Edi Muka për Edi Hilën

(Botuar me 24 Prill 1998 në KOHA JONE)

-Edi Muka për Edi Hilën-

“Mohohet komforti i projektuar në dëshirë, bëhet i pamundur duke qenë fare pranë, ashtu siç ndodh edhe në të vërtetën e madhe të quajtur Shqipëri”.

Edi Hila … deri këtu

Pas heqjes së censurës, gjithmonë në kushtet e një problematike dhe informacioni të kufizuar, Hila nuk e sheh të arsyeshme braktisjen e menjëhershme dhe totale të subjekteve dhe mënyrës së pikturimit në të cilën ai operonte. Përkundrazi, duke i dhënë më shumë hapësirë përmasës metafizike e simboliste në pikturat e tij, ai zhvillon një cikël, i cili bazohet mbi motive që zënë një vend me peshë në prejardhjen dhe zonën e tij të fëmijërisë. Ky është një cikël figurativ, ku shfaqen motive të qarta simboliste në një dimension metafizik. Të shoqëruara nga një arkitekturë tipike, figura njerëzore, me drapër si një element fizik, fluturojnë në hapësira të ndërprera ajrore. I gjithë ky cikël shoqërohet nga një sensualitet erotik i pranishëm edhe aty ku është jo i drejtpërdrejtë.

Siç e përmenda më sipër, i kushtëzuar nga përpjekja për të prekur gjithçka, më parë të ndaluar, në një periudhë kohore tepër të shkurtër për një përpjekje të tillë të plotë, në vitin ‘944, pason një cikël pikturash abstrakte me përmasa të konsiderueshme. I pashkëputur për asnjë çast nga prekja me territorin, ky cikël ka si subjekt transformimin apo përçudnimin e hapësirës së Tiranës. Ky ndoshta është momenti i vetëm ku Hila, i nxitur nga eksplorimi i potencialit të abstraktes, i largohet figuracionit të drejtpërdrejtë dhe motivit të tij të përsëritur, por jo në mënyrë absolute. Megjithatë në këtë cikël vërehen dy fenomene: 1. Abstraksioni nuk është i pastër, d. m. th. Hila nuk shfrytëzon potencialet formale të mjetit, por ruan subjektin; 2. vazhdon të përcillet sensi i papërcaktueshmërisë dhe diskontinuitetit hapësinor, me anë të formave abstrakte që vendosen në plan të parë duke penguar depërtimin.

Më ’95-’96, ky cikël pasohet nga një tjetër. Karakteristikë për të është fakti se vazhdon të ruhet interesi për abstrakten, por subjekti fillon të marrë trajta të shqueshme që i referohen motiveve figurative të përmendura më sipër. Nga an tjetër, shtohet ndjeshëm diskontinuiteti hapësinor përmes futjes së elementëve të rëndë ndarës, që ndërpresin zhvillimin e subjektit.

Deri në këtë pikë, pavarësisht nga rezultati, në krijimtarinë e Hilës mbartet një ndjesi paqetësie, një tendencë drejt kërkimit që rezulton në kalimin relativisht të shpeshtë mes formave të shprehjes, por që gjithsesi ka dy elementë lidhës: 1. diskontinuitetin hapësinor ( i pjellë në mënyrë subkoshiente nga potencialet e territorit, ku diskontinuiteti është një fenomen i prekshëm dhe i përsëritur); 2. motivin figurativ të mbartur e të përpunuar në faza të ndryshme. 

Nga Edi Muka

Në hyrje të ekspozitës, vizitori përballet mefotografinë e një autoveture me xham të thyer, të mbuluar me qese. Në funksion të termit, ky xham i thyer autoveture është treguesi i parë i asaj çka zhvillohet më tej. Ekspozita konsiston në 15 punime të përmasave të ndryshme, të realizuara në teknikën e akrilikut. Sipërfaqet sundohen nga ngjyra gri, e cila është e pranishme në të gjithë ciklin. Në të vërtetë, ka një ndryshim të dukshëm në këtë cikël, të parë në kuadrin e përgjithshëm të pikturës së Hilës. Ky ndryshim shfaqet jo vetëm në mungesën e raporteve të ngjyrës, por edhe në teknikën e thjeshtë, pothuajse të ashpër të pikturimit. Vendin e figurave të vizatuara lirshëm e me ekspresivitet, e ka zënë një velaturë e lëngshme gri, e cila hidhet si një vel mbi referentin figurativ të subjektit të çdo kuadri. Në pamje të parë, kjo teknikë pikturimi së bashku me mungesën e ngjyrës të çon drejt një simpliciteti të ashpër, të pashfaqur me parë në pikturën e Hilës.

