfundimisht praktikën që për Kosovën mund të fliste e gjithë bota dhe vetëm Shqipëria nuk belbëzonte asnjëherë. Ndërsa Cervenkovski për t’i rënë në sy Komunitetit Ndërkombëtar se veç një emri pa germa kapitale, Maqedonia mund të jetë një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon, Megjithatë ajo që po ndodh mes Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk është vetëm një histori e thjeshtë dashurie pragmatiste. Më së shumti ajo duket si një miqësi e llogaritur, ku jashtë rruge mbeten Millosheviçi, tmerret e shkuara të Bosnjes dhe udhëheqësit tradicionalë ballkanikë.

 

SHKARKO APP