Arianita Petro Marko: Në dorën e lexuesve, ditari i shkrimtarit Petro Marko “Intervistë me veten nga “Omska”

(Botuar me 24 mars 2000 në KOHA JONE)

Nga Arianita Petro Marko-

Po të mos ishte këmbëngulja e Safos, ndoshta nuk do të kishim sot në dorë këtë vëllim, ku dynden kujtimet, i cili, sido që të jetë, bën të mundur që diçka të mbetet; them diçka, se sigurisht nuk mund të pretendohet që të jetë paraqitur e plotë tërë odiseja e jetës së tij në këtë numër faqesh të shkruara me nxitim, por, të paktën, të qartësojë gjurmët e lëna në një rrugë të mundimshme, ku era e harresës, e mosnjohjes do të bënte me kohë, qoftë edhe pa dashje, deformimin e tyre.

Duke shfletuar këto kujtime unë vetë, padashur, figura e njeriut që jetoi kalvarin e tij, siç e quan ai vetë, nuk mund të mos njehsohet me figurën e njeriut shumë të dashur, të babait tim, me përkëdheljet, kujdesin, ngrohtësinë, mbrojtjen që ai rrezatonte për mua, për familjen. Plane e plane për të shkruar e për të shkruar. Jehona e tiktakut të tasteve të makinës së shkrimit ende dëgjohet nëpër shtëpi. Shfletimi i dorëshkrimeve, i blloqeve të shënimeve, i fletëve të shkëputura, i letrave bën të mundur frymëmarrjen që nuk mund të ndalojë; fjalët që mbeten akoma në letër dhe ato që do të kishte dashur të thoshte akoma për të komunikuar akoma me njerëzit, me ditët, me kohën që ecën, me jetën, tingëllojnë e nuk shuhen. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë të pandashme, sepse ai jo vetëm që ishte, por është dhe do të jetë. Më kujtohet në periudhën e njërit prej dënimeve të tij, kur ai na thoshte: mund të ketë një ish-ministër: Një ish-president, një ish-udhëheqës, por kurrë nuk mund të ketë një ish-shkrimtar.

Dhe unë tani, plotësisht e bindur, them: po, ai është përherë shkrimtar, poet, gazetar, por edhe burrë e prind i mrekullueshëm për familjen e tij. Safoja, mamaja ime, u bë shkas që ai të ulej e të shkruante për kalvarin e tij, duke e bindur me faktin se do të ishte e pamundur, që tërë atë jetë të mundte dikush tjetër ta tregonte e ta ndërtonte, se tërë ato ngjarje, data, njerëz, histori, përveç atij vetë, kurrkush tjetër nuk do të mund t’i rendiste vërtetësish. Dhe ai u ul dhe e hodhi në letër “shkurt”, aq shkurt sa mund të tregohet shkurt, një jetë e cila është për disa jetë të jetuara gjallërisht dhe jo një shtyrje jete, ashtu siç ndodh rëndom, qetësisht e kotësisht, në amullinë e apatinë e njerëzve që shtyjnë ditët brenda atij pellgu, të cilin e kanë sajuar vetë ose ua kanë servirur. Nuk pati mendimin e botimit, nuk bëri përpjekje për t’i ngjyrosur e për t’i bërë tërheqëse, vetëm se, për fat të keq, pati kujdesin e një vetëkontrolli, për të mos krijuar me duart e tij atë që mund të kthehej pas një kontrolli (të provuar, të pësuar), në një shkak për një dënim të ri për të dhe për familjen e tij. Ai tregoi, duke nxituar të rindërtonte armaturën e një ndërtese gjigante, sepse jeta e tij nuk u jetua vetëm, por, siç thotë ai, paralel me historinë dhe njerëzit. Pjesa e parë, kur Petro Marko plak (sa e pagoditur kjo fjalë për ta cilësuar atë) interviston Petro Markon e ri, sido që të jetë, për fat të mirë, është më e plotë.

Ajo u shkrua në kohën kur vuante një burg të ri, të cilin e quan burgim në heshtje, izolim dhe kur i biri vuante burgimin, kur veç ëndrrave si krijues, iu ekzekutuan edhe ëndrrat si prind e familjar. Si do ta ketë ndier veten, i rrethuar ndërkohë nga helmi, kur tregon për fillimet e jetës, për luftën për një botë të ndryshme nga ajo që njohu, për idealin, për guximin e të shpresuarit dhe sakrificën, për humbjen në rrugën e kërkimit dhe për kthimin plot shpresë në Atdheun e Tij?