Më ndjeshëm se në të gjitha fazat e tjera paraardhëse, përputhja e mjetit me konceptin kryhet e plotë, duke e mbyllur qarkun e kërkimit. I zhvilluar në drejtim të një konceptuali të pastër, elementët gjuhësorë të pikturimit i nënshtrohen me sukses synimit të artistit: përcjellës së një problematike të pastër dhe direkte. Nga ky fakt, rrjedh në radhë të parë zgjedhja e gamës gri, e cila në këtë rast del nga neutraliteti i natyrës së saj në vetvete dhe fiton një peshë të rëndë konceptuale. Nga ana tjetër, i dalë nga sinteza e potencialeve të territorit me figuracionin mbartës së konceptit, shfaqet një element i ri figurativ, Kolltuku, i cili zëvendëson me sukses figurën qendrore të njeriut, të pranishme në fazat e mëparshme. Figura e njeriut e pranishme pothuaj në të gjitha ciklet e pikturës së tij, së pari zhduket e më pas rishfaqet nga një këndvështrim i ri. Ky këndvështrim është ngushtësisht i lidhur me objektin mbartës të konceptit dhe i nënshtrohet tërësisht përmasës konceptuale të pikturës. Për këtë arsye, kudo ku figura është e pranishme të bien në sy dy elementë thelbësorë epistemologjikë dhe semiotikë: 1. figura është mbartëse dhe ekuivalente e erotizmit dhe sensualitetit të sipërpërmendur, por tani në një funksion më të shqueshëm e më evident, 2. megjithëse e vizatuar dhe pikturuar me mjeshtëri, ky moment nuk evidentohet qëllimisht si një fakt në vetvete, por funksionon brenda unitetit sundues të konceptit.

Disa nga telajot me subjektin e pikturuar, shoqërohen me copa basmeje që mbartin atë gamë dekoracionesh floreale që përcillet edhe në vetë subjektin. Vendosja e qëllimtë e këtyre copave ka një funksion të dyfishtë brenda këtij cikli, atë universal dhe funksionin specifik. Komunikimi mes dy praktikave të ndryshme (të pikturuarit dhe produktit të gatshëm) vendoset në dy drejtime: 1. mes sipërfaqes së pikturuar dhe objektit industrial (si dy praktika që e përjashtojnë njëra-tjetrën, por që unifikohen nga koncepti); 2. mes dy objekteve të të njëjtit realitet që zhvlerësojnë njëri-tjetrin në funksion po të të njëjtit koncept (copa e lirë dhe e pavlerë që mbulon kolltukun e rëndë e pompoz).

Kjo zgjidhje e dytë lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me përkohshmërinë dhe mungesën e vlerës që ndihet si në titullin e ciklit, ashtu edhe në fotografinë e xhamit të thyer të autoveturës së mbuluar provizorisht me qese (si zgjidhja më e mirë e mundshme, e përkohshme). Momenti i dytë i rëndësishëm, i cili vazhdon të përcjellë veprimin fizik të ndërprerjes hapësinore, e që lidhet sërish me çështjen e komfortit ideal shfaqet në elementet e vagonit e të shtëpisë së mbartur.

Me motiv të marrë nga një instalacion i tij, Hila i rikthehet atij kësaj here në pikturë. Elementët bazë të figuracionit, vagoni e shtëpia, vendosen në situata të ndryshme pa stabilitet (tek varet në ajër), apo edhe absurde (shtëpia si përmasa ideale e komfortit, vendoset mbi kolltukun, në një sfond me draperi të rëndë). Ky motiv i dytë (në të cilin figura e njeriut sërish zëvendësohet nga objekti), gjen konkludimin në tablo kinetike me figurën e vagonit që përshkon shtëpinë.

