Blendi Fevziu: UÇK, politikë pa Rugovën
(Botuar me 25 qershor 1998 në KOHA JONE)
Nga Blendi Fevziu-
Rugova ka bërë dje hapin politik më të pritur të ditëve të fundit. Në një intervistë për shtypin kosovar i ka ofruar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shërbimet e tij dhe i ka kërkuar asaj që të vihet nën kontrollin politik. Ftesa e komentuar gjatë nga analistët dhe agjencitë e lajmeve, qe një lëvizje e pritshme, e diktuar më me ngut nga zhvillimet e fundit në Kosovë. Pas 22 marsit ndikimi i Rugovës është shumë më i zbehtë dhe UÇK nga një organizatë lokale është shndërruar në një faktor politik vendimtar në krahinë. Mjafton të kujtohet se ajo zotëron një pjesë të territorit dhe kontrollon disa segmente të rrugës nacionale. Por fatkeqësisht, fuqizimi i saj nuk ka ardhur në rrugë normale. Rritja e rolit të UÇK është diktuar nga dhuna serbe dhe kjo ka bërë që organizimi të jetë ende në nivele lokale. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe me një organizatë, që brenda 3 muajsh 100-fishohet në numër dhe transformohet në një faktor të rëndësishëm politik në vend. Si rëndom në këto raste, kontrolli zhvendoset nga qendra në bazë dhe nën flamurin e UÇK luftojnë tashmë gjithë shqiptarët që mbrojnë fshatrat dhe tokat e tyre.
Pavarësisht se shumica e këtyre nuk drejtohen nga një komandë dhe nuk i nënshtrohen një rregulloreje të përbashkët. Dalja e UÇK nga anonimati dhe legalizimi i saj, dy veprime të kërkuara, duket se nuk mund të realizohen aq lehtë. Një gjë e tillë, mund të provokojë një situatë kaotike, si gjithmonë në ato vende, ku automatiku nuk vihet në funksion të politikës por politika në funksion të automatikut. Shembulli më i mirë për këtë është Afganistani, ku tërheqja e trupave ruse dhe mungesa e një drejtimi politik, provokuan një ndeshje të vazhdueshme 9-vjeçare, midis grupeve që secili për hesap të vet kishin mbrojtur atdheun deri atë ditë.
Lëvizja e Rugovës synon pikërisht disiplinimin e lëvizjeve të armatosura në vend dhe vënien e tyre nën kontrollin e drejtuesve të dalë nga një votë legale si ajo e 22 Marsit. Por nëse deri këtu gjithçka ngjan normale, zgjatja e kësaj logjike të bën të mendosh ndryshe. Rugova i ka fituar votat si ithtar i politikës paqësore dhe po si ithtar i kësaj politike kërkoi të gjente një zgjidhje diplomatike në zyrën e Millosheviçit. Fatkeqësisht ngjarjet precipituan me shpejtësi dhe Kosova numëron sot disa mijëra viktima, dhjetëra fshatra e shtëpi të shkatërruara dhe mbi 90 mijë refugjatë. Ky bilanc shifrash e bën zgjidhjen diplomatike një iluzion dhe të gjithë jemi realistë, se sot, rruga e vetme e Kosovës është ndeshja e armatosur. Në një rast të tillë, UÇK duhet të organizohet si një grupim unik, të përpunojë një platformë politike dhe të vërë veprimet e saj të armatosura nën kontrollin e politikanëve. Të atyre politikanëve që nuk kanë dështuar në opsionet e tyre, siç ka ndodhur fatkeqësisht, deri tani me Rugovën./Blendi Fevziu/