I mbijetuari jetim në vogëli, i përplasur nga tallazet e një deti të stuhishëm, kërkoi e kërkoi të gjente e të ndërtonte hapësirën e një bote pa gjerdhe, pa errësirë, e cila të jetohej nga njerëz të mirë, këtu, në atdheun e tij, ku duhej të fillonte kjo botë. E kujtoj në ballkonin e shtëpisë, në çastin e trishtimit ngarkuar me kujtime, kur këndonte nën zë këngët atdhetare, luftarake dhe vajtimtare, në gjuhën e dashur shqipe dhe në gjuhët e vendeve, në të cilat kishte luftuar, vajtuar, ëndërruar, i lidhur përsëri me zinxhirë, kësaj radhe të padukshëm, zinxhirë që nuk iu ndanë atij, njeriut që ishte nisur për t’i luftuar e zhdukur ata, në rrugët kaotike të një lufte, e cila nuk po mbaronte.

Pjesa e dytë, aq pak fletë të një letre të zverdhur, u shkrua pas 13 vjetësh, në kohën kur Petro Marko i kishte shpëtuar përkohësisht pushtetit të vdekjes. Por ajo pas pak do ta mbyllte përsëri në një burg, në atë të përjetshmin e qenies fizike, në largimin e përhershëm nga njerëzit e dashur dhe nga kjo botë ende në furtunë. Çuditërisht, vdekja e largoi vërtet prej nesh, pa asnjë mundësi për ta parë e për ta takuar më, por kudo nëpër shtëpi, në raftet, sirtarët, dosjet, ngado, mund të ndiesh praninë e tij, jetën e tij dhe kurrë mungesën.

Kjo pjesë, e cila vazhdon nga viti 1944, viti i çlirimit, pas kthimit në Shqipërinë e tij, dhe që duhet të përmblidhte kujtimet, mendimet, zhgënjimet, humbjet, njohjen, regëtimën e rrezes së shpresës për rreth 47 vjet të një jete të ngjeshur me ngjarje, punë, krijimtari, do të mund të shkruhej kësaj radhe pa frikën e një kontrolli, pa kufirin e mureve mbrojtëse të të mosthënit të së vërtetës, por për fat të keq u shkrua nën pushtetin e sëmundjes, e cila mezi e lejonte të merrte frymë. Përsëri një diktat, kundër të cilit ai kësaj radhe ishte i pafuqishëm të luftonte, i cili po e prangoste përsëri drejt dënimit të fundit, por tani e më tej ky dënim nuk do ta burgoste dot më me pamundësinë e fjalës.

Fjala e tij jeton dhe ky botim, si dhe të tjerët që do ta pasojnë atë, nuk do të pengohet më, nuk do ta shpien më në brumatriçe e ta kthejnë në karton, nuk do ta burgosin dot e, sido që të jepen vendimet e rastësishme, nuk do të mundet kurrë më t’ia vrasin të drejtën më të thjeshtë të një krijuesi: atë të komunikimit me njerëzit.

Në kohën kur vendosëm të japim për botim këtë jetëshkrim, duke e zgjedhur të parin ndërmjet veprave të pabotuara a të botuara të cunguara, e rilexova me zë të ulët për mamanë time. U rijetua një jetë, sepse qemë pranë tij që kur ai ishte fëmijë, pastaj i ri, burrë dhe, se fundi, nuk do te thosha i plakur, por i lodhur nga përvoja e një jete nëpër tallazet e pambarimta te kohës.

Leximi im shumëfishohej nga kujtimet e pafundme të Safos dhe nga ato të miat. Atëherë vërtet vumë re se, sa e pamundur ishte që ai të mund të përmblidhte jetën e tij, të mund ta tregonte atë për të tjerët. Por mua, ndërkohë që kaloja nëpër rrugën e mundimshme të një njeriu, i cili përplasej në shkrepat e thepisura të realitetit të pamëshirshëm, të tjera gjëra më vinin ndër mend. E si është e mundur që një njeri me një peshë të tillë vuajtjesh të mund të krijonte ndër vite atmosferën e shumëdashur të një Babai, duke dhuruar vetëm mirësi, dashuri, ngrohtësi, kujdes, duke mos lejuar që pesha e halleve të tij të rëndonte dhe mbi shpirtrat tanë. Kujtoj babain te dera e gjimnazit me bukën time me vete, se unë kisha ikur pa ngrënë mëngjes. Kujtoj ushqimet që përgatiteshin për t’i shpënë në burg tek im vëlla, kur ai thoshte: edhe këtë, edhe atë, duke mbledhur me aq kujdes, e sigurisht me shumë vështirësi, ato që mundeshim. Kujtoj ëmbëlsirat që sillte sa herë që merreshin rrogat ose ndonjë honorar; e kujtoj të sëmurë, kur, sa herë i bëhej ndonjë shërbim ose i kalonim pranë, na puthte përherë, sikur të kishte frikën e largimit prej nesh.

