Edi Lesi: Shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, dy orë në qeli

(Botuar me 27 Maj 1998 në KOHA JONE)

Nga Edi Lesi- 

“Kur mbarova me burrat, shkova nga gratë”- rrëfen Dritëro Agolli për larminë e takimeve, që ka pasur në burgun 325 dje. Për 2 orë qëndrimi atje, Agolli i ka mësuar të gjitha hallet e të privuarve nga liria.

Megjithëse, për të burgosurit ishte bërë e ditur paraprakisht se Agolli do të fliste për letërsinë, ata nuk kanë mënuar të tregojnë pikë së pari problemet që kanë direkt mbi kokë. Të burgosurit u qanë për një premtim, që kishte dhënë qeveria dhe që nuk po mbahej. Ishte thënë se për ata që do të kthehen vullnetarisht, do të lirohen. “Të paktën të mos na gënjenin”- thanë tre a katër të burgosur. Sipas Agollit të burgosurit nuk kanë veçse probleme mbijetese ngushtësisht materialiste. “Kishin sidomos problem, marrëdhëniet me të jashtmit”. Duke premtuar se për problemet e tyre ai do të ngrejë zërin në Parlament, Agolli lëshoi një vështrim nga letërsia dhe më pas bisedat u rrokullisën rreth kësaj. “Burrat kishin krijuar ndonjë poezi, por kishin turp të recitonin”- thotë Agolli. Ndërsa gratë jo. Ato jo vetëm që kishin krijuar, por edhe kompozuar. Një e dënuar, vjershën e saj të gjatë kushtuar qelisë dhe gjithë vuajtjeve e pakënaqësitë, që ajo mbars i kishte ngritur në telat e çiftelisë. “Ishte me të vërtetë tragjedi”- Agolli ngjan të jetë tronditur nga patosi i vjershës që kishte sajuar, ndoshta për disa vite me radhë e burgosura. Ai tha se edhe mund të botohej.

Më afër se kurrë të burgosurit kishin poetin e madh, që ndoshta vite të shkuara e kishin parë nga ekrani i shtëpive në liri. Dje ata mund ta preknin, pse jo të interesoheshin më tepër se për çdo lloj letërsie, për letërsinë që bën vetë ai. “Unë u fola për librat e mi të rinj dhe nesër kam ndërmend të shpie atje disa nga ekzemplarët”. Agolli lë të kuptojë se ky do të ishte një investim, pasi sipas tij të burgosurit kishin vullnet për të lexuar. “Ata lexojnë më shumë se ne”. Dritëroi është tashmë i bindur, se sidomos në fushën e drejtësisë e të ligjeve, atje ku u shkon gjuha të burgosurve, ata ishin bërë ekspertë.

Shkrimtari popullor kishte 2 orë në dispozicion për të kaluar nga njëra qeli në tjetrën. I shoqëruar ngado me të burgosur, ai i vëzhgoi të gjitha ambientet e burgut 325. “Kushtet ishin normale”. Agolli ka veçanërisht një konsideratë për personelin. “Ishin shumë të sjellshëm me të dënuarit”. Në fakt është i njëjti personel që ka organizuar vizitën e Dritëroit. Edhe më parë të personave të tjerë publikë si, Mirush Kabashi dhe Agustin Kola. Pas Dritëroit këtë traditë të sapofilluar do ta ndjekë edhe Aleks Luarasi, i cili ditën e shtunë do të shoqërohet nga një sasi e konsiderueshme librash, si më e mira dhuratë për ata, të privuarit nga gjëja më e shtrenjtë, LIRIA.

EDI LESI

SHKARKO APP