Nga konsiderata epistemologjike, kjo telajo mbart një nga elementët bazë të pikturës së Hilës – diskontinuitetin. Ndryshimi këtë herë ka lidhje të drejtpërdrejtë me tendencën konceptuale të pikturës së tij. Në vend të figurimit të ndërprerjes me anë të elementëve abstraktë figurativë (të ardhur nga potenciali që vetë elementi formal ofron), Hila shfrytëzon elementë realë për të konkluduar mbi veprimin abstrakt të diskontinuitetit. Kështu në një sipërfaqe me ngarkesën më të madhe kinetike, ku çdo gjë është në lëvizje, vagoni hyn brutalisht në mes të shtëpisë dhe del përtej saj. Në pamje të parë gjithçka që mund të shohësh këtu është lëvizja, por pikërisht këtu ndodh edhe veprimi kryesor, i realizuar përmes të kundërtave. Si elementi abstrakt i përmendur në një nga fazat e mëparshme të pikturës së Hilës, çarja e shtëpisë nga vagoni në lëvizje krijon ndarjen, ndalimin, Pezullin. Është pikërisht ky Pezull që mohon Komfortin e projektuar në dëshirë të shtëpisë, që e bën atë të pamundur duke e patur fare pranë, ashtu siç ndodh edhe në të vërtetën e madhe të quajtur Shqipëri.

Po kështu mund të përmendim me radhë edhe pikturat e tjera të këtij cikli, ku komforti i presupozuar ndërpritet brutalisht përmes elementëve delikatë të vizatuar me finesë nga autori (kujtojmë këtu tufën me miza që rrethon nudon e relaksuar, apo boshin që rrethon një tjetër nudo të ulur në kolltuk, etj).

Për sa i përket pikturimit është e kuptueshme që në mentalitetin artistik shqiptar, të mësuar me konformizmin e virtuozitetit, është ca e vështirë të pranohet ky lloj pikturimi tepër i thjeshtë, por me peshë të madhe konceptuale. Pikërisht epistemologjia e pikturës së Hilës dhe koherenca e saj tregojnë se ai është krejt koshient dhe aspak rastësor në zgjedhjen e kësaj mënyre pikturimi, e cila përbën edhe një nga pikat e forta të saj.

Së fundi, do të doja të prekja një moment të pambyllur të këtij cikli, i cili shfaqet në dy punë: në tablonë me kolltukun e gjatë horizontal dhe në triptikun me anije. Është e vërtetë se në të dyja këto punë elementi epistemologjik i diskontinuitetit është i pranishëm. Por dalja me këmbëngulje në mënyrë të drejtpërdrejtë e të papërpunuar e motiveve të fazave të tjera të pikurës së Hilës, megjithë që dëshmojnë për koherencë, prishin pikërisht koherencën e ciklit të cilin po analizojmë. Kjo situatë krijohet nga prishja e ekuilibrit të pikturimit të konceptit, në favor të pikturimit të elementit, e cila në dy punët e sipërpërmendura evidentohet pak më shumë seç duhet. Megjithatë unisoni i ciklit dëmtohet relativisht pak nga prania e këtij fakti.

Konkluzioni im për ciklin “Komfort” të Edi Hilës është një analizë që i bëhet pikturës së një kolegu, e cila për mendimin tim ka disa faktorë evidentë e të rëndësishëm, që meritojnë konsideratë: Së pari piktura e ciklit “Komfort” është jo vetëm një moment i rëndësishëm sinteze për krijimtarinë e Edi Hilës, por edhe një risi në pikturën shqiptare të fundit të viteve ’90, që i jep asaj atributet e një pikture mesdhetare, që mbështetet fort në zhvillimet e territorit. Së dyti, nëse siç dihet tashmë, veprat e artit me pretendime serioze dhe karakter bashkëkohor janë rezultat i sintezës së faktorëve socialë, ekonomikë, teknologjikë e politikë të territorit, me potencialin intelektual e shpirtëror të artistit, mund të pohoj me siguri se në pikturën e Edi Hilës, këta elementë bazë që i japin asaj emërtimin bashkëkohore janë të qenësishëm. Ajo është një pikturë që mbart vlera universale dhe shfrytëzon me sukses potencialet e territorit në të cilin bën pjesë. Më në fund mund të them se është një pikturë me dimension reflektiv e aftësi përjetuese, përmasa këto që mungojnë në përgjithësi në artin shqiptar të viteve të fundit./Edi Muka/

 

 

SHKARKO APP