Nuk e shpërndante hidhërimin te fëmijët, duke na ruajtur në çdo çast me aq sa mundej, nga helmimi prej tij. Nëse e pyesja e më tregonte për rrugën e tij, të kësaj jete përherë të vështirë, e bënte në mënyrë të tillë që paraqiste anën më të bukur, njerëzit e mirë, besimin për të ardhmen dhe besimin se e bardha është më e fuqishme se e zeza, drita se errësira, dashuria se urrejtja, e ardhmja se e tashmja. Një nga gjërat që më bën kurdoherë përshtypje, janë miqësitë e tij. Në një miqësi nuk mjafton të dish të zgjedhësh, por edhe të dish të zgjidhesh. Miqësitë e tij i kanë rezistuar kohës, largësisë, kufijve. Ende sot kur ai nuk është më midis nesh, miqësia e miqve vazhdon duke e bërë ende më të pranishëm.

I përmend këto pak gjëra, sepse nuk mund ta ndash njeriun baba nga njeriu artist. Për mua ai është Babai im, por edhe shkrimtari dhe poeti i dashur, të cilin mund ta lexoj e rilexoj, duke i dashur veprat e tij e personazhet, të cilat më duken përherë të njohura e të afërta.

Në rrugë, studentët, njerëz të panjohur e përshëndetnin: Hasta la vista, Petro Marko. Një nga dëshirat e tij ishte që ai të mbetej dhe si poet. Sepse në shpirt në fund të fundit mbeti dhe si Poet. Në tragjiken e jetës së tij ai ishte poeti, midis mureve të mbyllur, nëpër humbjet i plagosur, ndër dënimet i izoluar, ai mundte të shikonte përtej mundësisë së lejuar të qielltin qiell, të dashuruarën të bukur, të palëvizshmin mal, të lirin njeri, të shtrenjtën shpresë. Poezinë e kishte në të tërë qenien dhe në ngjizjen e tij, aq sa, dhe në çastet kurajëvrasëse shpirti i tij krijonte bukurinë dhe muzikalitetin, të cilin nuk mundej dot dreqësia ta prishte, ta shkelte, ta shndërronte.

Kjo parathënie është një porosi e tij. Ndoshta nga bisedat tona dhe nga ato me njerëzit e dashur, ai e mendoi se dikur do të botohej e do të bëhej i njohur edhe ky dorëshkrim nga lexuesit e tij. Dhe midis shumë porosive ishte dhe kjo: Jetëshkrimi i tij të shoqërohej me një shpjegim të thjeshtë për kohën, mundësinë, pamundësinë e të shkruarit të jetës. Do të ishte ndryshe, por kaq qe e mundur të thuhej. Sa shumë mbeti pa u thënë. Për njerëzit që ai deshi, që i njohu, që vuajtën dhe bashkëvuajtës me të, që mbetën të vlerësuar ose “të panjohur”, në rrugën e përhershme drejt një ideali të një bote të denjë të jetuar nga njerëz të denjë, për të cilët gjithnjë i dukej se kishte një borxh për t’u dhënë mundësinë e njohjes dhe të rijetimit. Atëherë unë mund të them se në këtë bisedë të gjatë të shkurtuar nga pamundësia, Petro Markos i mbeti ende shumë për të thënë. Si të gjithë njerëzit. Në bisedat dhe në shënimet e tij flitet për romanin që ai e quan më të rëndësishmin e krijimtarisë së tij, për romanin “Retë dhe gurët”. Janë shënimet, projekti, hartat, ndër vite. Në një fletë shkruhet: “Dëshira e fundit: Të shkruaj romanin “Retë dhe gurët”. Më poshtë “Regjimet Deti Toka Malet Koha Njerëzit Zogjtë. Në fund të leximit të këtij jetëshkrimi, ne, pa pasur as më të voglin dyshim, menduam: Ky jetëshkrim duhet të mbajë titullin “Retë dhe gurët”, sepse, ndofta pa e ditur, Petro Marko e ka shkruar edhe atë. Romani i dëshiruar, dëshira e tij e fundit, në të vërtetë është realizuar. Kjo përkon me dëshirën dhe planet e tij. Unë besoj se këtë gjë me siguri do ta pranojë. Është titulli që ai e kishte zgjedhur vetë. Ai zgjodhi të kthehej në një gur në vendin e tij. Tashti ai qëndron në atë vend nga i cili dikur, ende fëmijë, shikonte botën përtej horizontit e detit, duke ëndërruar njohjen të veshur me mentalitetin e shpresës, sepse bota ishte aq e madhe, e parë nga larg, sa do të ishte e pamundur që të mos kishte vend për njerëz që jetonin në të. Ai e kaloi detin dhe tentoi të prekte horizontin. Por nuk mund të zgjidhte që të kthehej në re. Zgjodhi gurin. Si emri i tij. Si një paracaktim i fatit. Dhe, meqë ka dhe re, ka dhe gurë, si mundet që Petroja të mos zgjidhte gurin?! Ai tani është një gur në vendin e tij. U kthye. Për ta parë tanimë të njohurin horizont nga fshati i vet. /Arianita Petro Marko/

SHKARKO APP