Blendi Fevziu: Viktimat e ndryshimeve

(Botuar me 5 Prill 1998 në KOHA JONE)

Nga Blendi Fevziu

Ka kaluar tashmë një javë, kur në fillim Majko dhe më pas Nano, paralajmëruan ndryshimet e mundshme qeveritare. Në harkun e tetë ditëve, të gjitha llojet e mediave e kthyen lëvizjen e paralajmëruar të mazhorancës në një fushatë të shfrenuar komentesh, në vorbullën e të cilave u përfshinë të gjithë ministrat dhe kabinetet e tyre. Mungesa e evenimenteve politike dhe e ngjarjeve të rëndësishme, bëri që këto lëvizje të trajtohen sipas oreksit të momentit dhe interesave të caktuara. Brenda shtatë ditësh, Ceka, njeriu më i komentuar, u largua pesë herë nga detyra dhe po kaq herë u rikthye prapë në Ministri. Po në këtë hark kohor u emërua Zv. kryeministër, ministër Shteti dhe çuditërisht ministër Kulture. Po të njëjtën aventurë ndoqi në shtyp edhe Fino, duke lëvizur nga zyra e tij e Zv. kryeministrit në atë të ministrit të Brendshëm, prej këtej në zyrën e ministrit të Transporteve, investimeve dhe punëve publike, për t’u kthyer përsëri aty ku kishte nisur.

Pothuaj të gjitha gazetat e mëdha dhanë variantet e tyre të kabinetit të ndryshuar Nano 3, pa hezituar të shkrijnë, ndajnë dhe krijojnë ministri e ministra, sipas komenteve të korridoreve të PS. Dhe për t’i shkuar deri në fund këtij paradoksi, shumë politikanë të tjerë, nisën të japin variantet e tyre ideale të riorganizimit të Kabinetit. Në këtë fushatë të ethshme dhe pasionante, të kabinetit padyshim ata që humbën më shumë qenë pikërisht politikanët. Autoriteti i tyre është prekur rëndë. Mjafton të imagjinosh humorin dhe gjendjen shpirtërore të një institucioni, çdo mëngjes, ndërsa zbulon se titullari i tij nuk do jetë më i tillë dhe se poltronën ia ka zënë ndërkohë një tjetër.

Ideja e përkohshmërisë dhe pasigurisë, sëmundje e vjetër e administratës shqiptare, është rikthyer më shkatërruese se kurrë, duke paralizuar segmentet jetike të shtetit. Kjo gjendje e turbullt, në të cilën përzihen interesa të ndryshme partiake, ekzistenca e koalicionit dhe e ardhmja e tij, bëhet më e rëndë po të mësosh se asnjë prej ministrave të përfolur nuk di gjë për ndryshimet dhe se të gjitha variantet e ndryshme që përcaktojnë destinacionin e tyre i kanë mësuar përmes shtypit. Po e njëjta mungesë informacioni ndihet edhe në selitë e partive, që pavarësisht nga kjo, janë përfshirë në një fushatë të fortë komentesh mbi këtë fenomen të pritshëm.

Ndryshimet janë një e drejtë ligjore e mazhorancës dhe Kryeministri mund t’i kishte bërë ato pa pasur nevojë për komente të tepërta. Ai është përgjegjës për qeverisjen e vendit dhe ka të drejtën të riparojë të gjitha pikat e dobëta të kabinetit. Por hedhja e idesë dhe lënia e asaj zvarrë, pa bërë sqarimet e nevojshme, vetëm sa krijon këtë gjendje vakuumi, viktimë e parë e së cilës është vetë kryeministri.

SHKARKO APP